Postuar më: 12 Korrik 2021

Xhaçka takim online me Dovžan: Vlerësojmë angazhimin e Sllovenisë në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim online me Sekretarin slloven të Shtetit për Punët e Jashtme, Gasper Dovžan. 

Ministrja Xhaçka uroi Slloveninë për marrjen e mandatit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, teksa theksoi se Sllovenia do të jetë një zë i fortë në avancimin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. 

Kryediplomatja shqiptare theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të jetë një fortesë e vlerave evropiane dhe jo pika e dobësisë së sigurisë të saj. 

"Një shkëmbim mjaft i frytshëm me Sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme të Sllovenisë, Gašper Dovžan. Vlerësova angazhimin e Sllovenisë kundrejt procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Mirëpresim Presidencën sllovene të BE dhe punën e tyre gjatë gjysmës së dytë të 2021, gjithashtu dhe avancimin e bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian", shkruan ministrja në rrjetet sociale.