Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Estoninë, 17 janar 1992
Pas grushtit të shtetit në BRSS, në 19 gusht 1991, për të larguar Gorbaçov nga pushteti e bashkë me të edhe propozimin e tij për të rivendosur pavarësinë e Estonisë në bisedime dypalëshe me BRSS, më 20 gusht 1991 Këshilli Suprem i Republikës së Estonisë duke konsideruar parimin e vetëvendosjes si dhe vazhdimësinë e Republikës së Estonisë si subjekt i të drejtës ndërkombëtare para se ajo të aneksohej nga BRSS në vitin 1940, vendosi të afirmonte pavarësinë kombëtare të Republikës së Estonisë nga BRSS dhe u kërkoi shteteve të tjera të njihnin pavarësinë dhe të vendosnin ose rivendosnin marrëdhënie diplomatike me të. Lituania dhe Letonia kishin bërë deklaratën e pavarësisë më parë, konkretisht në 11 mars 1990 dhe 4 maj 1990.
Nëpërmjet ambasadës shqiptare në Stokholm, kërkesa për njohje nga MPJ i Estonisë e datës 21 gusht 1991 i erdhi edhe qeverisë pluraliste shqiptare në 26 gusht 1991. Duke ndjekur proceset demokratike në BRSS, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë me anë të një deklarate publike njohu pavarësinë e republikave të Baltikut më 27 gusht 1991, duke qenë një ndër 20 vendet e para që ndërmori këtë hap.
Disa vende që nuk e kishin njohur asnjëherë aneksimin sovjetik të republikave baltike në 1940, nuk ndërmorën hapin e njohjes së pavarësisë së tyre, por rivendosen direkt marrëdhëniet diplomatike, siç ishin SHBA, RFGJ, Norvegjia etj. Më 10 shtator tre republikat u pranuan me konsensus si anëtare të KSBE-së. Ndërkohë më 18 shtator, Këshilli i Evropës u dha republikave të Baltikut statusin e posaçëm të “të ftuarit” në mbledhjen e tij parlamentare në njohje të pavarësisë së tyre të porsa fituar, si prelud për një anëtarësi të tyre të mundshme të plotë. Në tetor 1991 ato ishin shtete anëtare në OKB.
Ky nuk ishte rasti i Shqipërisë, pasi qeveria komuniste që erdhi në pushtet në vitin 1944 kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me BRSS ku bënin pjesë edhe republikat baltike të aneksuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për sa kohë këto republika kishin dalë si subjekt më vehte në marrëdhëniet ndërkombëtare, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me to ishte një proces i natyrshëm që ndiqte njohjen zyrtare të pavarësisë së tyre. Meqenëse një vit më parë, korrik 1990, qeveria shqiptare kishte normalizuar marrëdhëniet me BRSS, ajo nuk u ngut në hapat e ndërmarra. Më 17 shtator 1991 ajo u kërkoi përfaqësive tona jashtë, qëndrimin e shteteve ku ishin akredituar në raport me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me republikat baltike. Nisur nga fakti që vinin shifra në rritje të shteteve që po vendosnin marrëdhënie diplomatike me këto republika, e nga ana tjetër fakti që ato po forconin me shpejtësi pozitat e tyre në forumet ndërkombëtare si shtete evropiane, diplomacia shqiptare i rekomandonte qeverisë shqiptare se: vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete ishte mundësi e mirë bashkëpunimi me to në këto forume, si dhe do ndikonte në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë si një shtet që respektonte parimet demokratike e të drejtën e popujve për vetëvendosje. Këtë tendencë e përforcoi edhe deklarata zyrtare e përfaqësuesit të Estonisë për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, De Kuelar, më 8 tetor 1991, që: “Estonia nuk e konsideronte veten pjese e trashëgimisë së traktateve dy apo shumëpalëshe të nënshkruara nga ish-BRSS, por po shikonte mundësinë të hynte vetë si palë në traktatet ndërkombëtare”.
Nëpërmjet ambasadës shqiptare në Stokholm, më 7 janar 1992 qeveria shqiptare i dorëzoi përfaqësuesve diplomatikë të tre republikave baltike notën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 17 janar 1992 ambasada e Republikës së Estonisë në Stokholm dorëzoi një notë në ambasadën shqiptare atje, në përgjigje të notës së 7 janarit të qeverisë shqiptare. Në notën estoneze thuhej se: “Qeveria e Republikës së Estonisë ishte plotësisht dakord me tekstin e notës shqiptare dhe se marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve vendoseshin automatikisht me marrjen në dorëzim të kësaj note nga ana e palës shqiptare”, 17 janar 1992.