Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në realizimin e objektivit tonë për të evidentuar një historik të procesit të njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të shtetit shqiptar me shtetet e tjera, marrëdhëniet me Republikën e Kosovës kanë specifikat e tyre.

Më 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, 114 përfaqësues, anëtare të tre dhomave të Kuvendit, miratuan njëzëri “Deklaratën Kushtetuese” të këtij Kuvendi, në të cilën Kosova shpallej “subjekt i pavarur dhe i barabartë i federatës apo konfederatës së ardhshme jugosllave”. Kjo deklaratë, e cila u shpall e paligjshme nga Beogradi zyrtar, shënoi hapin e parë institucional të pavarësimit të Kosovës. Më 7 shtator të po këtij viti, u miratua në Kaçanik Kushtetuta e Republikës, e para kushtetutë demokratike e shtetit kosovar. Në tetor 1991, u zhvillua referendumi mbarë popullor që zyrtarisht e shpalli Kosovën të pavarur e sovrane.

Më 21 tetor 1991, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me anë të një deklarate e njohu Republikën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Ai njihte si legjitime Qeverinë e re të Përkohshme të Republikës së Kosovës nën drejtimin e Bujar Bukoshit dhe i bënte thirrje opinionit demokratik ndërkombëtar dhe shteteve pjesëmarrëse te KSBE të njihnin e të respektonin vullnetin e ligjshëm të popullit shqiptar të Kosovës. Kjo Deklaratë iu shpërnda të gjitha përfaqësive të huaja në Tiranë. Edhe qeveria shqiptare, me anë të një deklarate në tetor 1991 njohu Republikën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur dhe u shpreh se ishte e gatshme të vendoste marrëdhënie diplomatike me të dhe t’i jepte mbështetjen e nevojshme për konsolidimin e pavarësisë.

Më 31 tetor 1991, qeveria e Kosovës vendosi “..hapjen e përfaqësisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me seli në Tiranë , pranë Muzeut Kombëtar”. Në fakt, më 30 nëntor 1991 u hap në Tiranë Zyra e Informacionit e Kosovës, jo në nivel përfaqësie. Më 13 janar 1992 u nënshkrua marrëveshja e parë midis Ministrisë së Republikës së Kosovës për Informim dhe RTSH.

Pas zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë të 24 majit 1992, nga ku doli parlamenti i parë pluralist i saj, Kuvendi i Shqipërisë në 1 qershor 1992 riafirmoi edhe njëherë njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe përshëndeti zgjedhjet e zhvilluara në vend.

Pas përfundimit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe miratimit të Rezolutës 1244 (1999), atje u vendos Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UMNIK), i drejtuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

UMNIK hapi në fillim të vitit 2000 Misionin e tij në Tiranë. Po këtë vit, pas dakordësisë së arritur me UMNIK, qeveria shqiptare miratoi me VKM më 21 shtator 2000 hapjen e Zyrës së Ndërlidhjes së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në nivel të Ngarkuari me Punë/Shef Misioni, terma që u përdorën nga përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, kryeministri shqiptar bëri një deklaratë më 18 shkurt , në paragrafin e parë të së cilës thuhej ”Duke u bazuar ne Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh”. Kjo deklarate iu shpërnda të gjitha përfaqësive diplomatike të RSH jashtë vendit.

Më 19 shkurt 2008, u miratua VKM nr.159 i qeverisë shqiptare për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në nivel ambasadorësh. Në tetor 2008 filloi punën edhe ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë. Ndërkohë Misioni i RSH në Prishtinë u ngrit në nivelin e Ambasadës.