Postuar më: 05 Prill 2021

Zv. Ministri Tare: Pasaportat Diplomatike të Kombëtares Shqiptare, të vlefshme deri në 30 qershor, do të rishikojmë VKM për mbajtjen e tyre nga futbollistët

“Pasaportat Diplomatike të  Kombëtares Shqiptare janë të vlefshme deri në 30 qershor. MEPJ, do të  rishikojë VKM-në për të mundësuar përfshirjen e futbollistëve të Kombëtares sonë në listën e kategorive që përfitojnë mbajtjen e këtij dokumenti”

Zv. Ministri i MEPJ, Agron Tare, në një intervistë, ka sqaruar hollësisht gjithcka rreth keqinterpretimit të  cështjes së Pasaportave Diplomatike të futbollistëve të Kombëtares Shqiptare.

Ai ka shpjeguar se Kombëtarja jonë, aktualisht i ka të vlefshme Pasaportat Diplomatike. Keqinterpretimi lidhet me një shkresë që Fedarata Shqiptare e Futbollit i ka drejtuar MEPJ dhe përgjigjes që ka marrë prej saj. Në shkresën e MEPJ, sipas Zv. Ministrit, ka vetëm një pasaktësi në paragrafin e fundit ku thuhet: Duhet të dorëzoni pasaportën.

Futbollistët e Kombëtares, sipas Zv. Ministrit Tare, kanë qenë në dijeni të VKM-së në lidhje me reformën për dhënien e pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit që daton në vitin 2019, me qëllim, forcimin e dokumenteve dhe përmirësimin e imazhit të shtetit dhe për këtë, kanë qenë në kontakt me autoritetet kompetente.

Zv. Ministri Tare sqaroi se, “VKM për dhënien e Pasportave Diplomatike dhe të Shërbimit datonte që në vitin 1997 prandaj dhe u pa e domosdoshme në dhjetor të vitit 2019, të kryhej një reformë që përfshinte disa shtesa ku hynte një kategori njerëzish që për një arsye, apo një tjetër, ishin pajisur me këtë dokument. Në këtë vit, u shty afati i vlefshmërisë së disa kategorive, ku hynin dhe futbollistët. Në VKM, cilësohej saktë se kategoritë që përfitojnë Pasaporta Diplomatike janë të përcatuara në Kushtetutë.

Sipas Zv. Ministrit Tare, pasaportat e lojtarëve të Kombëtares, janë të vlefshme deri në 30 qershor. Në një nen të VKM saktësohet se, është në diskrecionin dhe vendimin e Ministres së Punëve të Jashtme që të vlerësojë kategori të caktuara për të gëzuar të drejtën e mbajtjes së Pasaportës Diplomatike dhe kjo do të mbetet për t’u vendosur në 30 qershor. Pra, do të  rishikohet mundësia e përfitimit të  kësaj kategorie me Pasaportën Diplomatike”.

Tare sqaron se, “Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF kanë qenë të informuar për këtë reformë të VKM që nuk ka të bëjë aspak me heqjen e Pasaportave futbollistëve, por me forcimin e administratës dhe imazhin e shtetit shqiptar”.

Sipas Zv. Ministrit Tare, bëhet fjalë për një cështje që FSHF ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me MEPJ prej dy vitesh. Ai theksoi se këtu kemi të  bëjmë  me forcimin e dokumentave të shtetit shqiptar dhe aspak me mungesën e mirënjohjes për futbollistët që në fakt, vazhdon të jetë në të njëjtin nivel si më parë. “Vëmendja për sportin nga Qeveria, e vërteton më së miri këtë”, u shpreh Tare.

“Vendimi që ka marrë qeveria në vitin 2019, për kufizimin e numrit të Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit, është shumë i drejtë dhe e vetmja kategori që meriton përjashtim nga ky kufizim, janë futbollistët e kombëtares. MEPJ do ta rishikojë  këtë mundësi”, theksoi Zv. Ministri Tare.