Postuar më: 08 Tetor 2021

Zv. Ministrja Fino merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit për “Situatën në Bjellorusi”

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Znj. Megi Fino mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit në formatin Arria-Formula për “Situatën në Bjellorusi”. Takimi organizuar me  nismën e Estonisë u bashkësponsorizua nga 32 shtete anëtare të OKB-së, përfshirë dhe Shqipërinë.

Në fjalën e saj, Zv. Ministrja Fino shprehu shqetësimin për vazhdimin e përkeqësimit të situatës së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Bjellorusi, që nga manipulimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Ajo gjithashtu u përqendrua në adresimin e ndëshkimeve të padrejta të zërave opozitarë në vend, veçanërisht të përfaqësuesve të fjalës së lirë, të cilët vazhdojnë të përndiqen, burgosen, dënohen dhe dhunohen nga regjimi në Minsk.

Shqetësim gjithashtu u shpreh për vendimin më të fundit të Parlamentit në Bjellorusi për pezullimin e marrëveshjes së ripranimit të migrantëve me BE-në, duke u fokusuar tek papranueshmëria e instrumentalizizimit të migrantëve dhe refugjatëve nga ana e autoriteteve bjelloruse.

Zv. Ministrja Fino përmendi edhe angazhimin e Shqipërisë si kryesuese e OSBE-së për vitin 2020 në adresimin e krizës së demokracisë në Bjellorusi, si dhe u angazhua që si anëtare e Këshillit të Sigurimit për dyvjeçarin  2022-2023 të monitorojë situatën e të drejtave të njeriut në vend dhe impaktin që ajo ka në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës.