Ministry for Europe and Foreign Affairs

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit, 19 gusht 1991

Më 19 gusht 1991 mbushen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit, edhe pse shteti i Izraelit ishte njohur nga qeveria shqiptare që në vitin 1949.

Më 14 maj 1948 në një muze në Tel Aviv u shpall themelimi i shtetit të Izraelit, pas vendimit të OKB në 2 nëntor 1947 për krijimin në Palestinë të dy shteteve, atij palestinez e atij hebre. Disa muaj më vonë, më 13 shkurt 1949 qarqet zyrtare izraelite të presidentit Sharett, i kërkuan zyrtarisht qeverisë komuniste shqiptare njohjen e pavarësisë së Izraelit. Në Shqipëri ndodheshin shumë hebre të mbërritur për strehim para dhe gjatë luftës së dytë botërore. Duke i konsideruar hebretë si populli më i viktimizuar nga nazizmi gjerman, më 16 prill 1949 Tirana zyrtare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së qeverisë izraelite duke njohur shtetin e pavarur të Izraelit. Ky akt u përshëndet nga komuniteti hebre që jetonte në Shqipëri si dhe nga përfaqësues të shoqatave dhe bashkësive hebraike në botë. Lufta e ftohtë dhe pozicionimi i shteteve në pole të ndryshme politike akoma nuk kishte marrë formë të plotë.

Pas disa ditësh, ne 10 maj 1949 në ambasadën shqiptare në Moskë, përfaqësuesi i Izraelit atje drejtoi kërkesën e parë për pajisjen me vizë të familjeve hebreje që ndodheshin në Shqipëri dhe donin të ktheheshin në Izrael. Kjo sipas tij ishte bërë pranë disa qeverive dhe kishin marrë përgjigje pozitive. Kjo kërkesë e qeverisë izraelite u pasua nga të tjera në disa përfaqësi diplomatike shqiptare gjatë viteve 1949-1951 e shoqëruar edhe me lista të emrave të hebrenjve të ndodhur në Shqipëri, rreth 160 të tillë. Këta të fundit kishin hyrë në kontakt me qeverinë izraelite e kërkonin mbështetjen e saj për riatdhesimin e tyre duke ju dërguar autoriteteve edhe certifikatat e tyre të lindjes. Kërkesa mbërritën edhe nga familje hebreje të ndodhur në Shqipëri që kërkonin riatdhesimin e tyre në Izrael. Qeverisë shqiptare nuk i tingëlloi mirë ky presion dhe u deklarua se ajo nuk kishte premtuar një gjë të tillë, ndaj nuk ekzistonte një çështje riatdhesimi për të, por çdo person që kërkonte të kthehej në Izrael mund të aplikonte vetë për këtë pranë autoriteteve shqiptare dhe nëse kërkesa e tyre miratohej mund të largohej. Ndërkohë filloi thirrja dhe pyetja e këtyre personave nga strukturat e ministrisë së brendshme.

Këtu filluan edhe thyerjet e para të entuziazmit që mbuloi në fillim marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, pavarësisht se nuk ishin vendosur akoma marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Në 1955 qeveria e izraelit premtoi votën e saj pro pranimit të Shqipërisë në OKB kundrejt riatdhesimit të 180 izraelitëve të ndodhur në Shqipëri, pasi Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk ishte përgjigjur pozitivisht. Tirana zyrtare i konsideronte këta hebre nënshtetas shqiptarë ndaj për të nuk ekzistonte problemi i riatdhesimit të tyre. Në mbështetje të kërkesës së riatdhesimit, nëpërmjet përfaqësuesit izraelit në Sofje që vizitoi Shqipërinë në shtator 1955, nga Tel Avivi erdhi oferta për vendosje të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve, kërkesë që u përsërit edhe në vitet në vazhdim.

Gjatë vitit 1956 kur po merrte formë më të plotë konflikti në botën arabe mes izraelit dhe palestinezëve, e kur BRSS dhe gjithë blloku lindor po mbronin kauzën e këtyre të fundit kundrejt izraelit i cili në kuadër të luftës së ftohtë kishte mbështetjen e perëndimit, qeveria shqiptare pjesë e bllokut lindor udhëzonte ambasadat shqiptare për qëndrime të ftohta ndaj diplomatëve izraelitë në takime të ndryshme. Në 1957, qeveria shqiptare refuzoi edhe kërkesën për marrëdhënie tregtare me Izraelin.

Në 1958, nëpërmjet ambasadës izraelite në Bukuresht mbërriti kërkesa e parë për vendosje të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, dhe u kërkua mbështetja e Shqipërisë për kontakte dhe afrim me vendet arabe, gjë që u refuzua politikisht nga qeveria shqiptare duke akuzuar Izraelin për mbështetje të sulmit ndaj Egjiptit. Ky qëndrim mori aprovimin edhe të Moskës zyrtare. Kërkesa e palës izraelite për marrëdhënie tregtare, për vendosje te marrëdhënieve diplomatike, për vendosje të një linje telefonike u përsërit gjatë gjithë viteve 60-të, por u refuzua me pretekste të ndryshëm. Madje nuk u dhanë as viza diplomatëve izraelitë për të ardhur në Shqipëri. Ky qëndrim ishte i prerë dhe nuk ndikohej as nga ndonjë qëndrim ndryshe i kinës me të cilën ishim në marrëdhënie të ngushta në këto vite. Ndërkohë vazhdonte konflikti arabo-izraelit në Lindjen e Mesme. Në 1970 nuk u lejua as ekipi shqiptar i basketbollit të luante kundër atij izraelit me të cilin i kishte rënë shorti në një kampionat basketbolli në Itali. Mes dy vendeve pasoi heshtja në vitet 70 e gjysma e parë e viteve ’80-të. Ftesat që vinin nga pala izraelite për pjesëmarrje në konferenca shkencore, festa kombëtare, apo shkëmbime tregtare refuzoheshin pa mëdyshje nga autoritetet shqiptare.

Në dhjetor 1987, me kërkesën e një familjeje çifute të strehuar në Krujë gjatë luftës së dytë botërore, Yad-Vashem në Jerusalem i akordoi z. Refik Veseli dhe prindërve të tij titullin “Righteous Among the Nations”. Familja hebreje me profesion fotografë kishte ardhur në Shqipëri nga Novi-Sad i Jugosllavisë. Pas luftës ajo u kthye përsëri në Novi-Sad. Në 1945 kjo familje e ftoi në shenjë mirënjohjeje z. Veseli në studion e saj fotografike në jugosllavi ku qëndroi 18 muaj dhe përfitoi shumë në këtë profesion. Në korrik 1947 ai u kthye në atdhe dhe familja hebreje po përgatitej për kthimin e saj në Izrael. Veseli mbajti korrespondencë me letra me këtë familje edhe pas vajtjes së tyre në Izrael. Ai kërkoi mendimin e autoriteteve nëse duhej ta pranonte këtë titull në mars 1988 dhe depozitoi gjithë korrespondencën e tij. Ai nuk u lejua ta marrë këtë titull, pasi u konsiderua se një gjë të tille njerëzore, sipas qeverisë shqiptare të kohës, kishin bërë disa familje shqiptare për ti mbrojtur hebrenjtë kundër armikut të përbashkët.

Kjo çështje u rihap në 1990, kur Izraeli pas normalizimit të marrëdhënieve me disa vende të Evropës Lindore dhe vendosjes së marrëdhënieve me disa të tjera, ri përsëriti kërkesën e tij edhe ndaj qeverisë shqiptare. Në kuadër të nevojës për një hapje të detyruar të Shqipërisë, zbutjes së klimës politike në marrëdhëniet ndërkombëtare, përpjekjeve për tu integruar në proceset evropiane, përpjekjeve për të hyrë në kontakte me SHBA dhe të ndërgjegjshëm për influencën e lobit hebre pranë autoriteteve amerikane si dhe faktit që ato nuk u shprehën asnjëherë negativisht ndaj Shqipërisë, qeveria shqiptare e kohës udhëzoi përfaqësitë diplomatike të ulnin tonet me diplomatët izraelitë, të rigjallërohej interesi i tyre për marrëdhënie tregtare, të lejoheshin vizitorë nga Izraeli dhe familja Veseli të udhëtonte për në Jerusalem për të marrë titullin e akorduar, gjë që ndodhi në 15 korrik 1990. Bashkë me familjen Veseli filloi edhe riatdhesimi i familjeve hebreje në Izrael me kërkesën e tyre, i penguar prej më shumë se katër dekadash. Tashmë diplomatët tanë nisën të sillnin në vëmendjen e përfaqësuesve të huaj sakrificat e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore.

Në fillim të vitit 1991 u inaugurua shoqata e miqësisë Shqipëri – Izrael nga përfaqësues të komunitetit hebre në Shqipëri. Ajo u inaugurua në prill 1991.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, qeveria shqiptare nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Romë, në mars të vitit 1991, ftoi ambasadorin izraelit për një vizite në Shqipëri për te marrë pjesë në inaugurimin e shoqatës së miqësisë Shqipëri – Izrael. Në këtë rast diplomati nga Tel Aviv përsëriti kërkesën e mbetur pa përgjigje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Pas sinjaleve pozitive që vinin nga Tirana, ambasadori izraelit në rome, si i dërguar i MPJ, Levy, kërkoi në qershor 1991 të zhvillonte vizitë zyrtare në Tiranë ku të diskutohej më konkretisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike si dhe për tekstin e një komunikate apo memorandumi të përbashkët për këtë rast.

Vizita u realizua në 18-20 korrik 1991. Gjatë vizitës, ambasadori u takua me ministrin e jashtëm Kapllani, u diskutua për rrethanat ndërkombëtare e veçanërisht për zbutjen e klimës në Lindjen e Mesme ku palët po ndërgjegjësoheshin për nevojën e dialogut me ndihmën e ndërkombëtareve. Gjatë takimit u dakordësua për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi midis dy qeverive. Ministri i jashtëm David Levy, më 25 korrik 1991 ftoi ministrin tonë të jashtëm Kapllani të vizitojë Tel Aviv dhe gjatë kësaj vizite të parë shtetërore të firmosej edhe memorandumi i mirëkuptimit midis dy qeverive për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Memorandumi u nënshkrua në Tel Aviv më 19 gusht 1991, nga dy ministrat e jashtëm duke përcaktuar edhe datën zyrtare të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Izrael 1

Izrael 2

Izrael 3

Izrael 4

Izrael 5