Ministry for Europe and Foreign Affairs

40 vite “rivendosje” e marrëdhënieve diplomatike me Japoninë, 10 mars 1981

Këtë vit u mbushën 40 vite nga “rivendosja” e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Japoninë. Meqenëse pak njihet, marrëdhënia e këtyre dy shteteve gjatë Luftës së Ftohtë, këtë javë rubrika “Histori e Diplomacisë Shqiptare” do evidentojë një analizë të shkurtër të ngjarjeve diplomatike të ndodhura deri në 10 mars 1981.

Pas disfatës në Luftën e Dytë Botërore, Japonia u dorëzua në vitin 1945 dhe u vendos nën regjimin ushtarak amerikan deri në vitin 1948. Gjatë kësaj kohe, në vitin 1947 Japonia miratoi një kushtetutë pacifiste që kërkonte bashkëpunim ndërkombëtar dhe marrëdhënie me të gjithë. Në vitin 1956 Japonia u anëtarësua në OKB. Një vit më pas përfaqësuesi i saj në New York bëri takimin e parë me përfaqësuesin e Shqipërisë atje ku paraqiti nevojën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për të zhvilluar marrëdhëniet tregtare, si një interes reciprok për palët. Në fakt, këto marrëdhënie kishin ekzistuar para Luftës së Dytë Botërore, që nga viti 1922.

Kjo ide nuk u kundërshtua nga pala shqiptare, por kërkohej që propozimi zyrtar të vinte nga qeveria japoneze. Ndërkohë interesat tregtare rriteshin midis dy vendeve. Japonia interesohej për pasuritë minerale të Shqipërisë në këmbim të produkteve të saj të përpunuara me teknologji të lartë. Në 10 mars 1963 Dhoma e Tregtisë e Shqipërisë nënshkroi një Protokoll Bashkëpunimi Tregtar me Shoqatën Japoneze për Zhvillimin e Tregtisë Ndërkombëtare në Tokio. Megjithatë, këto përpjekje për marrëdhënie ekonomike nuk u konkretizuan për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Qeveria e Tiranës e konsideronte qeverinë japoneze dhe qëndrimet e saj si shumë të ndikuara nga SHBA.

Informacione për një vullnet të mirë të palës japoneze për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë vinin vazhdimisht nga diplomatë të ndryshëm japoneze në takime me përfaqësuesit e Shqipërisë, por asgjë nuk ishte bërë zyrtare. Shqipëria ishte i vetmi vend evropian me të cilin Japonia nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike dhe fillimit të miqësisë shqiptaro-kineze, për të dy palët shtohej një pengesë më shumë për të mos avancuar në procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, fakti që Japonia nuk kishte akoma një traktat paqeje me Kinën dhe nga ana tjetër Tokio njihte Republikën e Tajvanit gjë e cila përplasej me politikat e Kinës.

Në vitin 1972, kur marrëdhëniet kino-japoneze filluan të përmirësohen, edhe qeveria shqiptare u ndje më e lirë në qëndrimet e saj. Sugjerimet e diplomatëve japonezë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, qeveria shqiptare nuk i linte më në heshtje , por u përgjigjej se Shqipëria ishte për marrëdhënie normale me të gjitha ato shtete që respektonin parimet e njohura në marrëdhëniet midis vendeve sovrane, dhe se me Japoninë nuk kishte asnjë problem që ta pengonte këtë. Deklarata të tilla nuk pasoheshin nga veprime konkrete politike e diplomatike.

Më 25 prill 1973, ambasadori japonez në Vjenë, i ngarkuar nga Ministri i Jashtëm Ohira, bëri propozimin e parë zyrtar ambasadorit shqiptar atje për “rivendosje të marrëdhënieve diplomatike” midis dy vendeve dhe propozoi fillimin e bisedimeve mes palëve në Vjenë që në majin e atij viti. Ai përmendi se marrëdhëniet ishin ndërprerë në vitin 1939 dhe se midis dy vendeve kishte ekzistuar edhe një Akord Tregtar Lundrimi nënshkruar në Athine më 20.6.1930. Përfaqësuesi shqiptar kundërshtoi që në fillim termin “rivendosje” si e papranueshme për arsye të motivuara nga qeveria shqiptare. Përgjigja nga qeveria shqiptare se “çështja ishte në studim” erdhi pas tre javësh e ky ishte qëndrimi i Shqipërisë gjatë gjithë vitit 1973.

Në janar 1974, qeveria shqiptare ngarkoi ambasadorin tonë në Vjenë, Sokrat Plaka, që të merrte takim me ambasadorin japonez dhe të njoftonte se qeveria shqiptare ishte dakord me propozimin japonez për vendosje të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, dhe sugjeronte që procesi të mbyllej me nënshkrimin në Vjenë të një komunikate të përbashkët, sipas projektit të formuluar nga qeveria shqiptare ku përmendej termi “vendosje e marrëdhënieve diplomatike” siç ishte bërë me të gjitha shtetet e tjera.

Pala japoneze këmbënguli që kjo ngjarje të paraprihej në fillim me bisedime diplomatike midis dy vendeve, para se të shkohej tek nënshkrimi i komunikatës. Pikë kyçe në bisedime duhej të ishin qëndrimi ndaj traktatit të vitit 1930, dhe formulimi “vendosje” apo “rivendosje”, e marrëdhënieve diplomatike. Qeveria shqiptare e kohës argumentonte se Kongresi i Përmetit 1944, nuk njihte asnjë marrëveshje dhe marrëdhënie diplomatike të vendosur para vitit 1944. Gjithsesi pala japoneze këmbënguli që të kryhej një proces negocimi mes ekspertëve në Vjenë. Bisedimet filluan në vitin 1974 në Vjenë mes dy ambasadorëve respektivë. Gjatë këtyre bisedimeve pala shqiptare kërkonte një marrëdhënie të pakushtëzuar nga dokumentet e paraluftës, të cilat ishin mohuar nga regjimi komunist në 1945. Procesi mbeti në vend deri në vitin 1979, ndërkohë që rritej presioni i qarqeve tregtare japoneze mbi qeverinë e tyre për të mos u bërë pengesë në normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë pasi kishin interes të veçantë për importimin e mineralit të hekur-nikelit nga Shqipëria.

Viti 1978 njohu një ashpërsim të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, divergjenca të hapura ideologjike midis dy partive komuniste me pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ndërkohë po këtë vit në Pekin u ratifikua Traktati i Paqes dhe Miqësisë së Kinës me Japoninë, dhe një vit më pas, në 1979, SHBA vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën. Qeveria japoneze përshpejtoi procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, edhe nën presionin amerikan në përpjekje që Tirana zyrtare e mbetur tashmë jashtë të gjitha orbitave të mos rikthehej tek Moska. Në mars 1979 bisedimet u zhvendosën në Beograd, dhe ambasadori i Japonisë atje propozoi një tekst të moderuar të komunikatës së përbashkët që afrohej shumë me variantin e qeverisë shqiptare.

Nga burimet tona diplomatike, MPJ e asaj kohe shprehet se e vonoi qëllimisht përgjigjen pozitive për palën japoneze edhe për dy vite të tjera, qofte për arsye politike të marrëdhënieve të reja midis Kinës e Japonisë, por edhe në shenjë reciprociteti ndaj zvarritjeve të qeverisë japoneze për ti vendosur këto marrëdhënie para vitit 1978 në kushtet e diktuara nga qeveria shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike u “rivendosen “ më 10 mars 1981, jo nëpërmjet një komunikate të përbashkët por nëpërmjet shkëmbimit të notave mes përfaqësuesve diplomatikë të dy shteteve në Beograd. Në tekstet e notave u ra dakord të përmendej termi “vendosje e marrëdhënieve diplomatike”. Në atë kohë, shtetet do të përfaqësoheshin tek njëri-tjetri nga ambasadorët e tyre në Beograd.

Japonia 1

Japonia 2