Postuar më: 16 Shtator 2021

Zv.Ministrja Fino merr pjesë në konferencën ‘’Ballkani Perëndimor bashkohet në dialogun për të ardhmen e Evropës”

Zv.Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino mori pjesë në konferencën rajonale ‘’Ballkani Perëndimor bashkohet në dialogun për të ardhmen e Evropës’’, organizuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë dhe që mbahet në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut. Në këtë aktivitet ishin ftuar Ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ministri i Jashtëm slloven, në cilësinë e Presidencës së BE-së.

Në fjalën e vet Zv.Minstrja Fino theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet dhe janë pjesë e diskutimeve mbi të ardhmen e Evropës sepse ne ndajme të ardhmen e përbashkët me vendet e tjera evropiane dhe se nuk mund të ketë një projekt të qëndrueshëm që të sigurojë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropë pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor. Edhe sot mbetet i plotë mësimi i viti 2003 i Samitit BE-BP se nuk mund të ketë të ardhme të Evropës pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor. 

Zv.Ministrja Fino, po ashtu, nënvizoi se Evropa duhet të mbetet afër dhe e prekshme për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë aspekt do të duhet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin sa më shpejt datën për konferencën e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin strategjik të Evropës, ndërsa anëtarësimi në BE shënon një objektiv strategjik të Ballkanit Perëndimor.
 
Duke falenderuar palën greke për organizimin dhe mbajtjen e këtij aktiviteti, i cili vjen në kohën e duhur, Zv.Ministrja Fino theksoi se Greqia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një promovuese e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.