Ministry for Europe and Foreign Affairs

Bashkërendim i një axhende edhe më të afërt bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2026.

Kështu njoftoi nga Shkupi Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.

Teksa ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin fqinj, Spiropali theksoi se “kjo axhendë nuk duhet të njohë limite”.

“Nga integrimi europian, tek infrastruktura. Nga energjia dhe ekonomia tek siguria. Nga arsimi dhe kultura te kontaktet njerëzore, që nxisin më tej fqinjësinë e mirë dhe kthejnë hapësirën shqiptaro-maqedonase në një bosht stabiliteti dhe hapësirë mundësish në rajonin tonë”, tha Spiropali.

Ministrja e Jashtme deklaroi se “integrimi europian është objektivi numër një i politikës së jashtme shqiptare, por dhe i kombit shqiptar”. Por sipas Spiropalit, e ardhmja europiane e Shqipërisë është e pandashme nga trajektorja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe integrimi europian i Maqedonisë së Veriut.

“Ne nuk e shohim këtë proces si një garë midis vendeve kandidate, por si një rrugë që ndajmë së bashku drejt atij që është një destinacion i pashmangshëm dhe përkatësi natyrale e popujve tanë. Kjo ështe arsyeja pse ne e mbeshtesim fuqishëm rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut: jo thjesht sepse jemi fqinjë dhe partnerë, por sepse një Maqedoni e Veriut që avancon në standarde — në drejtësi funksionale, institucione të forta, administratë meritokratike — është investim në stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit. Shqipëria e mbështet integrimin europian të Maqedonisë së Veriut jo thjesht si një fqinj me të cilin ndajmë një të ardhme të përbashkët, por edhe sepse këtu jeton një komunitet i madh shqiptar, që arrin deri në 30% të popullsisë së përgjithshme sipas censusit të fundit.”

Spiropali tha se “Shqiptarët e Maqedonisë janë një faktor shtetformues, progresist, pro-europian dhe vendimtar për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.”

”Prandaj, në klimën e sotme gjeopolitike, ku ndikimet e aktorëve të tretë po shtohen dhe kërcënimet hibride po bëhen më agresive, roli konstruktiv i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politikë, në mazhorancë dhe në opozitë, mbetet jetik për vijimin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane. Duke njohur këtë realitet, ne mirëpresim dhe inkurajojmë zbatimin konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit”, tha ajo.

Marrëveshja e Ohrit, sipas Spiropalit, është një dokument paqeje dhe bashkëjetese i garantuar ndërkombëtarisht.

“Ne jemi mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleatë i të dy vendeve dhe Presidentit Donald Trump për përfshirjen e Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i cili mbron paqen, rendin demokratik dhe vetë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit, është standard: barazi reale në të drejta, përfaqësim dhe dinjitet. Respektimi i gjuhës shqipe, identitetit etnik dhe përfaqësimit të drejtë, janë detyrime që duhen zbatuar plotësisht dhe pa ekuivoke”.

Spiropali theksoi se “përpos Shqiptarëve të Maqedonisë, një tjetër urë që na bashkon është pakica maqedonase në Shqipëri.”

”Prandaj, kemi përmirësuar kuadrin tonë ligjor dhe politik për mbrojtjen e minoriteteve, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të komunitetit maqedonas. Janë miratuar të gjitha aktet nënligjore, përfshirë tre të fundit në dhjetor 2024. Në përputhje me këto akte, njësitë e vetqeverisjes vendore kanë nisur zbatimin e VKM së posaçme për shërbime në gjuhët e minoriteteve dhe sinjalistikë dygjuhëshe.”

Një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme është Korridori VIII, që duhet të shndërrohet në një hapësirë të re mundësish dhe konektiviteti.

“Ministeriali i parë për Korridorin VIII, që do të mbahet në Tiranë në shkurt 2026, duhet të jetë pikë kthese për të institucionalizuar bashkëpunimin pesëpalësh Itali–Shqipëri–Maqedoni e Veriut–Bullgari–Rumani dhe për të miratuar një kornizë të përbashkët strategjike, me rezultate konkrete.”

Spiropali njoftoi se diskutoi me Ministrin Mucunski, hapjen e një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Manastirit.

“Ky qytet, ka një simbolikë të veçantë për shqiptarët, pasi në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 u arrit vendimi për njehsimin e gjuhës shqipe. Kjo kërkesë vjen në vijim të hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë më 8 korrik dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të hapur një Konsullatë të Përgjithshme në qytetin e Korçës.”

Sipas Spiropalit, hapësira për të bashkëpunuar mbetet e madhe edhe në dimensionin ekonomik. 

”Duhet të punojmë më shumë për investime direkte, duke hequr çdo barrierë për investimet e  njeri tjetrit, për banka, kompani, industri hoteliere, për kompani të përbashkëta në territorin e njeri tjetrit, etj.”

“Le të vijojmë punën, për ta kthyer hapësirën shqiptaro-maqedonase në një hapësirë strategjike që nesër do t’i përkasë gjithë Europës. Në një terren ku kufiri nuk është vijë ndarjeje, por vijë takimi, urë për njerëzit, biznesin, energjinë, transportin dhe besimin”, përfundoi Spiropali.