Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Asistenca e mbrojtja e shtetasve në vështirësi

Në situata të vështira e fatkeqësi shtetasit shqiptarë dhe të afërmit e tyre mund t’i drejtohen kurdoherë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, dhe Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, për të marrë ndihmë dhe për t’u këshilluar. Shtetasit mund të kërkojnë ndihmën e Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të RSh-së edhe në rastet kur u shkelen të drejtat e tyre në shtetin e rezidencës. Asistenca dhe ndihma që mund të jepet varet nga hapësirat e lejuara nga aktet ndërkombëtare dhe marrëveshjet reciproke dhe rrethanat konkrete.
Detaje për asistencën në përgjithësi: Asistencë dhe ndihmë e përgjithshme

Katastrofat natyrore, situatat luftarake, terrorizmi dhe rrëmbimet

Katastrofat natyrore dhe situatat luftarake

Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së veprojnë menjëherë për të kontaktuar shtetasit shqiptarë në zonat e prekura nga katastrofat natyrore dhe situatat luftarake jashtë shtetit. Të afërmit duhet të kontaktojnë menjëherë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorinë e Çështjeve Konsullore, për të dhënë informacione të vlefshme për vendndodhjen e shtetasve.
Inkurajojmë të gjithë shtetasit tanë të regjistrohen pranë Përfaqësive tona që mbulojnë shtetet ku ata qëndrojnë ose të kenë përherë me vete informacion, se si mund të kontaktojnë Përfaqësitë ose MEPJ, Drejtorinë e Çështjeve Konsullore

Terrorizmi dhe rrëmbimet

Sulmet terroriste dhe rrëmbimet janë të mundshme. Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë shtetit në zona të pasigurta duhet të mbajnë parasysh se mund të gjenden në situata të tilla. Para se të qarkullojnë në vende të huaja ata duhet të informohen për rrezikshmërinë e vendit të destinacionit.

Vdekjet, sëmundjet dhe aksidentet e rënda

Ndihma në rastet e vdekjeve

Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së ndihmojnë familjen dhe të afërmit në raste vdekjesh. Ato këshillojnë dhe ndërmjetësojnë me autoritetet e vendit pritës, për përgatitjen e dokumentacionit për kryerjen e veprimeve të varrimit ose riatdhesimin me transporte funerale.
Në rast se shtetasit e vdekur nuk kanë të afërm në vendin e qëndrimit, Përfaqësitë interesohen për të njoftuar e kontaktuar të familjarët në Shqipëri përmes MEPJ.

Asistenca për të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë

Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së ndihmojnë të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë. Nëse këta shtetas nuk kanë të afërm, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftohen familjarët në Shqipëri.

Të ndaluarit, personat nën hetime dhe të burgosurit

Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së, asistojnë shtetasit e ndaluar, nën hetim, ose të burgosur. Ato kontaktojnë autoritetet vendase, për tu siguruar për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve dhe për të garantuar të drejtën për hetime e gjykime të paanshme. Ndërhyjnë për të mos lejuar keqtrajtimin e të burgosurve dhe sigurimin e kushteve normale, në raport me standardet e vendit pritës.
Me dëshirën e shtetasve Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së, rekomandojnë avokatë dhe përkthyes të njohur prej tyre. Njoftojnë përmes MEPJ, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, të afërmit dhe familjarët.
Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së nuk mund të marrin përsipër përfaqësime në procese gjykimi, si avokatë mbrojtës.
Shtetasit shqiptarë të ndaluar, të hetuar dhe të burgosur kanë të drejtën të zgjedhin, që të mos informohet apo kontaktohet Misioni Diplomatik/Posti Konsullor i RSh-së.
Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të ndaluar dhe arrestuar

Ndihma në rastet e humbjes së kontakteve

Për humbjen e kontakeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, të afërmit e tyre mund ti drejtohen Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashmte, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, ose Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të RSh-së jashtë.

Të afërmit duhet të mbajnë parasysh se strukturat e Shërbimit Konsullor nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në privatësinë e shtetasve. Ato nuk kanë të drejtë të kërkojnë, pa dëshirën e shtetasve, lidhjen me të afërmit e tyre.
Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të humbur

Asistenca financiare për riatdhesimin

Shpenzimet për riatdhesimin e shtetasve nuk përballohen nga shteti. Janë vetë shtetasit ose të afërmit e tyre që duhet të bëjnë pagesat për udhëtim e kthimit dhe lëshimin e dokumenteve të nevojshme.