Colours of Albanians



COLOURS OF ALBANIANS 2022

Në zbatim të Marrëveshjes “Mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme”, firmosur në korrik 2019 ndërmjet dy Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe në kuadër të ngritjes dhe konsolidimit të mekanizmave të bashkëpunimit mes dy vendeve për promovimin e vlerave kombëtare, në prill 2020, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, nënshkruan “Protokollin Zbatues në fushën e diplomacisë kulturore”. Ky protokoll synon koordinimin dhe bashkëpunimin mes palëve në fushën e diplomacisë publike, nëpërmjet realizimit të një kalendari aktivitetesh kulturore, pjesë e të cilit është dhe “Colours of Albanians 2022”.

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të #ColoursofAlbania nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë këtë konkurs të titulluar “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”.

Risia e këtij edicioni është përfshirja akoma më aktive e Diasporës, ndaj fushata e këtij viti synon të shtrihet tek një audiencë sa më e gjerë, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në të gjitha vendet ku jeton e punon diaspora, për të promovuar një ndjesi të përbashkët të identitetit shqiptar dhe përkatësisë sonë evropiane.

Konkursi funksionon fare thjeshtë: çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi, duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians.

Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit i kalon jurisë të përbërë nga shtatë personalitete të njohura të artit e të fotografisë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora të cilët zgjedhin 50 fotot e videot më të mira të vitit 2022 dhe shpallin 6 fotot dhe videon fituese në një ceremoni përmbyllëse. Këto foto më pas botohen në një album i cili shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë mënyrë jo vetëm produkti final por edhe vetë procesi, nga 26 nëntori 2021 deri më 17 shkurt 2022, realizon një fushatë me efekt shumë të gjerë në promovimin e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi spektatori, kundruesi i së bukurës dhe vlerave është njëkohësisht dhe autor i këtij konkursi.

Colours of Albanians synon të jetë frytdhënëse në tri drejtime:

– Promovimi i trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE.

– Forcimi i markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë.

– Forcimi i marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të komuniteteve të diasporës.

– Fushata do të ketë dy evente kryesore; ceremoninë e hapjes më 26 nëntor 2021 në Shqipëri dhe atë të mbylljes dhe dhënien e çmimeve fituese më 17 Shkurt 2022 në Kosovë.

“ColoursofAlbanians” është një iniciativë e rregullt vjetore nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

Lajtmotivi i Colours of Albanians 2022


Rregullat e konkursit


Juria & Çmimet


– Galeri