Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, 28 korrik 1922
Përpjekjet e qeverisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, proces që u finalizua me 28 korrik 1922 shënoi një moment kulmor për diplomacinë shqiptare të kohës.
Pas vendimit të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve , i cili rinjohu statusin juridik të shtetit shqiptar, si shtet i pavarur e sovran, dhe kufijtë politikë të tij të përcaktuar në Konferencën e Ambasadorëve 1913, u hap drita jeshile për njohjen e qeverisë së re shqiptare. Më 17 nëntor 1921, Komisionieri (përfaqësuesi jo-zyrtar) i qeverisë shqiptare në Uashington, Konstantin Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922.
Qeveria e SHBA kishte dërguar në Shqipëri përfaqësuesin e saj jo-zyrtar, Maxwell Black, me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së parë të qeverisë shqiptare për njohje. Black, kreu disa takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare si dhe ndoqi zhvillimet politike në vend. Më 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA.
Këto marrëdhënie u ndërprenë me pushtimin e Shqipërisë në 7 prill 1939 dhe fillimin më pas të Luftës së Dytë Botërore, për tu rivendosur në mars 1991.