Ministry for Europe and Foreign Affairs

50 vite nga (ri)vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Norvegjinë

Më 29 maj 1971 u (ri)vendosën marrëdhëniet diplomatike midis Shqiperisë dhe Norvegjisë.

Në fakt burimet diplomatike arkivore dëshmojnë për një prezencë diplomatike norvegjeze në Shqipëri që në vitin 1935, kohë kur Mbretëria e Norvegjisë gëzonte statusin e shtetit neutral. Përvoja e Luftës së Dytë Botërore dhe frika e ekspansionit sovjetik shkaktuan një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të Norvegjisë pas vitit 1945. Ajo ishte një nga shtetet themeluese të NATO-s në vitin 1949, dhe luajti një rol mjaft aktiv në krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945.

Si e tillë, në prioritetet e politikës të saj të jashtme të kohës ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet anëtare të OKB. Interesimi për Shqipërinë filloi pas anëtarësimit të saj në këtë organizatë globale në dhjetor të vitit 1955. Sinjali i parë për diplomacinë shqiptare erdhi nga ambasadori i Norvegjisë në Ankara në një takim me homologun e tij shqiptar. Ambasadori shprehu jo zyrtarisht dëshirën e qeverisë norvegjeze për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë duke e mbuluar atë nga Beogradi. Qeveria shqiptare nuk shprehu asnjë hezitim për realizimin e këtij propozimi. Mesa duket entuziazmi i diplomatit norvegjez për ta mbaruar gjatë mandatit të tij këtë proces, ndeshi në ngurrimin e MPJ të Norvegjisë. Heshtja pasoi këtë propozim. Në fund të viteve ’50-të Shqipëria ishte akoma anëtare e bllokut lindor me qendër ish-BRSS, fakt që kishte penguar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me disa shtete të Evropës Perëndimore.

Pas prishjes së marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me ish-BRSS, propozimi i palës norvegjeze u rishfaq përsëri në vitin 1961 në takimet zyrtare të ambasadorëve të dy vendeve të akredituar në Ankara. Por propozimi tani do gjente një pengese të një lloji tjetër, mungesën e volumit të nevojshëm të marrëdhënieve tregtare që të justifikonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Oslo zyrtar u tërhoq sërish nga propozimi i parë pavarësisht argumenteve të qeverisë shqiptare për mundësitë tregtare të Shqipërisë e pritjen e turistëve. Në fakt, edhe pse e dalë nga blloku lindor, Shqipëria vazhdonte të ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, aleanca politiko-ushtarake e vendeve të lindjes, një realitet që në kushtet e Luftës së Ftohtë kishte mjaft rëndësi për jo anëtarët e Traktatit.

Interesimi i palës norvegjeze u rikthye fuqishëm në vitin 1968, pas daljes së Shqipërisë nga ky Traktat. Ambasadori i Norvegjisë në Beograd kërkoi vizë turistike për të vizituar Shqipërinë bashkë me familjen në prill 1968. Ai dëshironte që gjatë vizitës ti jepej mundësia të takonte Ministrin e Punëve të Jashtme. Nga pala shqiptare u kërkua që vizita e ambasadorit të ishte zyrtare e jo private nëse dëshironte takimin me Ministrin e Jashtëm. Në këto kushte, në shkurt 1970 ambasadori i Norvegjisë në Beograd bëri kërkesë zyrtare për vizë për një vizitë zyrtare në Tiranë, i autorizuar nga qeveria norvegjeze. Qëllimi i vizitës ishte të bisedohej mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve e më pas të diskutoheshin kërkesat e Albturizmit për mbërritjen e turistëve norvegjezë në Shqipëri. Kërkesa për vizë u pranua nga qeveria shqiptare. Vizita u realizua më 25-27 maj 1970. Palët konfirmuan dëshirën dhe gatishmërinë për të vendosur marrëdhëniet diplomatike. Pika ku nuk pat dakordësi ishte qëndrimi i palëve ndaj KSBE dhe misionit të saj. Tirana zyrtare e asaj kohe shprehte “rezervat e saj politike” për impaktin e vërtetë të kësaj organizate.

Nota zyrtare e palës norvegjeze për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë u formulua më 7 maj 1971, një vit pas vizitës së ambasadorit norvegjez në Tiranë. Në fakt Norvegjia ishte përfshirë në një krizë të brendshme politike për shkak të debateve rreth çështjes së hyrjes së Norvegjisë në Tregun e Përbashkët Evropian. Në notë propozohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në nivel ambasadori dhe akreditimi në Tiranë i ambasadorit të Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd, Johan Zeier Cappelen. Qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht kësaj note më 15 maj dhe njëkohësisht propozoi edhe përmbajtjen e komunikatës së përbashkët për shtyp që shpallte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. U propozua data 29 maj për shpalljen e njëkohshme të saj në shtypin e të dy vendeve. Pala norvegjeze dha dakordësi për përmbajtjen e komunikatës dhe datës së propozuar. Më 29 maj 1971 u (ri)vendosën marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.

Komunikata e Përbashkët

Nota 7 maj 1971