Ministry for Europe and Foreign Affairs

30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Slloveninë

Sot mbushen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërise dhe Sllovenisë. Ky është momenti të njihemi me rrethanat historiko-politike dhe ecurinë e procesit deri në finalizimin e tij.

Pas vendosjes së demokracisë shumëpartiake në vend dhe rezultateve të plebishitit të mbajtur në 23 dhjetor 1990, Sllovenia shpalli pavarësinë e saj nga Republika Federative e Jugosllavisë në 25 qershor 1991, duke kryer edhe ndryshimet e nevojshme në kushtetutën e vendit. Ky akt u kundërshtua ushtarakisht nga udhëheqja e Federatës jugosllave. Kërkesa e parë për njohje të këtij shteti nga qeveria shqiptare dhe për denoncim të agresionit jugosllav në Slloveni erdhi në 26 qershor 1991, në kuadër të kërkesës që qeveria sllovene u kishte dërguar qeverive të të gjitha vendeve anëtare të KSBE ( sot OSBE), ku Shqiperia sapo ishte antarësuar. Në 30 gusht 1991, Ministri i Jashtëm slloven Dr.Dimitrij Rupel , në emër të qeverisë sllovene i kërkoi zyrtarisht Ministrisë së Jashtme shqiptare fillimin e procesit të njohjes së shpejtë të Republikës së Sllovenisë si shtet i pavarur dhe sovran.

Diplomacia shqiptare e kohës shprehu jozyrtarisht rezervën e saj që në këtë kërkesë pala sllovene nuk i ishte referuar çështjes së njohjes së Kosoves si shtet i pavarur, vendim i marrë me 2 korrik 1990, ku 114 nga 180 anëtarë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën si shtet i pavarur brenda Jugosllavisë. Njohja e pavarësisë së Sllovenisë u shty edhe në pritje të një qëndrimi nga Komuniteti Evropian për njohjen e Sllovenise dhe Kroacise, meqenese akoma nuk kishte një unitet mes shteteve anëtare për qëndrimin ndaj krizës jugosllave.

Minisri i Jashtëm slloven Dimitri Rupel vizitoi Shqiperine me 20-21 shtator 1991. Në takim me krerët e lartë të shtetit shqiptar atij iu kërkua të shprehte qëndrimin e qeverisë sllovene për pozicionin juridik të shqiptarëve në Federatën jugosllave. Rupel u shpreh zyrtarisht se Sllovenia ishte pro Kosovës republikë, çështje që ato do e përkrahnin më fuqishëm pas njohjes së pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë.

Sllovenia dhe Kroacia u njohën nga Komuniteti Evropian si shtete te pavarura me 15 janar 1992. 5 ditë më vonë qeveria shqiptare me anë të një deklarate njohu pavarësinë e dy republikave. Me 27 janar 1992 Ministria e Jashtme sllovene shprehu zyrtarisht dëshirën e qeverisë sllovene për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe ftonte Ministrin e Jashtëm shqiptar, z.Ilir Boçka, për një vizitë zyrtare në Ljubjane.

Vizita u dakordësua të ndodhte me 10 mars 1992. Pala sllovene nisi paraprakisht edhe draft-marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për tu nënshkruar gjatë vizitës të Boçkës në Tiranë. Gjatë kësaj vizite palës sllovene ju kërkua mbështetja për njohjen e të drejtave të shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi që nga pozita e tyre kushtetuese e deri tek të drejtat e njeriut, pa zgjdhjen e të cilave nuk do të kishte paqe në Jugosllavi.

Në Ljubjanë dy ministrat e jashtëm nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, 10 mars 1992.

Ambasadori i parë shqiptar Napoleon Roshi mbërriti në Ljubjanë me 27 janar 1993 dhe fillimisht qëndroi në hotel SLON. Më 3 prill 1993, qeveria shqiptare vendosi hapjen e përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Ljubjanë.

 

Mareveshja per vendosjen e marredheneive diplomatike

Deklarata e njohjes se pavaresise se Sllovenise