Ministry for Europe and Foreign Affairs

Vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri (1989–1990) dhe trashëgimia e saj.    

Vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri janë një testament i përkushtimit, këmbënguljes dhe dashurisë së thellë për atdheun, edhe në kushte të pamundura. Ato ndodhën në një periudhë të trazuar për vendin, por sollën një dritë shprese dhe një sinjal humanizmi në një shoqëri të sfilitur nga izolimi. Përmes përulësisë së saj, ajo preku zemrat e mijëra shqiptarëve dhe mbolli një frymë të re që do të shoqëronte vendin në rrugën e tij drejt rilindjes shpirtërore dhe demokratike. Vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri përbëjnë një kapitull të rëndësishëm dhe emocional në historinë moderne shqiptare. Ato nuk ishin vetëm kthimi i një bije të larguar në vendin e të parëve, por edhe një pasqyrim i ndryshimeve të mëdha që po ndodhnin në Shqipërinë e fundviteve ’80.  Nobelistja e parë shqiptare Nënë Tereza, e shpallur më pas Shenjtore e Kishës Katolike,– me origjinë shqiptare – kërkonte për dekada të tëra të vizitonte Shqipërinë për të përulur kokën mbi varret e nënës dhe motrës së saj. Përpjekjet e saj u kurorëzuan me sukses në vitin 1989, kur regjimi komunist i Shqipërisë nisi të jepte sinjalet e para të hapjes.

Që në vitet e mëparshme, Nënë Tereza kishte kërkuar leje për të hyrë në Shqipëri për arsye personale, por ishte refuzuar vazhdimisht nga autoritetet komuniste. Ajo nuk kishte marrë pjesë as në ceremonitë mortore të nënës dhe motrës së saj, të cilat kishin vite  që jetonin në Shqipëri. Në vitin 1986, pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, ajo telefonoi vetë në ambasadën shqiptare në Romë për të kërkuar të vinte thjesht si një vizitore për të bërë homazh në varret e familjarëve të saj. Kjo kërkesë, edhe pse e mbështetur nga ambasadori italian pranë FAO-s, nuk mori përgjigje.

Tre vjet më pas, në maj 1989, në një kontekst të ndryshuar ndërkombëtar dhe në kushtet e një krize të brendshme ekonomike, Shqipëria filloi të sinjalizonte një hapje të kujdesshme drejt Perëndimit. Në këtë kohë shumë arbëreshë të Italisë që kishin kontakte me Nënë Terezën kishin përsëritur pranë ambasadës shqiptare në Romë kërkesën e saj dhe mbështetjen e tyre. Pikërisht në këtë periudhë, përmes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë dhe ndërhyrjes së miqve të saj arbëreshë, dëshira e Nënë Terezës iu përcoll zyrtarisht ambasadës shqiptare në Romë. Ajo shprehej se donte “ta puthte tokën shqiptare përpara se të vdiste”. Këtë dëshirë të saj e kishte përcjellë Prof. Giuseppe Del Catapano, arbëresh nga Catanzaro,, mik i ambasadës shqiptare, i cili u shpreh se ishte i gatshëm ta shoqëronte gjatë vizitës private në Shqipëri. Më 19 maj 1989 Prof. Gaudio, i dërgon një kërkesë me shkrim ambasadës shqiptare në Romë ku midis të tjerash shprehte edhe dëshirën e Nënë Terezës për të bërë një vizitë private në Shqipëri, shoqëruar nga vetë Del Gaudio dhe miku e shoqëruesi i saj Gjergji Gashi. Komuniteti i arbëreshëve kishte argumentuar gjithnjë pranë ambasadës shqiptare në Romë se Nënë Tereza asnjëherë nuk ishte shprehur kundër Shqipërisë dhe politikave të saj të brendshme, përkundrazi kishte përmendur me mburrje faktin që ishte nga Shqipëria dhe kishte kontribuar në mënyrë aktive, moralisht dhe materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës. Nga ana e saj, ambasada argumentonte për Tiranën zyrtare se vizita e Nënë Terezës në Shqipëri do të shërbente si barrierë ndaj çdo fushate për mosrespektim të të drejtave të njeriut në Shqipëri, që tashmë ishte në fokusin e mediave ndërkombëtare, veçanërisht pas hyrjes së 6 vëllezërve Popaj në ambasadën italiane në Shqipëri. Ambasada për çdo demarsh informonte udhëheqjen e vendit.

Kërkesa u analizua në mënyrë të gjerë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ku u peshuan anët pozitive dhe negative të lejimit të vizitës. Megjithëse Nënë Tereza ishte murgeshë e Kishës Katolike Romane, vizita e saj në sytë e publikut shqiptar u zhvesh nga çdo ngjyrim fetar, duke e konsideruar një veprimtare bamirëse që ndihmonte të varfrit e të braktisurit, viktimat e luftës dhe fatkeqësive natyrore në vende të ndryshme të botës.

Vizita e parë: Gusht 1989

Duke marrë në analizë situatën dhe imazhin e krijuar rreth Shqipërisë, vizita e saj u miratua. Më 7 korrik 1989, Nënë Tereza e shoqëruar nga dy murgesha mbërriti vetë në ambasadën e RSH ne Rome  për të përcaktuar modalitetet e vizitës së saj private. Ajo kërkoi të kishte një kishë ku mund të falej, gjë që iu mohua, kërkoi të hante e të akomodohej sa më thjesht, pa bujë e publicitet. Vizita u caktua për datat 14–17 gusht 1989 dhe u konsiderua si një vizitë private. Nënë Tereza do të shoqërohej në Shqipëri nga murgesha me origjinë shqiptare nga Prizreni, Marie Goreti, dhe regjisorja e filmit “Nënë Tereza” me origjinë kanadeze e me banim në SHBA, Jeanette Petrie. Në Aeroportin e Rinasit ajo u prit nga drejtues të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Programi përfshinte vizita në shtëpinë ku kishin jetuar nëna dhe motra e saj, vizitë në varret e tyre, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kopshte fëmijësh, Institutin e Onkologjisë, Institutin e Pneumologjisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe “Shtëpinë e Pionierit” në Durrës.

Gjatë gjithë vizitës, Nënë Tereza shprehu dëshirën që të krijonte një qendër të Misionit të Bamirësisë në Shqipëri dhe të sillte të paktën katër motra për t’u kujdesur për të moshuarit dhe të sëmurët. Në vitin 1989, Nënë Tereza kishte hapur shtëpitë e saj të bamirësisë në 80 vende të botës dhe kishte 3000 motra (murgesha) të 35 kombësive të ndryshme dhe mijëra vullnetarë. Gjatë viteve 1987–1989 ajo kishte hapur institucione të tilla edhe në BRSS, Hungari e Kubë dhe  po përpiqej të hapte edhe në vendet e tjera të Evropës e Kinë. Në një intervistë për Televizionin Shtetëror Shqiptar, ajo deklaroi me përulësi: “Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj ndonjë krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje.” Në mbarim të vizitës, ajo i dërgoi një letër falënderimi Presidentit Alia për mundësinë e dhënë për të vizituar Shqipërinë, por njëkohësisht shprehte zyrtarisht kërkesën e saj që të lejohej të hapte një shtëpi bamirësie në Tiranë ku Misionaret e Bamirësisë t’u qëndronin pranë njerëzve që vuanin e që nuk kishin mbështetje.

Ndërkohë, Nënë Tereza dhe bashkëpunëtoret e saj vazhduan të ndiqnin këtë kërkesë. Gazetarja Jeanette Petrie dhe dy motrat e Nënë Terezës qëndruan në Romë në pritje të përgjigjes që do të vinte nga Tirana zyrtare. Ato shkonin vazhdimisht në ambasadën e RSH në Romë për t’u interesuar për hapjen e Misionit të Bamirësisë në Tiranë. Kjo kërkesë u refuzua nga Alia me argumentin se “…një kujdes i tillë ishte detyrë humane dhe patriotike për mijëra djem e vajza që shërbenin si mjekë e infermierë, kujdestarë dhe edukatorë të përkushtuar për mirëqenien dhe shëndetin e popullit.” Në prill 1990 në ambasadën shqiptare mbërriti edhe Nënë Tereza, e cila interesohej nëse kishte përgjigje për kërkesën e saj për të dërguar motrat misionare në Shqipëri, por ndeshej me të njëjtat argumente. Në maj 1990, Nënë Tereza dhe motrat e saj mbërritën në Rumani për të hapur atje Shtëpitë e Bamirësisë. Gjatë qëndrimit, nëpërmjet ambasadorit indian, ajo kërkoi takim me ambasadorin shqiptar në Bukuresht për të marrë informacion rreth letrës që i kishte drejtuar presidentit Alia në shtator 1989, por takimi nuk solli rezultat.

Vizita e dytë dhe hapja e misionit – Dhjetor 1990

Situata politike në Shqipëri filloi të ndryshonte me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, në maj 1990 dhe sidomos pas ngjarjeve të korrikut të atij viti. Në nëntor 1990, autoritetet shqiptare e ftuan zyrtarisht Nënë Terezën për një vizitë të dytë. Ajo mbërriti në Tiranë më 1 dhjetor dhe qëndroi deri më 5 dhjetor 1990. Gjatë kësaj vizite, ajo u prit me një respekt dhe vlerësim të shtuar. Ajo vizitoi sërish “Kopshtin Nënë Tereza”, një gjest që shënonte simbolikisht pranimin e figurës së saj në hapësirën publike shqiptare, ndërsa nga autoritetet iu premtua se misioni i saj do të mund të fillonte më 4 mars 1991 – datë në të cilën parashikohej përfundimi i ndryshimeve ligjore që do të lejonin veprimtarinë fetare dhe bamirëse në Shqipëri.

Kushti i vetëm i vendosur ishte që motrat misionare të punonin fillimisht vetëm me persona me aftësi të kufizuara në Tiranë, duke shmangur përfshirjen në fusha të tjera që përkohësisht ishin nën juridiksionin e shtetit. Megjithatë, ky përbënte një hap vendimtar drejt pranisë së përhershme të Misionit të Bamirësisë në Shqipëri.

Me mbërritjen e pranverës 1991, Shqipëria tashmë kishte hyrë në një etapë të re transformimesh demokratike dhe reformash pluraliste. Më 4 mars 1991, sipas premtimit të dhënë, Shtëpia e parë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës u hap në Tiranë dhe më pas në Shkodër. Ky institucion nisi të funksiononte në shërbim të njerëzve në nevojë – të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe të vetmuarve. Ky akt jo vetëm që përmbushi një ëndërr personale të Nënë Terezës, por simbolizonte kthesën e madhe shpirtërore të Shqipërisë, e cila për dekada kishte refuzuar çdo formë të jetës fetare dhe bamirësisë me bazë fetare.

Vlerësimi dhe trashëgimia

Nënë Tereza, e cila në atë kohë kishte çelur më shumë se 600 qendra bamirësie në mbarë botën dhe kishte nën kujdes rreth 3000 motra nga 35 kombësi të ndryshme, kishte mbetur gjithmonë e lidhur shpirtërisht me Shqipërinë. Vizitat e saj të viteve 1989 dhe 1990 nuk ishin vetëm përmbushje e një dëshire personale, por gjithashtu ndihmuan në ndryshimin e perceptimit të Shqipërisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Gjatë viteve të mëvonshme, prania e misionit të saj në Shqipëri u konsolidua dhe kontribuoi ndjeshëm në ndihmën për shtresat më të prekura të popullsisë, duke sjellë një model të ri të shërbimit pa shpërblim dhe me përulësi të plotë.

Trashëgimia e Nënë Terezës nuk u ndal në Shqipëri apo në vendet ku ajo kreu veprat e saj të mëdha të dashurisë dhe përkujdesit. Më 17 dhjetor 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me konsensus Rezolutën A/RES/67/105, përmes së cilës shpalli 5 Shtatorin – ditën e ndarjes nga jeta të Shenjtores Nënë Tereza – si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Kjo iniciativë ndërkombëtare u lind nga shoqëria civile hungareze, me një rol thelbësor të luajtur nga Ambasada e Shqipërisë në Budapest, dhe u mbështet fuqishëm nga Parlamenti dhe Ministria e Jashtme e Hungarisë. Rezoluta A/RES/67/105,  u iniciua nga Hungaria me mbështetjen e 44 shteteve, përfshirë dhe Shqipërinë. Kombet e Bashkuara njohën zyrtarisht këtë ditë të veçantë në kalendarin e ditëve  ndërkombëtar të OKS-së në simbol të humanizmit të Nënë Terezës. Shpallja e 5 Shtatorit si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë është një nder dhe kontribut i jashtëzakonshëm në promovimin e figurës shqiptare të Nënë Terezës në nivel global, duke e shpallur atë simbol të dashurisë, përulësisë dhe shërbimit ndaj të varfërve, më shumë se kushdo tjetër në shekullin e XX. Në këtë mënyrë, bota mban për çdo vit një ditë për të kujtuar se si një grua e vogël shqiptare me zemër të madhe ndryshoi botën – jo me pushtet, por me lutje dhe dashuri.

Shenjtërimi i Nënë Terezës nga Papa Françesku në vitin 2016 përmbylli këtë rrugëtim të saj, duke e ngritur figurën e saj në panteonin e përjetshëm të historisë botërore dhe asaj shqiptare. Trashëgimia e saj në Shqipëri mbetet e gjallë edhe sot – në institucionet që mbajnë emrin e saj, në kujtimin kolektiv të një kombi që e kishte harruar besimin, por që me vizitat  e saj në atdhe rifitoi një pjesë të identitetit të vet të mohuar.