Ministry for Europe and Foreign Affairs

50 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Holandës.

50 vite më parë, 18 nëntor 1970, u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Holandës. Në një datë të tillë vlen të bëjmë një retrospektivë të ngjarjes, për të kuptuar sesi u arrit të finalizohet ky proces diplomatik i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Të dhënat e para për shprehje interesi nga ana e subjekteve holandeze, kryesisht interesin e tyre për shkëmbimet tregtare, për lëndën e parë shqiptare e ofrimin e produkteve të përpunuara holandeze, i ndeshim në vitin 1958, pra pas pranimit të Shqipërisë në OKB, dhjetor 1955. Komunikimet me subjektet private holandeze bëhen nëpërmjet Legatës shqiptare në Paris. Në vitin 1961 një shoqëri private turistike holandeze paraqet interes për sjellje të turistëve në Shqipëri, propozim që u miratua nga qeveria shqiptare në kushtet e prishjes së marrëdhënieve me BRSS e uljen e nivelit të tyre me vendet e bllokut lindor. Në vitin 1962, kur qeveria shqiptare filloi një periudhë miqësie të re, atë me Kinën komuniste, një shoqëri ajrore holandeze, KLM, i propozoi qeverisë shqiptare ti jepej mundësia të organizonte linjën ajrore midis Tiranës e Pekinit e më pas edhe me destinacione të tjera, si dhe të organizonte nga ana e saj udhëtime turistike për në Shqipëri. Realizimi i kësaj kërkese pengohej nga mungesa e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Propozimi i parë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve erdhi nga pala shqiptare. Në 4 janar 1962, në legatën tonë në Paris, pothuajse në të njëjtën kohë me propozimin që ju bë Zvicrës, titullari i saj Dhimitër Lamani i propozoi ambasadorit holandez në emër të qeverisë shqiptare vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, meqenëse midis dy vendeve nuk kishte pasur kurrë mosmarrëveshje dhe se kishte interes tregtar në rritje. Në 23 shkurt 1962, qeveria holandeze, refuzoi propozimin e qeverise shqiptare me argumentin se ajo nuk shihte mundësi marrëdhëniesh tregtare midis dy vendeve, nuk kishte buxhet të mjaftueshëm e personel për të mbuluar këtë marrëdhënie të re diplomatike, por edhe me faktin se sipas të dhënave që kishin nga legata italiane dhe ajo franceze në Tiranë, në Shqipëri mungonin kushtet dhe ishte e vështirë të kryhej veprimtari normale diplomatike, duke nënkuptuar se përfaqësitë e vendeve perëndimore nuk ishin krejt të lira të ushtronin aktivitetin e tyre diplomatik në Shqipëri. Argumentet nuk u pritën mirë nga pala shqiptare dhe procesi mbeti pa vazhdim. Pranë MPJ holandeze ndërhyri disa herë në vitet në vijim edhe kompania ajrore KLM, që të nxiste vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e interesuar në Shqipëri si destinacion pune.

Ndërkohë Shqipëria vazhdonte të ishte anëtare e një blloku politiko-ushtarak siç ishte Traktati i Varshavës që nga themelimi i tij në 14 maj 1955, gjë që nuk shihej mirë nga Haga. Në vitin 1967, kur Bashkimi Sovjetik po ndërhynte me të gjitha mënyrat në vendet e Evropës Lindore (Hungari, Çekosllovaki, Rumani) për të penguar reformat e pjesshme që qeveritë komuniste të këtyre vendeve po ndërmerrnin për t’u shkëputur nga modeli sovjetik, ambasadori holandez në Vjenë në një takim njohjeje me ambasadorin shqiptar atje do shprehej “lëvizjet e shumta të qeveritarëve sovjetikë në Evropë kanë për qëllim realizimin e politikës së tyre të sigurimit evropian pa SHBA dhe për izolimin e RFGJ”. Kjo politikë, sovjetikëve u duhet për të patur krahët e lirë në Azi, ku është objektivi i dytë i politikës së tyre. Ministri jonë i Jashtëm së shpejti do të shkojë në Rumani, ku do të bisedohet përveç çështjeve ekonomike e kulturore, edhe problemet politike, sidomos sigurimi evropian. Holanda tani për tani është për bashkim ekonomik të Evropës, ndërsa bashkimin politik ashtu siç e kërkon De Goli e shikon si një gjë të parealizueshme tani. Është për këtë arsye që Holanda kërkon bashkimin e tregut të lirë me tregun e përbashkët…”. Pas ndërhyrjes ushtarake të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, Shqipëria doli nga ky pakt ushtarak në shtator 1968.

Pak ditë pasi qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së qeverisë belge për vendosje të marrëdhënieve diplomatike, më 13 tetor 1970 ambasadori holandez në Beograd i paraqiti ambasadorit shqiptar atje propozimin e qeverisë holandeze për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në rang ambasadash, dhe ai të ishte ambasador i akredituar edhe në Tiranë. Ai propozoi që vendosja e marrëdhënieve të behej me një komunikatë të përbashkët publike mbi këtë ngjarje, në të njëjtën kohë në dy kryeqytetet sipas formulës klasike për këto çështje. Propozimi u pranua menjëherë nga qeveria shqiptare. Shqipëria do e mbulonte Holandën nga Parisi. Pas argumenteve të paraqitura 8 vite më parë nga pala holandeze për të refuzuar propozimin e qeverisë shqiptare, tani ambasadori holandez parashtroi arsyet që e shtynë qeverinë holandeze për këtë propozim të ri. Diplomatikisht ai u shpreh se “..ishte bindja e qeverisë holandeze se ky hap do i shërbente forcimit të miqësisë midis dy popujve e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare, si dhe marrëdhënieve në fushën e kulturës dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët”. Diplomati holandez e përfundoi ligjëratën e tij me deklaratën “ne kemi respekt dhe admirojmë përpjekjet e Shqipërisë për të qenë e pavarur” duke nënkuptuar daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, një fakt i rëndësishëm për gjeopolitikën e kohës. Holandezët dorëzuan po në këtë takim edhe projekt-komunikatën e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike që të miratohej nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, nga takimet informale, diplomatët tanë njoftonin se Holanda priste vendosjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Zvicrën dhe Danimarkën po atë vit që të avanconte pas Belgjikës në këtë proces. Projekt-komunikata për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve u miratua nga qeveria shqiptare dhe u ra dakord që ajo të bëhej njëkohësisht publike më 18 nëntor 1970.

Shqipëria e mbuloi Holandën nga ambasada shqiptare në Paris deri në fillim të vitit 1997, kur mori detyrën ambasadori i parë që përfaqësoi Shqipërinë në Hagë, z. Ruhi Hado.

Komunikatë

Projekt Komunikatë