50 vite nga rivendosja e marrëdhënieve me Belgjikën
Sot mbushen 50 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Belgjikës, 13 nëntor 1970. Marrëdhëniet diplomatike ishin vendosur para luftës së dytë botërore, por qeveria komuniste që erdhi në pushtet pas saj nuk njohu asnjë nga marrëdhëniet diplomatike të vendosura më parë.
Mbas pranimit të Shqipërisë në OKB, dhjetor 1955, filluan shfaqjet e para të interesit tregtar e turistik të subjekteve belge për Shqipërinë. Gjatë vitit 1962 në Shqipëri hynë disa turistë belge, edhe pse midis dy vendeve nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Në vitin 1964 nën nxitjen e qeverisë shqiptare, ambasada shqiptare në Paris kontribuoi për të krijuar shoqatën Belgjikë-Shqipëri, e drejtuar nga avokati Pier Model, pjesëmarrës në luftën e dytë botërore, mik i ambasadës. Synimi ishte që kjo shoqatë të influenconte në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare midis Belgjikës dhe Shqipërisë. Kësaj shoqate i ishin bërë të njohura nga Tirana zyrtare lista e produkteve industriale, bujqësore e ushqimore që mund të eksportonte Shqipëria në Belgjikë si dhe nevojat e saj për importet belge. Qeveria shqiptare shpeshherë financonte aktivitetin e saj me synimin për të arritur pritshmëritë.
Nga udhëheqja shqiptare pritej sinjali i parë nga qeveria belge për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Ky sinjal erdhi në vitin 1965 në një takim të ambasadorit shqiptar në Algjer me homologun e tij belg. Diplomati belg u shpreh se ekzistonte dëshira e qeverisë belge për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, si një vend me të cilin nuk trashëgoheshin probleme nga historia. Madje, ishte propozuar që Shqipëria të mbulohej nga ambasada belge në Beograd, por kjo ide nuk ishte pëlqyer nga jugosllavët dhe çështja ishte shtyrë për më vonë. E njëjta bisedë u zhvillua edhe mes përfaqësuesve diplomatike të të dy vendeve pranë OKB në New York, 1969.
Në vitin 1970 Shqipëria, e ndodhur vetëm në mbështetjen ekonomike kineze, filloi të stabilizonte marrëdhëniet me vendet evropiane. Në këtë vit ajo (ri)vendosi marrëdhënie diplomatike me Danimarkën, Suedinë, Zvicrën. Kjo nxiti Belgjikën e Holandën për të avancuar në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë socialiste të asaj kohe.
Propozimi zyrtar belg për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike erdhi në 10 shtator 1970 nëpërmjet ambasadorit belg në Bukuresht. Ai i komunikoi homologut të tij shqiptar, se ishte i autorizuar nga qeveria belge të bënte propozimin dhe të kërkonte mendimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ai propozoi që ambasadat të mos hapeshin në Bruksel e Tiranë pasi do kushtonte shumë, por marrëdhëniet të mbuloheshin nga vende të afërta ku qeveritë respektive e shihnin të arsyeshme. Qeveria shqiptare u përgjigj në 6 tetor 1970 po nëpërmjet ambasadorit të saj në Bukuresht se ishin dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e kjo të ndodhte nëpërmjet një deklarate të përbashkët të dy qeverive dhe botimit të saj të njëkohshëm në shtypin zyrtar të dy vendeve. Propozimi u pranua nga pala belge dhe Shqipëria ishte vendi i parë socialist me të cilin ajo po vendoste marrëdhënie diplomatike, proces që do ta vazhdonte edhe me të tjerët.
U caktua data 13 nëntor për botimin e deklaratës, kohë e mjaftueshme për palën belge për të marrë miratimin e parlamentit belg si dhe të Holandës e Luksemburgut (anëtare të Beneluks). Belgjika do e mbulonte Shqipërinë nga Beogradi. Pala belge shprehu se ishte konsultuar edhe me Pekinin zyrtar për këtë akt, duke nënkuptuar marrëdhëniet e ngushta të Kinës me Shqipërinë e asaj kohe. Shqipëria do e mbulonte Belgjikën nga Franca. Letrat kredenciale u dorëzuan tek Mbreti Boduer në 1972 nga ambasadori ynë në Paris, Javer Malo.
Shqipëria do e mbulonte Belgjikën nga Parisi deri në qershor 1991, kur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me TPE (20.6.1991), misioni shqiptar pranë TPE do mbulonte edhe marrëdhëniet dypalëshe me Belgjikën.