TAKIMI I KATËRT NDËRQEVERITAR SHQIPËRI-KOSOVË

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Takimi i katërt ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë u mbajt më 27 nëntor 2017, në Korçë. Të dy qeveritë konfirmuan bilancin pozitiv të zbatimit të marrëveshjeve të tre takimeve të mëparshme, në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Në takim, u nënshkruan dymbëdhjetë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushat si procesi i integrimit euro-atlantik, diplomacia, ekonomia, tregtia, diaspora, kultura, infrastruktura etj. Gjithashtu u nënshkrua edhe një Deklaratë e Përbashkët me fokus rritjen dhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama u theksua mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu u evidentua domosdoshmëria e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në funksion të heqjes së barrierave tregtare, nxitjes së investimeve, rritjes së mobilitetit dhe lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ndërkufitar, që ka në fokus zhvillimit e brezit kufitar mes dy vendeve, nxitjen e planeve zhvillimore dhe shkëmbimin kulturor.

Marrëveshjet e nënshkruara mes qeverive së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës gjatë G2G IV, Korçë, 27 nëntor 2017

  1. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë
  2. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e diasporës.
  3. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për qendrat kulturore në diasporë.
  4. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme.
  5. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
  6. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë  dhe Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunim për zbatimin e rregullimit më të mirë e të vlerësimit të ndikimit dhe për përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave.
  7. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension.
  8. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Sipërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
  9. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
  10. Protokoll për bashkëpunimin teknik në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare dhe produkteve me origjinë shtazore dhe jo-shtazore.
  11. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës për  bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
  12. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në krijimin dhe funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës  dhe Energjisë të Republikës  së Shqipërisë dhe Ministrisë  së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës.