Ministry for Europe and Foreign Affairs

Sot mbushen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Ukrainës, 12 janar 1993.

Një nga hapat e parë drejt pavarësisë së Ukrainës nga BRSS, i krijuar në 1922, ishte miratimi nga parlamenti ukrainas, Verkhovna Rada, i Deklaratës së Sovranitetit Shtetëror të Ukrainës, më 16 korrik 1990. Edhe pse Deklarata nuk do të shpallte pavarësinë e Ukrainës, ajo e përcaktonte atë si një shtet-komb sovran, sovraniteti i të cilit shtrihej në të gjithë territorin e vendit dhe në të gjitha sferat e shoqërisë ukrainase. Pavarësisht se Ukraina mbeti pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, nëpërmjet Deklaratës së Sovranitetit të Shtetit do të demonstrohej vullneti i popullit ukrainas për pavarësi. Po ashtu, do të ishte shtysa për fillimin e proceseve, të cilat përfunduan më 24 gusht 1991, datë kur Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës do të miratonte Aktin e Pavarësisë së Ukrainës. Pas 1 dhjetorit 1991, filloi procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri. Vendi i parë që e njohu Ukrainën si të pavarur ishte Polonia, duke vendosur marrëdhënie diplomatike më 2 dhjetor të po këtij viti. Gjatë dymbëdhjetë muajve të parë të ekzistencës si shtet sovran, pavarësia e Ukrainës u njoh nga më shumë se 130 shtete. Mes këtyre shteteve qëndronte edhe Shqipëria.

Burimet tona arkivore diplomatike na çojnë në vitin 1990. Në tetor 1990, në pritjen e ambasadorit të Spanjës në OKB, përfaqësuesi i Ukrainës , pjesë e tre përfaqësuesve të BRSS në OKB (Rusia+2 republika të tjera), ambasadori Genadi Ugodengo, takoi ambasadorin shqiptar pranë OKB dhe e përgëzoi për rivendosjen (normalizimin) e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë e BRSS në korrik 1990. Ai shprehu simpatinë e Ukrainës për Shqipërinë e shqiptarët dhe deklaroi se përfaqësuesit e Ukrainës kishin mbështetur kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në KSBE (sot OSBE) dhe në proceset e reja evropiane.

Pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës në 24 gusht 1991 dhe fillimit të procesit të njohjes së saj ndërkombëtare, qeveria shqiptare miratoi më 4 janar 1992 Deklaratën për njohjen e shtetit të pavarur ukrainas dhe gatishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Kjo Deklaratë i ‘u dorëzua Përfaqësuesit të Përhershëm të Ukrainës në Moskë, Fjorodov Vladimir më 13 janar 1992, i cili shprehu mirënjohjen e qeverisë ukrainase për këtë qëndrim të shtetit shqiptar. Ndërkohë që në Shqipëri po zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare dhe filloi punën qeveria e re demokratike, pala ukrainase qëndroi në pritje të zhvillimeve të brendshme dhe nuk avancoi me procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në korrik 1992, ambasadori shqiptar në Moskë takoi në një pritje Këshilltarin e Ambasadës së Ukrainës në Moskë dhe i kërkoi një konfirmim të palës ukrainase për gatishmërinë e palës shqiptare për vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Përfaqësuesi i Ukrainës u shpreh se në praktikën e shtetit të tij ata preferonin një dokument që i drejtohej direkt qeverisë së Ukrainës ku të shprehej dëshira e qeverisë shqiptare dhe jo një Deklaratë.

Në 10 dhjetor 1992, MPJ shqiptar, në kuadër të BEDZ, takoi Zv.Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe u ra dakord që për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të komunikohej nëpërmjet misioneve përkatëse diplomatike në New York dhe jo atyre në Moskë.

Qeveria shqiptare propozoi më 29 dhjetor 1992 që pala ukrainase të përgatiste e të përcillte projektin e komunikatës së përbashkët lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë e Ukrainës, gjë që kjo e fundit mori përsipër ta dorëzonte më 7-8 janar 1993. Ndërkohë, më 5 janar 1993 MPJ i përcolli Misionit Shqiptar në New York komunikatën e qeverisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe i kërkoi atij (Misionit) që të merrte kontakt me Misionin e Ukrainës dhe ti paraqisnin atyre këtë komunikatë. Në rast dakordësie ajo do të nënshkruhej nga dy titullarët e Misioneve dhe shpallja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhej më 12 janar 1993. Të dy vendet do e shpallnin në shtyp dhe mjete të tjera të informimit këtë njoftim më 12 janar 1993 duke e mbyllur zyrtarisht këtë proces.

 

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Ukrainës, 12 janar 1993