Ministry for Europe and Foreign Affairs

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Italinë, 2 maj 1949

Më 2 maj 1949, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Italisë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Traktati i Paqes midis shteteve ndërluftuese të Koalicionit Antifashist dhe Italisë u nënshkrua në Paris më 10 shkurt 1947. Më 9 tetor 1947 u miratua aderimi i Shqipërisë në këtë traktat. Traktati i Paqes me Italinë i detyronte të dy palët (Shqipërinë dhe Italinë) të fillonin bisedimet për përcaktimin e masave teknike për sanksionimin dhe vënien në zbatim të dispozitave të këtij traktati. Bisedimet midis dy qeverive zgjatën disa vite. Më 22 qershor 1957 u arrit Marrëveshja midis dy palëve për rregullimin e çështjeve që rridhnin nga Traktati i Paqes me Italinë. Kjo marrëveshje hyri në fuqi me shkëmbimin në Tiranë të instrumenteve të ratifikimit më 30 tetor 1957.

Ndërkohë, bisedimet midis palëve për përcaktimin e masave për zbatimin e Traktatit të Paqes vështirësoheshin nga mungesa e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Çështja e (ri)vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve u ngrit për herë të parë nga përfaqësuesit italianë të akredituar në Paris e Sofje, që në dhjetor të vitit 1947. Në takime e tyre me përfaqësuesit shqiptarë në legatat shqiptare atje, diplomatët italianë shprehën dëshirën e qeverisë italiane për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë si dhe pritshmërinë e tyre për një reagim nga qeveria shqiptare. Mungesa e marrëdhënieve konsiderohej prej tyre si pengesë gjatë bisedimeve që po zhvilloheshin për masat teknike për zbatimin e Traktatit.

Këto sondazhe u intensifikuan nga pala italiane gjatë vitit 1948, kur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave po pësonin një krizë të rëndë. Kjo situatë favorizonte palën italiane në logjikën e ekuilibrit italo-jugosllav në Shqipëri, logjikë e trashëguar nga periudha midis dy luftërave botërore. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, në Romë filluan të vinin sinjale pozitive nga Tirana zyrtare. Përfaqësuesit tanë në Beograd e Sofje, të cilët ishin dy kanalet e komunikimit midis Romës e Tiranës zyrtare në këtë kohë, u autorizuan të shprehnin tek përfaqësuesit italianë qëndrimin pozitiv të qeverisë shqiptare ndaj propozimit të qeverisë italiane për (ri)vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Bisedimet për (ri)vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Italinë filluan më 15 prill e vazhduan deri më 30 prill 1949 në Sofje , në selitë e legatës italiane dhe asaj shqiptare atje. Thelbi i bisedimeve ishte teksti i Komunikatës së Përbashkët që do bënte publike (ri)vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe. U zhvilluan 9 takime të tilla, sa herë që qeveria shqiptare shtonte elemente të reja në komunikatë që ajo të përshtatej sa më mirë me parimet e politikës së saj të jashtme të këtyre viteve. Nga ana tjetër, qeveria e De Gasperit në përpjekje për të krijuar një imazh të ri ndërkombëtar për Italinë, pas shijes së hidhur që kishte lënë Lufta e Dytë Botërore, ishte e gatshme të pranonte çdo formulë të propozuar që i shërbente procesit. Madje pala italiane nuk këmbënguli as tek termi “rivendosje” duke anashkaluar këtë fakt që sillte në kujtesë qeverinë fashiste italiane. Komunikata e përbashkët për (ri)vendosje të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve u bë publike më 2 maj 1949.

Brenda vitit të dy qeveritë shkëmbyen përfaqësuesit e tyre diplomatikë. Në Romë do të shërbente Zenel Hamiti si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë, ndërsa në Tiranë, Italia do të përfaqësohej nga i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë, Omero Formentini.