Ministry for Europe and Foreign Affairs

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën, 20 korrik 1970

Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë në vitin 1948, qeveria zvicerane, pa ndonjë interes konsullor apo strategjik në këtë kohë në Shqipëri, filloi të paraqiste interes për marrëdhënie tregtare, kryesisht tek lëndët e para dhe bimët mjekësore. Ky interes nuk gjeti klimë mbështetëse në Tiranën zyrtare, për sa kohë nuk kishte marrëdhënie diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Me fillimin e përplasjeve të para shqiptaro-sovjetike, Tirana zyrtare fillon të demonstrojë interes në rritje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën. Ndërkohë nga Berna vinin sinjale jo optimiste për vendosjen e tyre, por mbetej ftesa për marrëdhënie tregtare me Shqipërinë. Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS dhe daljen nga blloku komunist, Tirana zyrtare i drejtohet zyrtarisht palës zvicerane për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në një takim të dy titullarëve të përfaqësive diplomatike në Paris, nëntor 1961. Zvicra neutrale nguron për të hedhur këtë hap. Shqipëria ishte akoma anëtare e Traktatit të Varshavës . Berna kërkon kohë për vendimmarrje, por këmbëngul në rritjen e interesit tregtar të Zvicrës në Shqipëri.

Nën këtë presion, Tirana zyrtare ndryshon qëndrim. U ra dakord që marrëdhëniet diplomatike të parapriheshin nga zhvillimi i shkëmbimeve tregtare, ku disa nga mineralet shqiptare do shkëmbeheshin me produkte të përpunuara.

Në vitin 1968, pas ngjarjeve në Çekosllovaki, Shqipëria del nga Traktati i Varshavës. Diplomatet zviceranë e përshëndetën këtë akt duke e konsideruar “..një pavarësi e plotë e Shqipërisë”. Në qershor 1969, ambasadori zviceran i akredituar e rezident në Beograd, Hans Keller, viziton Shqipërinë dhe bisedon me krerët e shtetit për teknikalitetet e shpalljes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Pas kryerjes së procedurave të miratimit në Asamblenë Kombëtare të Konfederatës, më 20 korrik 1970 me një komunikatë të përbashkët të shpallur publikisht në të njëjtën kohë me dy kryeqytetet. Zvicra do e mbulonte diplomatikisht Shqipërinë nga Beogradi, ndërsa Shqipëria do e mbulonte Zvicrën nga Roma. Hans Keller dhe Ksenofon Nushi, ishin dy përfaqësuesit e parë diplomatikë të akredituar, por jo rezidentë, në dy vendet respektive.

Në kushtet e mosbesimit që karakterizonte marrëdhëniet ndërkombëtare Lindje-Perëndim gjatë Luftës së Ftohtë, Keller dhe pasardhësit e tij të akredituar në Shqipëri në takimet me autoritetet shqiptare të kohës mbështesnin tezën se “..regjimet e ndryshme shoqërore nuk pengonin zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, si dhe gjetjen e fushave të reja të bashkëpunimit me interes reciprok ekonomik e shoqëror”.

Pas vdekjes se Hoxhës në vitin 1985, në kushtet e pasojave të rënda ekonomike që kishte dhënë vetë izolimi politik e nevojës për një hapje të kontrolluar, qeveria shqiptare intensifikoi marrëdhëniet politike me Zvicrën që të nxiteshin marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve. Zvicra e mirëpriti këtë zhvillim të ri, madje e mbështeti në kuadër të dilemave që kishte Perëndimi për rikthim e Shqipërisë tek sovjetikët për arsye ekonomike.

Pas zgjedhjeve të para pluraliste, mars 1991, krijimit të Qeverisë pluraliste të Stabilitetit, qershor 1991, pranimit të Shqipërisë në KSBE dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me TPE në 19-20 qershor 1991, qeveria zvicerane filloi interesimin për gjetjen e ambienteve në Tiranë për përfaqësinë e saj diplomatike.

Në vitin 1992 hapen përfaqësitë diplomatike të dy vendeve në Bernë e Tiranë.