Ministry for Europe and Foreign Affairs

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Spanjës, 12 shtator 1986

Marrëdhëniet diplomatike me Spanjën të vendosura në vitet ’20 të shekullit XX u ndërprenë për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë në Spanjë, në përfundim të Luftës Civile (1936-1938) dhe humbjes së forcave republikane, ishte vendosur regjimi i qeverisjes autoritare të drejtuar nga gjenerali Francesko Franko. Gjatë Luftës Civile, Franca dhe Britania e Madhe kishin shprehur mbështetjen e tyre, për forcat republikane. Po kështu vullnetarë nga e gjithë Evropa (edhe nga Shqipëria) kishin mbërritur në Spanjë në mbështetje të forcave ushtarake republikane spanjolle kundër forcave frankiste të cilat gëzonin mbështetjen e regjimeve fashiste në Evropën e viteve ’30-të.

Në përfundim të luftës, republikanët formuan një qeveri në mërgim të vendosur në Paris. Në 10 gusht 1946, kjo qeveri i paraqiti një notë zyrtare legatës shqiptare në Paris ku kërkonte njohjen e saj. Qeveria komuniste e Tiranës i akordoi këtë njohje më 30 tetor 1946, por la në heshtje kërkesën e saj për vendosje të marrëdhënieve diplomatike për sa kohë një gjë të tillë kishte bërë edhe qeveria franceze ndaj të njëjtës kërkesë. Ndërkohë, Tirana zyrtare nuk njihte asnjë përfaqësi diplomatike të qeverisë frankiste.

Në fillim të viteve ’70-të, pas daljes së Shqipërisë nga blloku komunist dhe fillimit të përplasjeve të para me Kinën për shkak të politikës së saj të afrimit me SHBA, diplomatë të ndryshëm spanjollë kërkonin të hynin në kontakt me diplomatë shqiptarë për të diskutuar mbi marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve, por kërkesat refuzoheshin.

Pas vdekjes së diktatorit Franko, nëntor 1975, mbreti Huan Karlos bëri kujdes ti jepte Spanjës një pamje të re, pamjen e një vendi demokratik duke u lënë hapësirë organizimi politik në Spanjë edhe republikanëve. Ndërsa në politikën e jashtme ai shpalli parimin e “universalizmit”, vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjithë. Në këtë kohë, dhjetor 1975, u bënë edhe sondazhet e para për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nëpërmjet ambasadës shqiptare në Romë, por Tirana zyrtare mbajti të njëjtin qëndrim refuzues.

Pas tensionimit të marrëdhënieve me Kinën 1978, qeveria komuniste shqiptare nisi të merrte në konsideratë kërkesën e qeverisë spanjolle për vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Sipas Tiranës zyrtare, arsyet ishin të ndryshme, që nga qëndrimet e reja të Spanjës e deri tek fakti që të mbetur pa aleatë ideologjikë potencial, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Spanjën do të lehtësonte kontaktet me Partine Komuniste të Spanjës, një mbështetëse e palëkundur e PPSH, e nga këtu me të gjithë grupet e majta në Amerikën Latine. Për qeverinë e asaj kohe, arsye tjetër nxitëse ishte edhe fakti që në atë vit qeveria spanjolle nuk pranoi të strehonte më në Spanjë familjen e ish-mbretit Zog. Nga ana tjetër Kushtetuta e re spanjolle e vitit 1978 bëri “kompromisin historik“ për forcat politike spanjolle, pas të cilit u zbut klima politike në vend nëpërmjet koalicioneve qeverisëse, me qendër të djathtë ose të majtë.

Procesi i afrimit do të fillonte me mbështetjen e propozimeve të kompanive tregtare spanjolle për të hyrë në marrëdhënie tregtare me Shqipërinë, që më parë ishin refuzuar. Për këtë qëndrim të ri u udhëzuan të gjitha përfaqësitë diplomatike shqiptare që të hynin në kontakt me subjekte e diplomatë spanjollë. Kjo mendohej se do të nxiste interesat reciproke për vendosje të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Në fund të vitit 1978 u krijua edhe shoqata e miqësisë Spanjë-Shqipëri, kryesisht me anëtarë të PK spanjolle, por që nuk u legalizua nga qeveria spanjolle për sa kohë nuk kishte marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve.

Nga refuzuese, qeveria shqiptare u kthye në nxitëse të kërkesës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Përfaqësitë diplomatike shqiptare u udhëzuan që në çdo takim që do të kishin me diplomatët spanjollë të testohej gatishmëria e qeverisë spanjolle për vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Nga këta të fundit po bëhej përherë e më e qartë se ekzistonte në parim vullneti i mirë i qeverisë, por Spanja në kushtet e marrëdhënieve mjaft të mira me vendet arabe nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ndaj forca te caktuara politike në koalicion, nën presionin e komunitetit hebre ne vend, nuk pranonin që të vendoseshin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë (një vend që nuk kishte gjithashtu marrëdhënie diplomatike me Izraelin), pa i vendosur ato më parë me Izraelin. Kjo kishte penguar konkretizimin e vullnetit të mirë politik.

Qeveria shqiptare vazhdoi të nxiste marrëdhëniet tregtare dhe ardhjen e turistëve spanjollë në Shqipëri. U shtuan ftesat ndaj diplomatëve spanjollë për pjesëmarrje në festat kombëtare. Në shkurt 1980, një grup i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme vizitoi Spanjën dhe zhvilloi takime me autoritetet spanjolle. Në nëntor të atij viti Shqipërinë e vizituan një grup i afaristëve spanjollë që u pritën nga Zëvendësministri i Tregtisë se Jashtme.

Në 1983 formohet qeveria e koalicionit me qendër të majtë e kryeministrit Gonzales. Tani në qarqet diplomatike flitej se Komuniteti Ekonomik Evropian (kryesisht Finlanda) kishte kushtëzuar pranimin e Spanjës në këtë Komunitet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Kjo u realizua vetëm në fund të vitit 1985. Tani ishte e hapur rruga për t’ju rikthyer procesit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

U ngarkua ambasada spanjolle në Beograd për të ndjekur çështjen e rivendosjes se marrëdhënieve me Shqipërinë. Propozimi nga pala spanjolle u bë zyrtarisht nga ambasadori spanjoll në Beograd në mars 1986. Më pas edhe nga ai në Pragë e në Budapest. Pala shqiptare dëshironte që kjo çështje të negociohej e të mbyllej në ambasadat respektive në Paris dhe propozoi edhe tekstin e komunikatës së përbashkët për këtë rast. Tashmë Spanja ishte anëtare e Komunitetit Ekonomik Evropian (TPE).

Në 4 gusht të këtij viti, pala spanjolle propozoi që vendosja e marrëdhënieve diplomatike si dëshirë e përbashkët e dy vendeve, të bëhej me shkëmbim notash e jo me komunikatë të përbashkët, para 15 shtatorit 1986 kur fillonte punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB. Teksti i notës së palës spanjolle propozohej të ishte “Qeveria e mbretërisë së Spanjës duke dëshiruar të aplikojë konceptin e universialitetit në marrëdhëniet diplomatike, vendosi të lidhë këto marrëdhënie me RPSSH.” Pala shqiptare ra dakord më 18 gusht mesa propozohej me të njëjtat konsiderata. Ishte përsëri qeveria spanjolle që kërkoi procedura më të thjeshta, duke përcaktuar datën 12 shtator, orën 12.00 kohën kur në ambasadën spanjolle në Paris dy ambasadorët do të ngrinin dollitë për të përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Tekstet e propozuara për notat diplomatike tani do të shërbenin si tekst për komunikatat publike që dy qeveritë do bënin për agjencitë e tyre telegrafike shtetërore dhe mediat e huaja. Shqipëria do mbulohej nga ambasada spanjolle në Beograd, siç kishin bërë shumë vende të tjera perëndimore, ndërsa Spanja do mbulohej nga ambasada shqiptare në Paris.

2 dhjetor 1986, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Beograd, Luis Cuervo paraqiti kredencialet në Tirane, ndërsa më 9 prill 1987 ambasadori i Shqipërisë në Paris, Maxhun Peka, paraqiti kredencialet e tij në Madrid.

Spanja 1

Spanja 2

Spanja 3