Postuar më: 23 Shtator 2021

Xhaçka takon Përfaqësuesin Special të Mbretërisë së Bashkuar: Mirënjohje për mbështetjen e treguar në zgjedhjen e Shqipërisë në KS

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Ahmad i Wimbledon. 

Ministrja Xhaçka falënderoi Lord Ahmad për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka treguar në zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. 

Kryediplomatja shqiptare vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve në organizata ndërkombëtare, si dhe konfirmoi gatishmërinë për të punuar së bashku mbi prioritet e përbashkëta. 

“Takim konstruktiv me Përfaqësuesin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord Ahmad i Wimbledon, ku diskutuam mbi përgatitjet e Shqipërisë për Këshillin e Sigurimit. Mirëpresim bashkëpunimin për prioritetet e përbashkëta të ndërtuara në traditën e gjatë të partneritetit dhe miqësisë të dy shteteve”, shkroi ministrja në rrjetet sociale pas takimit.