Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë viti 2020 Shqipëria kryesoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ky ishte një vit i rëndësishëm në shumë aspekte, pasi shënonte 45 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 30 vjetorin e Kartës së Parisit për një Evropë të Re. Gjithashtu 2020 u karakterizua nga një sërë sfidash të pahasura më parë si pasojë e pandemisë.

Shqipëria në hapje të vitit të kryesisë vuri në dukje se, si një shtet i vogël që ka kaluar një tranzicion të madh, ka arritur të përfitojë dhe të ruajë stabilitetin falë edhe të qenit pjesë e këtij komuniteti të sigurisë, që bazohet në vlera. Programi i Kryesisë Shqiptare të OSBE-së 2020 u bazua në tre objektiva kryesore:

• Realizimi i ndryshimit në terren;

• Zbatimi i angazhimeve tona së bashku;

• Ndërtimi i stabilitetit përmes dialogut.

Kryesia i dha përparësi çështjeve kryesore me të cilat komuniteti i OSBE-së vazhdon të përballet si: konfrontimi ushtarak, përdorimi me qëllime të këqija i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi, barazia gjinore ose vija ndarëse mes aktiviteteve shtetërore dhe joshtetëror.

Viti 2020 do të kujtohet për zhvillime të tjera të paprecedenta, përfshirë pandeminë, e cila solli sprova të reja, për qeveritë, komunitetet dhe organizatën, përfshirë vakumin në strukturat ekzekutive të OSBE-së, situatën në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale dhe shpërthimi i luftimeve të ashpra në konfliktin e Nagorno-Karabakh. Këto ngjarje përballën Kryesinë me presione të reja në punën e saj të përditshme, por që kryesia u përpoq t’i kapërcejë. Përballë këtyre vështirësive, Kryesia Shqiptare siguroi në mënyrë efektive një sërë arritjesh të reja, ruajti operacionalitetin e OSBE-së në mes të situates kaotike të shkaktuar nga COVID-19 dhe arriti të emërojë drejtuesit e rinj të Organizatës.

Kryesia Shqiptare e OSBE-se kulmoi me mbajtjen e Këshillit Ministror të Tiranës në 3 – 4 Dhjetor 2020. Ministeriali ishte rezultativ si për nga numri i vendimeve të miratuara ashtu edhe nga përmbajtja e tyre. Në tërësi u miratuan 11 vendime tw shtrira ne te tri dimensionet e sigurise se organizates, për herë të parë në një periudhë gjashtëvjeçare, si dhe emërimet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të institucioneve. Duke qenë Këshilli i parë Ministror i OSBE-së që u mbajt tërësisht online, ai vendosi një numër standardesh të reja, me 1122 pjesëmarrës nga shtetet pjesëmarrëse, 53 ministra të jashtëm dhe 94 përfaqësues të shtypit. Kryetarët e mëparshëm, ata aktualë dhe ata të ardhshëm miratuan deklarata mbi përpjekjet e OSBE-së drejt paqes në lidhje me Ukrainën dhe për zbatimin e angazhimeve të përbashkëta.

VENDIMET DHE DEKLARATAT E MIRATUARA NË KËSHILLIN MINISTERIAL TË OSBE -së 2020

• Vendimi për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE -së

• Vendimi për emërimin e Drejtorit të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut

• Vendimi për emërimin e Komisionerit të Lartë të OSBE -së për Pakicat Kombëtare

• Vendimi për emërimin e Përfaqësuesit të OSBE -së për Lirinë e Medias

• Vendimi për kryesimin e OSBE -së në vitin 2023

• Vendimi për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit përmes dixhitalizimit dhe rritjes së transparencës

• Vendimi për parandalimin dhe çrrënjosjen e torturës dhe trajtimeve ose dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese

• Deklarata për forcimin e bashkëpunimit në luftimin e krimit të organizuar transnacional

• Deklaratë mbi bashkëpunimin me Partnerët Aziatikë të OSBE-së

• Vendimi për kohën dhe vendin e Këshillit Ministror të ardhshëm të OSBE -së

• Deklaratë Ministrore mbi negociatat mbi Procesin e Zgjidhjes së Transniestrisë në formatin “5+2”