Ministry for Europe and Foreign Affairs

50 vite marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Maltë

Tashmë u bënë 50 vite marrëdhënie diplomatike me Maltën, 5 mars 1973 – 5 mars 2023. Ka interes historiko-diplomatik njohja me rrethanat e vendosjes së këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve

Pozicioni i Maltës në qendër të Mesdheut, historikisht i ka dhënë asaj një rëndësi të madhe strategjike si bazë detare, që perandoritë ia kaluan në zotërim njëra tjetrës. E fundit ishte Perandoria koloniale e Britanisë së Madhe. Më 21 shtator 1964, kur sistemit kolonial po i vinte fundi, krijohet Shteti i Maltës i pavarur, kushtetuta e te cilit njihte Mbretëreshën Elizabetë II të Anglisë si mbretëreshë edhe të Maltës. Rolet e saj konstitucionaliste ju deleguan guvernatorit të përgjithshëm të Maltës. Më 13 dhjetor 1974, pas amendimeve që qeveria laburiste malteze, e ardhur në pushtet në 1971, i bëri Kushtetutës iu dha fund monarkisë dhe Malta u bë Republikë, brenda Commonwealth-it dhe funksionet e kreut të shtetit iu kaluan një presidenti të zgjedhur nga parlamenti.

Pas daljes zyrtare të Shqipërisë edhe nga Traktati i Varshavës 1968, qeveria shqiptare ndodhej në nevojë të zgjerimit të hartës gjeografike të marrëdhënieve të saj diplomatike. Që në vitin 1969 qeveria shqiptare i kishte kërkuar ambasadorit të saj në Vjenë që të kërkonte takim me ambasadorin e Shtetit të Maltës atje, tashmë pjesërisht i pavarur, kërkesë të cilës përfaqësuesi maltez nuk iu përgjigj. Kontakti i parë mes palëve fillon po në Vjenë, nga një vizitë e ambasadorit të Maltës në ambasadën shqiptare atje, në 6 maj 1970, ku shpreh simpatinë për qëndrimin e Shqipërisë kundër pranisë së flotave të huaja në Mesdhe, gjë që po e kërkonte edhe Malta për flotën angleze.

Ndërkohë, Misioni i Shtetit të Maltës në New York (OKB), kishte njoftuar Misionin shqiptar atje se Malta do të organizonte në korrik 1970 një Konferencë të vendeve mesdhetare mbi shfrytëzimin paqësor të fundit të deteve përtej ujërave territorial të secilit shtet të pellgut të Mesdheut. Për këtë kishin njoftuar të gjitha vendet bregdetare me dalje në Mesdhe. Përgjigje pozitive kishin dhënë vetëm Qipro e Greqia, nën ndikimin e Britanisë së Madhe e cila ishte në kërkim të burimeve të naftës. Qeveria shqiptare nuk kishte kthyer përgjigje pasi e quante këtë konferencë të nxitur nga “fuqitë imperialiste”, ndërkohë që Shqipëria ndodhej jashtë blloqeve politiko-ushtarake të kohës. Në kuadër të këtyre interesave e vendosi MPJ edhe vizitën e ambasadorti maltez në Vjenë në selinë diplomatike shqiptare. Ambasadori shqiptar në Vjenë u udhëzua që ti bënte vizitë kolegut maltez, por të mos jepte asnjë qëndrim për çështjen e Konferencës.

Kryeministri laburist, që fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Shtetin e Maltës në 1971, Dom Mintof, filloi të forconte përpjekjet për arritjen e plotë të pavarësisë së Maltës nga kurora britanike dhe si parti e spektrit të majtë zgjeroi lidhjet me vendet komuniste jashtë blloqeve politiko-ushtarake. Ai vizitoi Kinën në prill 1972. Në një pritje të organizuar në Pekin me trupin e huaj diplomatik nga qeveria kineze për nder të tij, Mantof takoi ambasadorin shqiptar dhe dha sinjale pozitive për mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Të mbetur vetëm jashtë blloqeve, në një aleancë solide, akoma të pa plasaritur me Kinën, në tetor 1972 qeveria shqiptare ngarkoi përfaqësinë e saj në Romë për të trajtuar çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Maltës. Për këtë qëndrim u morën në konsideratë disa arsye nga MPJ: Malta, edhe pa siguruar pavarësinë e saj të plotë, po konsolidonte pozitën e saj si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Në janar 1972 Shteti i Maltës kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me R.P. të Kinës,. Ajo si vend mesdhetar nuk kishte asnjë problem me Shqipërinë, dhe kishte interes për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nën drejtimin e kryeministrit Mintof, me sugjerimin e Kinës. Të dy vendet kishin interes për të zhvilluar marrëdhënie tregtare midis dy vendeve, siç kishte një interes të shprehur nga subjekte të ndryshme tregtare në Maltë për tekstile shqiptare, konfeksione dhe prodhime të artizanatit shqiptar, duhan, bitum, tela bakri etj.

Në dhjetor 1972, Misioni ynë në OKB u ngarkua të testonte palën malteze nëpërmjet një propozimi konkret në Misionin e Maltës atje për vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Kjo e fundit mori përsipër ta përcillte në qendër kërkesën e Shqipërisë. Përgjigja pozitive nga qeveria malteze mbërriti në shkurt të vitit 1973 por nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë. Ai shprehu bindjen e qeverisë malteze se “..Shqipëria me historinë e luftës së saj për pavarësinë kishte çfarë ti ofronte Maltës në përpjekjet e saj për pavarësinë e plotë nga Britania e Madhe”. Përgjigjja pozitive mbërriti edhe në Misionin shqiptar pranë OKB. Gjithsesi procedurat do kryheshin në Romë. Qeveria shqiptare mirëpriti qëndrimin e Maltës dhe propozoi formulimin e një komunikate të thjeshtë të përbashkët që njoftonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe që do të shpallej në shtypin lokal të dy vendeve në të njëjtën kohë, sipas praktikës protokollare shqiptare të asaj kohe. Marrëdhëniet diplomatike u propozua të vendoseshin në nivel ambasadorësh. Kjo procedurë u nxit shumë tek dy palët edhe nga qeveria kineze.

Qeveria malteze kërkoi që në komunikatën e përbashkët të theksohej se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve bazohej mbi objektivat dhe parimet e Statutit të OKB, meqenëse dy vendet ishin anëtare të organizatës, si dhe mbi parimet e Konventës së Vjenës 1961. Ambasadori ynë në Romë kërkoi të hiqej referenca ndaj Konventës së Vjenës të cilën Shqipëria akoma nuk e kishte ratifikuar, dhe të pranohej vetëm referenca tek parimet e OKB. Madje edhe për këtë lëshim, ambasadorit shqiptar në Rome iu tërhoq vërejtje nga MPJ e cila nuk ishte dakord që në komunikatë të përmendeshin parimet e OKB. Megjithatë nën këmbënguljen e palës malteze, në komunikatë mbeti referenca ndaj parimeve të OKB. Dy ambasadorët firmosën në Romë Komunikatën e Përbashkët më 5 mars 1973 dhe po atë ditë ajo u bë publike njëkohësisht në dy kryeqytetet. Madje pala malteze propozoi që qeveria malteze të merrte rolin e ndërmjetësit për të (ri)vendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Malta shikohej si një aleate e Perëndimit, ndaj në qershor 1973 qeveria shqiptare nuk pranoi dëshirën e Kryeministrit Dom Mintof për vizitën pjesërisht private e pjesërisht zyrtare në Shqipëri.

Filluan shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, ku nga Shqipëria peshën kryesore e zinte eksporti i bitumit dhe çimentos, dhe qeveria shqiptare dërgonte në Maltë vaporë për riparime, apo porosiste ndërtimin e vaporëve e varkave të reja, fije najloni, filtër për cigare, riparimin apo blerjen me shkëmbim të vinçave portualë, produkte e shërbime që i realizonin më lirë se në Itali e Francë.

Në dhjetor 1974, ndryshimet në Kushtetutë zëvendësuan Shtetin e Maltes, nga monarki konstitucionale, me Republikën e Maltës. Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve filluan të përcilleshin nëpërmjet dy ambasadave përkatëse në Romë.