Ministry for Europe and Foreign Affairs

Znj. Nënkryetare,

Të nderuar deputetë,

Jam këtu sot për të prezantuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes nderqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze mbi kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri, e cila u nënshkrua në Kuadër të vizitës në Paris të Kryeministrit Rama, dhe takimit me Presidentin Macron në 12 Prill 2024.

Që në krye të herës, do doja të nënvizoja mënyrën e proceseve demokratike dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike dhe Evropiane. Me Francën, këtë vend motor të zhvillimeve në kontinent, një deklaratë të partneritetit strategjik të finalizuar në Mars të vitit 2017 e që me hyrjen në fuqi të saj, ky dokument politik ka shërbyer si bazë solide për fuqizimin dhe intensifikimin e raporteve tona dypalëshe.

Qeveria Shqiptare mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejshëm në këtë drejtim, duke konsoliduar dhe diversifikuar shkëmbimet, sidomos në fushën ekonomike. Në thelb, marrëveshja që po diskutojmë sot është një tregues i qartë i konkretizimit të përpjekjeve tona për të zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet në këtë fushl me peshë.

Synimi kryesor në marrëveshje, është krijimi i një kuadri të qartë të bashkëpunimit në zbatimin e projekteve strategjike parësore në Shqipëri duke përfshirë sektore të tilla si infrastruktura, menaxhimi i ujit, mjedisi, inovacioni, dixhitalizimi, energjia, turizmi, aktivizimi i administratës publike, transporti, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.

Institucionet operative publike dhe private të të dy vendeve do të angazhohen në mënyrë aktive për të mbështetur projektet zhvillimore dhe investimet e përbashkëta. Institucionet, operatorët publikë dhe privatë të të dy vendeve do të angazhohen në mënyrë aktive për të mbështetur projekte zhvillimore dhe investime të përbashkëta. Implementimi i këtyre projekteve do të stimulojë rritjen ekonomike në Shqipëri, duke përmirësuar infrastrukturën, tërhequr investime dhe duke rritur produktivitetin në sektorët kyç.

Bashkëpunimi synon gjithashtu rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe fuqisë punëtore shqiptare, duke mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe forcimin institucional. Bashkëpunimi i nisur me këto marrëveshje përputhet me aspiratat tona për angazhim në Bashkimin Evropian, duke përparuar në arritjen e standardeve për politikat komunitare dhe duke avancuar procesin tonë të integrimit të Shqipërisë.

Marrëveshja dhe aneksi i saj parashikojnë ngritjen e një Komisioni të Përbashkët, që do të identifikojë mundësitë për projekte të reja, do të vlerësojë progresin dhe zbatimin e projekteve të përfshira dhe do t’i raportojë palëve.

Në fushën e inovacionit, një Këshill Inovacioni Francë-Shqipëri do të propozojë veprime për avancimin e objektivave të përcaktuara të marrëveshjes, siç parashikohet në aneksin e dytë.

Përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë administratat kompetente për fushat e identifikuara: Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Zonja Nënkryetare e nderuar,

Të nderuar deputetë,

Duke ju falënderuar për vëmendjen, mbetem pjesëmarrës për mbështetjen tuaj për miratimin e këtij ligji, që do të hapë rrugën për ratifikimin dhe më tej zbatimin e marrëveshjes në fjalë.