Ministry for Europe and Foreign Affairs

Balla: Zonja Xhaçka, Mirëmbrëma. Faleminderit që jeni sonte me ne.

Xhaçka: Faleminderit. Për mua është kënaqësi!

Balla: Është në fakt një sallë simbolike. Sigurisht shumë veta e kujtojnë për momente të caktuara. Është fjalimi i Fidel Kastros, fjalimi i famshëm i Nikita Hrushovit (me këpucën që rreh mbi podium. Por për Shqipërinë, kjo sallë ka dy momente historike. Një në vitet 50’, atëherë kur Republika Popullore e Shqipërisë, paraqiti projekt rezolutën për anëtarësimin e Kinës, e cila më pas u bë anëtarë e Këshillit të Sigurimit. Dhe sigurisht momenti i pak javëve më parë, ku po me nismën e RSH-së, bashkë me SHBA, kjo Asamble miratoi një rezolutë, e cila u hodh poshtë nga Këshilli i Sigurimit, Çfarë domethënie ka kjo, për ju si Ministre e Jashtme e Shqipërisë?

Xhaçka: Pa diskutim që ka një domethënie historike, siç e përmendët edhe ju, sepse kjo sallë ka parë shumë gjatë këtyre viteve, por duke pasur parasysh që ne kemi qenë anëtarë të OKB-së për 65 vjet dhe më në fund pas 65 viteve, bëhemi pjesë e tryezës më të lartë politike vendimmarrëse siç është ajo e Këshillit të Sigurimit, pa diskutim, që kjo i jep një rëndësi, goxha më të madhe edhe një domethënie historike këtij momenti ku ndodhemi sot. Patjetër për të lënë gjurmën tonë, për të bërë ndikimin tonë por edhe për ti dhënë peshë fjalës tonë. Jo se nuk e ka pasur. Edhe gjatë këtyre momenteve që juve përmendët, por që do ta ketë gjithnjë edhe më shumë, gjatë kohës që do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit por edhe më pas, duke lënë një gjurmë shumë pozitive që tregon në fakt kredibilitetin e politikës tonë të jashtme, që tregon konstruktivitetin e politikës tonë të jashtme dhe tregon patjetër edhe besueshmërinë e shërbimit tonë diplomatik. Dhe për këtë jemi duke punuar shumë fort, që kjo gjurmë që do të lëmë përmes shërbimit tonë në Këshillin e Sigurimit, të jetë e tillë që do të na ndihmojë më vonë të përmbushim edhe ato që janë objektivat afatgjatë të politikës sonë të jashtme.

Balla: Këtë doja t’ju pyesja. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo performancë e Shqipërisë? Pak minuta më parë po bisedoja me Ambasadorin e SHBA, Charles Mills, këtu në Kombet e Bashkuara. Çfarë gjurme mund të lerë një vend i vogël si Shqipëria në një arenë kaq të madhe të politikës botërore dhe a mendoni që këtu mund të ketë një impakt pozitiv edhe në procese që janë ngadalësuar deri diku, jo vetëm për fajin tonë, si procesi i integrimit të Shqipërisë në BE?

Xhaçka: Siç ju thashë, ka një impakt shumë pozitiv në rritjen e profilit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, të kredibilitetit të politikës së saj të jashtme dhe shërbimit të saj diplomatik, por na jep mundësinë të dëgjohemi dhe të ndikojmë ashtu siç nuk e kemi bërë në këto 65 vite të anëtarësisë tonë në OKB. Kini parasysh që Shqipëria u votua me një shumicë shumë domethënëse, me 175 vota këtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe doli si një kandidaturë e pa kontestuar e grupit të Evropës Lindore që është një grup goxha i madh, që e ka shumë të pazakontë të nxjerrë kandidatura të pa kontestuara!

Balla: Ka rëndësi edhe që një pjesë e madhe e tyre, janë anëtarë të BE?!

Xhaçka: Pa diskutim por në këtë grup bëjnë pjesë edhe vende si Rusia, vende si Bjellorusia, si Azerbajxhani apo Armenia. Po themi që mund të kenë problematika të ndryshme dhe interesa të ndryshme dhe influenca të ndryshme. Duke qenë se kemi ardhur si një kandidaturë e pa kontestuar do të thotë që, gëzojmë respekt edhe vlerësim për rolin që ne…rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur si faktor stabiliteti pikë së pari në rajonin tonë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, po pastaj edhe në politikat më të gjera globale me gjithë sa kemi bërë gjatë këtyre viteve, duke u përfshirë në misione dhe operacione. Si të OKB-së si të NATO-s, si të Bashkimit Evropian dhe pa diskutim mundësia për të qenë sot në Këshillin e Sigurimit na jep më shumë zë, na jep më shumë rëndësi, na jep më shumë peshë. Na krijon mundësinë të rrisim profilin tonë, na ndihmon të zgjerojmë marrëdhëniet edhe lidhjet që nuk i kemi pasur për arsye të ndryshme, qoftë gjeografike, qoftë kufizimeve të shërbimit tonë diplomatik në vende dhe në organizata, bashkëpunimi me të cikat thellohet gjatë Këshillit të Sigurimit dhe do të vazhdojë më tutje, do ta ndihmojë përmbushjen e objektivave afatgjata të politikës së jashtme të Shqipërisë. Kështu që, në këtë kuptim vërtet na jep peshë dhe vërtet na ndihmon që të jemi ashtu siç kemi qenë konstruktiv, por gjithnjë edhe më tepër me një peshë të posaçme në politikën e jashtme.

Balla: Një faktor tjetër interesant është që në këtë kohë që ne do jemi anëtarë të KS, në vendet jo të përhershme anëtare, nga Evropa është Irlanda dhe ne. Duke lënë mënjanë Francën që është anëtare e përhershme e KS, në një farë mënyre, ne marrim peshë apo vlerësim, që deri diku Evropa heziton të na e japë?!

Xhaçka: Shiko! Ne gjithmonë e kemi pasur politikën tonë të jashtme dhe politikën e sigurisë njëqind për qind të linjëzuar me Evropën dhe ky është një fakt që është shumë i vlerësuar nga Bashkimi Evropian, nga kontinenti evropian në përgjithësi. Pra nga vendet me të cilat ne bashkëveprojmë. Por në këtë kontekst, në Këshillin e Sigurimit duke vazhduar duke punuar ngushtësisht me Bashkimin Evropian dhe për ato që janë temat më të nxehta të ditës, siç është Ukraina, por jo vetëm. Pa diskutim që roli jonë profili jonë rritet, në bashkëpunim me BE rritet, forcohet. Ne nuk do ta kishim pasur kurrë mundësinë që kemi sot, të jemi bashkëpenëmbajtëse me SHBA mbi Ukrainën që është tema më e rëndësishme e diskutimeve të Këshillit të Sigurimit, në shkallë botërore pa asnjë diskutim. Nuk do ta kishim pasur asnjë herë mundësinë të kishim qenë bashkë hartuese të gjitha projekt-rezolutave, projekt-deklaratave, të gjitha materialeve që dalin sot nga Kombet e Bashkuara për të izoluar Rusinë diplomatikisht, për ti dhënë fund luftës, për të mbrojtur civilët në Ukrainë, për të përballuar këtë krizë humanitare që është shkaktuar. Pra, të gjitha këto që Shqipërinë sot e vënë le të themi në një rol protagonisti, nuk do të kishin ndodhur nëse nuk do ta kishim pasur këtë mundësi.

Balla: Zonja Ministre, megjithatë, nga ana tjetër, dikush tjetër mund të thotë që ok, roli i protagonizmit të Shqipërisë është shtuar dhe shumë mirë që është shtuar. Jemi mbështetës të sponsorizuar nga SHBA, që kërkuan që Shqipëria të ishte penëmbajtëse, pra bashkë hartuese për rezolutën për Ukrainën? Por a mund të na kthejë kjo gjithashtu në një target? Tashmë, jemi të zyrtarizuar si një vend jo mik, pothuajse armik nga Rusia. Nëse nesër ajo shpall një luftë të caktuar (se ka dhe rregullat e veta lufta, kuptohet) ndaj gjithë vendeve që sot i kanë dalë përballë, Shqipëria tashmë do të rreshtohej te vendet e para armike, të konsideruara nga Moska. Nuk mendoni që kjo na kthen në një target sulmesh?

Xhaçka: Është e drejtë kjo që thoni. Ne kemi luajtur një rol le të themi të parë. Kemi qenë në pararojë të të gjitha përpjekjeve diplomatike për të izoluar Rusinë. Kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Bashkimin Evropian por jo vetëm. Edhe me NATO-n. Për ta luajtur këtë rol aktiv le të themi, pa diskutim që kjo vjen me rreziqet e veta do të thosha, por kjo është një përgjegjësi që ne e kemi duke qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit duke luajtur një rol parësor si bashkëpenëmbajtës, bashkë hartues i gjithë këtyre rezolutave, por na takon ta luajmë këtë rol edhe si një vend i cili ka qenë gjithmonë demokratik properëndimor, paqedashës në raport me çfarë po ndodh sot, që po cënon jo thjesht sovranitetin apo lirinë e Ukrainës por po cënon gjithë rendin ndërkombëtar dhe arkitekturën e sigurisë së Evropës. Dhe është shumë e rëndësishme që të jemi një front i bashkuar në fakt siç kemi treguar se jemi, bashkë me Evropën dhe me gjithë botën demokratike e cila për shkak të vlerave që përfaqëson edhe respektin ndaj kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, është në këtë front të bashkuar. Na takon edhe ne të luajmë rolin tonë pavarësisht pasojave që mund të kemi nga ky protagonizëm i joni. Vlen të thuhet që jemi vend anëtar i NATO, kështu që siguria jonë kolektive është e garantuar nga aleanca. Prandaj besoj që, te liria nuk ka çmim dhe ky është çmimi që gjithsecili prej nesh duhet të paguajë, për të garantuar lirinë, rendin ndërkombëtar, për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë, Evropës.

Balla: Zonja Ministre, ju ishit pjesëmarrëse dhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut, përpara se të vinit në New York. Këshilli duket se u mblodh, në një moment delikat, ku Suedia por dhe Finlanda , po hedhin hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO. Shqipëria, a ka një pozicion, ndaj kësaj kërkese?

Xhaçka: Pa diskutim. Ne jemi plotësisht mbështetës. Si Finlanda, si Suedia kanë qenë partnerë të aleancës, për një kohë të gjatë. Janë trajnuar bashkë, janë stërvitur bashkë, kanë kapacitete të ndërveprueshme me vendet e tjera të aleancës. Pa diskutim, që kërkesa për tu anëtarësuar është e mirëpritur, siç është e mirëpritur nga të gjitha vendet e aleancës të cilat njësoj si ne, kanë një politikë të dyerve të hapura, për të gjitha ato vende që ndajnë të njëjtat vlera me aleancën dhe jam e bindur që anëtarësimi i tyre, do të kontribuoje në sigurinë kolektive të aleancës. Të gjitha vendet, do të bëjnë më të mirën e tyre, për ta përshpejtuar këtë proces dhe për të bërë të gjitha protokollet e nevojshme që si Finlanda, si Suedia, të bëhen pjesë e aleancës sa më shpejt.

Balla: Kam përshtypjen që ka një afat. Nuk bëhet fjalë për vende që kanë një zhvillim të caktuar, si Shqipëria apo Mali i Zi. Pra, vende që pavarësisht se nuk kanë qenë në NATO, kanë patur një nivel shumë të zhvilluar të ushtrisë, të kapaciteteve ushtarake. Suedia po ndihmon konkretisht Ukrainën. Sigurisht, që këto vende nga pikëpamja historike, ekonomike, janë shumë më përpara se ne. A do të thotë kjo, se periudha e tyre e anëtarësimit, do të jetë shumë më e shkurtër se e jona?

Xhaçka: Pa diskutim, do të jetë shumë më e shkurtër, siç e përmendët dhe ju. Ata kanë qenë kontributorë përgjatë një periudhë shumë të gjatë, në të gjitha operacionet apo misionet e NATO-s. Më kujtohet Afganistani, Libia, Iraku dhe shumë të tjera. Ka pasur, stërvitje të përbashkëta, janë shumë të ndërveprueshëm. Ndaj pranimi i tyre në aleancë, ashtu siç po diskutohet, do të ketë një afat kohe goxha të përshpejtuar. Kjo në fakt, varet shumë edhe nga të gjitha praktikat legjislative, që do të ndjekin vendet anëtare të NATO-s, për të ratifikuar protokollet, në parlamentet e tyre. Dhe të gjitha këto do të duan kohën e tyre. Por, le të themi jemi futur në një garë me njëri tjetrin, kush do ta bëjë më shpejt, që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

Balla: Në fakt, mua më bëri përshtypje pozicionimi i Francës, që është komplet ndryshe nga e shkuara. Edhe në raport me NATO-n. Shumë mbështetës. Franca ka qenë shumë mbështetëse, ndaj kërkesës së Finlandës për anëtarësim. Ju thatë më herët që të gjitha këto vende janë por. Por duket se Turqia, ka mbajtur një pozicion më të rezervuar. Nuk po them refuzues. Por më të tërhequr, përballë një anëtarësimi të shpejtë të Suedisë apo Finlandës në NATO. E kuptoj që në jemi vend i vogël por duke patur parasysh raportet speciale mes Tiranës dhe Ankarasë, mendoni që Tirana zyrtare mund të luajë një rol në këtë drejtim? Nuk po themi për ti mbushur mendjen por le të themi që Turqia të jetë me pro shpejtimit të procesit të anëtarësimit të këtyre vendeve?

Xhaçka: Ka pasur një pozicion rezervues më së shumti kemi parë në media sesa në diskutimet që janë zhvilluar në Berlin por duhet pasur parasysh që edhe Turqia njësoj si në është mbështetëse e politikës së dyerve të hapura për të gjithë ato vende që mund dhe duhet të bëhen pjesë e aleancës dhe i tille në fakt në parim ka qenë qëndrimi edhe për Finlandën dhe Suedinë. Patjetër që, në qoftë se ka problematika të caktuara për tu trajtuar ato të bëhen pjesë e diskutimeve. Dhe jam e bindur që do të konkludohen me shumë sukses. I tillë ka qenë diskutimi edhe në Berlin, shumë konstruktiv edhe mes Turqisë, të gjitha vendeve të tjera për hir të së vërtetës, Finlandës dhe Suedisë. Kështu që besoj se ky proces do të përmbyllet shpejt dhe suksesshëm me pranimin dhe përfshirjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Balla: Zonja Ministre, nuk do të thoni diçka më shumë për 6 objektivat, 6 prioritet në mos gaboj, që ka Shqipëria në Këshillin e Sigurimit?

Xhaçka: Prioritetet në fakt, të Shqipërisë në KS kanë qenë “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, që është prioriteti ynë kryesor, “Të drejtat e Njeriut”, për shkak se vijmë nga një rajon ku kemi parë shpesh, që shkelja e të drejtave të njeriut, ka qenë pararendje e konflikteve që kanë vazhduar më pas dhe që ne duhet të kujtojmë që ka kaluar më pas për të mos ndodhur më. Duhet të bëjmë çmos veçanërisht në këtë forum, në këtë format, që të garantojmë respektimin e të drejtave të njeriut kudo në botë me rolin që kemi dhe përgjegjësinë që kemi në KS, jo vetëm në rajonin tonë. Ka qenë radikalizmi i dhunshëm, i cili, për të cilin në kemi lë të themi, jemi një shembull i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, tolerancës dhe që këtu kemi shumë për të treguar të tjerëve dhe për të qenë shembull.

Balla: Shqipëria, ka një përvojë të mirë në de-radikalizmin e disa elementëve, që kanë qenë pak…

Xhaçka: Pa diskutim por nuk është ajo çfarë kemi patur parasysh kur kemi vendosur këtë si prioritet sepse ato elementë kanë qenë aq të pakët në numër , aq sa të ndikonin në karakterin e prioritete që i kemi vendosur vetes, si tema që duheshin trajtuar nga ne në KS. Patjetër ndryshimet në klimatike dhe siguria e cila lidhet shumë ngushtësisht me to. Është një nga ato temat për të cilën, të gjitha vendet demokratike perëndimore janë shumë të shqetësuara. Është tema e darkës, është ajo çfarë duhet shumë ngushtësisht të diskutohet dhe pastaj prioriteti jonë i fundit është le të themi si të bëhet OKB, një institucion shumë transparent, shumë bashkëpunues.

Balla: Në fakt kjo është një temë interesante, që më shpjegoi dhe ambasadori Hoxha…

Xhaçka:….Që drejtojnë një komitet mbi këtë.
Balla: Sidomos, në momentin që Shqipëria do të marrë presidencën. Në qershor, do të jemi për një muaj, president i Këshillit të Sigurimit. Mënyra, sesi funksion KS, është mbi masa provizionale, të përkohshme. Shqipëria, mund të japë një rol për rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes në KS….

Xhaçka: Ne, në fakt jemi duke drejtuar një komitet në KS për këtë çështje. Ka shumë vende të njëmendta që janë bërë bashkë për të parë se cilat mund të jenë ato reforma që të merren, që institucioni të jetë transparent, më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës dhe këtu po luajmë një rol të dorës së parë.

Balla: Në fakt, ambasadori Mills, po më thoshte më herët, që roli i Shqipërisë, do të jetë shumë i rëndësishëm, për shkak se në Kombet e Bashkuara, janë 110 vende, me popullsi nën 10 milionë banorë, ku futet dhe Shqipëria. Dhe fakti, që Shqipëria i përfaqësonte këto vende, të ashtuquajtura të vogla. Si anëtarë e KS dhe si Presidente, Shqipërisë i jepet mundësia të jetë dhënëse e vendeve të vogla por me një zë të fortë…

Xhaçka: Pa diskutim, dhe unë ua thashë edhe pak më përpara. Nuk do ta kishim pasur asnjëherë këtë mundësi, për të pasur këtë zë që kemi sot. Ndoshta për tu bërë zëdhënësja e vendeve të tjera që kanë popullsi të vogël, ashtu si vendi ynë, në qoftë se nuk do ta kishim pasur këtë mundësi në Këshillin e Sigurimit. Dhe ajo që kemi treguar në rajon si faktor stabiliteti, si një vend paqedashës, i angazhuar në çdo përpjekje ndërkombëtare në mision apo mision për të garantuar paqen edhe sigurinë, po e tregojmë më së miri edhe në KS, duke u bërë edhe zëri i këtyre vendeve. Vlen të thuhet që anëtaret jo permanent të KS janë vetëm 10 sepse 5 janë anëtarët permanent. Ne jemi një ndër këta 10 të cilët kemi marrë një rol ndoshta edhe me aktiv se të tjerët.

Balla: Kjo dhe falë mbështetjes së SHBA…

Xhaçka: Pa diskutim, edhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm që kemi pasur me ta. Edhe besimit që kanë treguar ndaj pjekurisë do të thoja dhe kredibilitetit të shërbimit tonë diplomatik, të politikës tonë të jashtme duke na përfshirë në nisma aq të rëndësishme siç ka qenë ajo e bashkë hartimit, si bashkëpendëmbajtës, siç është çështja e Ukrainës, që është çështja më e rëndësishme në botë.

Balla: Ndërkohë, çfarë kontributi mund të japë Shqipëria në këtë sallë? Sepse KS, ka atë hijen e rëndë të “krizës” ndërsa Asambleja është një sallë madhështore, ku mblidhen gjithë vendet e botës. Çfarë kontributi mund të japë Shqipëria në këtë sallë? Këtu realisht, më duket vetja i “vogël, si vend i vogël. Nuk e di si ju duket juve.

Xhaçka: Patjetër. Mua ndoshta edhe më shumë se ju për shkak të detyrës. Mua më ka rënë edhe përgjegjësia për të bërë maksimumin për këtë besim të madh që na është dhënë, për të bërë maksimimun për të evidentuar vendin tonë, për ti rritur profilin vendit tonë dhe për të lënë një gjurmë vërtetë domethënëse përmes kësaj mundësie që na është dhënë. Njësoj si në KS, edhe këtu zëri ynë bëhet më i forte, më përfaqësues. Pikë së pari nga grupi i cili kemi ardhur, i Evropës Lindore, për të përfaqësuar atë grup por jo vetëm. Sepse në KS diskutojmë dhe trajtojmë çështje që janë globale, nuk janë vetëm rajonale, nuk janë vetëm evropiane. Kështu që edhe këtu përmes nismave që kemi marrë, kemi qenë nismëtar të deklaratës për ta sjellë çështjen e Ukrainës mbas rrëzimit të rezolutës në KS për shkak të vetos ruse. Kemi qenë një ndër vendet që ka lobuar më së shumti që ai rezultat vote që ishte i jashtëzakonshëm, të ishte ai që ishte dhe të izolonim diplomatikisht Rusinë, për të evidentuar paligjshmërinë e agresionit në Ukrainë. Kemi bërë maksimumin edhe përmes ngritjes së grupit të miqve të Ukrainës mbi llogaridhënien, që autorët e krimeve të luftës atje të mbajnë përgjegjësi. Kemi organizuar disa takime, i fundit ka qenë ai për llogaridhënien, e kam drejtuar unë, bashkë më Francën por i sponsorizuar nga 34 vende të tjera plus BE, me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të OKB-së dhe të Asamblesë së Përgjithshme. Bashkë edhe më kryeprokurorin e Gjykatës Ndërkombëtarë Penale, i cili po ndjek çështjen e Ukrainës dhe me shumë avokatë të drejtave të njeriut në mënyrë të posaçme, shumë të përfshirë me këtë çështje dhe ajo ka qenë le të themi një precedent që në fakt nuk kishte ndodhur dhe që ka përfshirë të gjithë anëtarët ë kësaj salle. Të qënurit në KS, na jep pa diskutim, një peshë goxha më të madhe edhe këtu, që zëri jonë të dëgjohet më fort, që përfaqësimi ynë dhe i shumë vendeve të tjera të jetë më i madh por njëkohësisht të ndërtojmë disa marrëdhënie, disa lidhje, disa që për shkak të disa kufizimeve, e përmenda edhe pak më përpara nuk kemi pasur. Sot na krijohet mundësia që ti lidhim, ti konsolidojmë edhe të kenë edhe ato një mundësi për të avancuar prioritetet tona e për të arritur objektivat tona afatgjata.

Balla: Për këtë doja t’ju pyesja. Do t’ju bëj një pyetje pak më mbrapa, si një shtetas i Shqipërisë dhe një person që i ka shumë qejf udhëtimet, për disa vende ku gjendemi përballë vështirësive dhe që nuk e di pse duhet të kemi regjim vizash. Ju pyeta pak për Asamblenë, për Kosovën, si çështje delikate. Në KS, ne duhet ta mbajmë lart Kosovën, jo më si çështje paqja dhe siguria por si politike dhe që duhet të diskutohet në këtë sallë, pasi një nga handikapët më të mëdha, është që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Dhe vetë OKB, mbase konfiguron më vete, në bazë të rezolutës 1244, të vitit 1999. Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim, tani që në jemi anëtarë të KS, jemi një zë më i fortë. Sa i përket mundësisë së rritjeve të njohjeve të Kosovës, nuk e di nëse e çoj shumë lart pritshmërinë, për ndonjë njohje këtu në Asamblenë e Përgjithshme, përmes ndonjë rezolute…

Xhaçka: Kosova është pjesë e interesit tonë kombëtar. Ne jemi një komb dhe Kosova është gjithmonë në qendër të gjitha konsideratave, le të themi, sa herë që ne kemi vendime për të marrë apo pjesë e të gjitha diskutimeve qofshin bilaterale, qofshin multilaterale me vendet e tjera. Dhe e tillë është situata edhe këtu në Kombet e Bashkuara. Ajo që ne kemi kërkuar sapo jemi ulur në KS, ka qenë një reduktim i raportimeve të UMNIK, duke qenë që Kosova, siç e thatë edhe ju, nuk është më një çështje paqeje dhe sigurie. Nëse ka një trajtesë për ti bërë Kosovës do të ishte, edhe unë mendoj si ju, ngushtësisht politike dhe jo në këtë aspekt. Ju e dini që në KS duke qenë se një nga anëtarët me fuqi veto është Rusia, kjo ë vështirëson këtë kërkesë….

Balla: Prandaj thashë, që diskutimi mund të bëhet më interesant, tani që ne jemi anëtarë të KS. Kemi më shumë zë në Asamble. Teorikisht, është një mundësi që Kosova, të njihet me votim.

Xhaçka: Edhe zgjerimi i këtyre lidhjeve, i marrëdhënieve me vendet e tjera, patjetër që na jep një mundësi më tepër për të lobuar për Kosovën, si për njohjen, si për mbështetjen për Kosovën me të gjitha mundësitë. Kuptohet që rezolutat që kanë një mekanizëm përforcues, nuk ndodhin në Asamblenë e Përgjithshme, ndodhin në KS dhe atje vetoja e anëtareve e bën çdo gjë më të vështirë. Megjithatë kjo nuk na ndalon aspak që ne të bëjmë çmos për ti rritur profilin Kosovës dhe për ta pasur Kosovën pjesë të gjitha diskutimeve që në kemi, siç e thashë, qoftë në aspektin multilateral në organizata të ndryshme përfshirë OKB, por edhe biletaralisht në raportet që kemi por edhe që po krijojmë me vendet e tjera.

Balla: Presidenti rus Putin, pak javë më parë, bëri një analogji mes Dombasit dhe pjesës që ai e quan filo-ruse apo rusisht folëse të Ukrainës dhe rastit të Kosovës. A është ky një opsion në tavolinë , që qeveria e Tiranës, ta marrë në konsideratë? Pra, shkëmbimi i njohjes së Dombasit me atë të Kosovës?

Xhaçka: Absolutisht jo. Madje është, do të thoja unë relativisht cinik si qëndrim sepse Rusia ka qenë një vend që në vazhdimësi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo analogji që bëmë sot me fjalë të tjera, le të themi po njeh pavarësinë e Kosovës por prapë analogjia nuk qëndron në asnjë aspekt sepse e para, pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i disa zhvillimeve në atë kohë, e politikës gjenociviste të regjimit të Millosheviçit, e një procesi zinxhir të shpërbërjes së Jugosllavisë, e zbatimit të së drejtës për vetëvendosje por edhe e të gjithë vendimeve juridike. Ose kujtoj tani, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që thoshte “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”. Ndërkohë që e kundërta vlen të thuhet për agresionin dhe pushtimin e paligjshëm të Rusisë në Ukrainë, përmes një politike ushtarake aneksionuese, që prej 2014 por edhe prej një politikë kriminale vrasjesh, shkatërrimi, që nuk ka absolutisht asgjë të ngjashme me situatën e Kosovës. Kosova në atë kohë kishte gjithë të drejtën të shpallte pavarësinë. Pavarësia është njohur edhe ndërkombëtarisht. Nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, që nuk ka asgjë të ngjashme me situatën që po ndodh sot. Ky është një agresion i paligjshëm. Është botërisht i pranuar si i tillë. Dhe ne kemi bërë çmos, që edhe përmes rezolutës, e cila nuk kaloi në Këshillin e Sigurimit por edhe deklaratës që doli pastaj nga Asambleja e Përgjithshme, që ti bëjmë thirrje Rusisë mbi paligjshmërinë e këtij agresioni, për tërheqjen e trupave dhe dhënies fund të këtij konflikti sa më parë.

Balla: Zonja Ministre, një pikë tjetër delikate për sa i përket Kosovës është fakti që tani Prishtina po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në NATO dhe praktikisht i bie që në Ballkanin Perëndimor, përveç Bosnje-Hercegovinës, që është një histori shumë e komplikuar, Kosova është i vetmi vend që nuk është anëtar i ANTO-s. Sigurisht, ka një problem.

Xhaçka: Jo, as Bosnje-Hercegovina nuk është. Është vend partner…

Balla: Nuk është por është histori më e komplikuar sesa Kosova. Kosova është një vend qartësisht i orientuar drejt perëndimit, kërkon anëtarësimin BE, në OKB, në NATO dhe tashmë po e kërkon dhe me veprime zyrtare. Çfarë mund të bëhet në këtë drejtim? A mundet që kjo të ndodhi, duke patur parasysh dhe realitetin e komplikuar të Kosovës, për sa i përket OKB-së?

Xhaçka: Shiko unë mendoj që asgjë nuk është e pamundur dhe veçanërisht me këtë situatë që po krijojnë, me këtë kërcënim nga Rusia të rendit botëror, të arkitekturës së sigurisë së Evropës, bëhet gjithmonë e më e rëndësishme që Ballkani Perëndimor, që është një zonë vulnerabël ndaj influencës, përfshirë edhe nga Rusia, që ka shumë kohë që tenton të shfrytëzojë ndasitë apo çështjet etnike që vazhdojnë të mbeten prezentë në rajonin tonë, për të zhbërë atë që është ndërtuar deri më tani nga BE dhe për ti frenuar aspiratat euro-atlantike të rajonit. Dhe kjo është shumë evidente. Dhe veçanërisht sot, me gjithë çfarë po ndodh, BE pikë së pari por dhe NATO së dyti, duhet të jenë shumë më të ndërgjegjshëm dhe shumë më strategjikë, për të kuptuar që vetëm politika e dyerve të hapura dhe përfshirja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në fakt janë dhe në zemër të Evropës, janë një “enklavë në zemër të Evropës”, do të sillte më shumë siguri, më shumë stabilitet, më shumë prosperitet, për vendet tona pikë së pari por edhe më shumë siguri për vetë Evropën. Prandaj, mendoj që ky është një moment shumë oportun, që kjo thirrje të bëhet gjithnjë edhe më shumë, gjithnjë edhe më e fortë. Dhe ne po luajmë një rol të posaçëm. Edhe në takimin e fundit që kemi pasur me aleancën në Berlin, i kam bërë një thirrje vendeve anëtare, për të konsideruar përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, njësoj si Finlanda dhe Suedia. Por duke pasur parasysh dhe Kosovën e cila ndan vlerat e aleancës, e cila ka një politikë të linjëzuar të politikës së saj të jashtme por dhe politikës së saj së sigurisë, që është një vend me orientim shumë të dukshëm perëndimor, demokratik dhe që pa diskutim meriton që të jetë pjesë e Aleancës eventualisht. Sot, do të thoja, topi është qoftë në fushën e NATO-s, qoftë të BE-së, për të pasur një angazhim shumë të madh dhe për të pasur një qasje shumë më strategjike ndaj rajonit tonë, përfshirë dhe Kosovën.

Balla: Zonja Ministre, Kryeministri Rama tha pak ditë më parë, se do të ketë një ndryshim të strategjisë për sa i përket çështjes së integrimit, nëse Shqipërisë nuk do ti hapen formalisht negociata me BE, së bashku me RMV. Kryeministri tha, që nëse nuk e marrim brenda presidencës franceze, atëherë automatikisht, ne do të ndjekim një taktikë tjetër, që siç e lexova unë dhe është logjika normale, do të ndahemi nga RMV dhe do të ndjekim një strategji tonën. Shumë reagime nga ana e opozitës. Mund të na e sqaroni me pak fjalë, çfarë ka dashur të thotë Kryeministri, “me një strategji tjetër më vete, të ndarë nga RMV, për procesin e integrimit?

Xhaçka: Nuk ka absolutisht asnjë mundësi tjetër, asnjë aspiratë tjetër për ne, përveç integrimit në BE. Kjo është e para për tu thënë. Jam e bindur që Kryeministri, të paktën ashtu siç e kam parë parashtrimin e tij, të nxjerrë nga konteksti në media dhe pastaj të vënë në gojë të opozitës dhe të transformuar krejtësisht: nuk diskutohet për një strategji tjetër. Diskutohet vetëm nëse do të kërkojmë të ndahemi nga RMV, nëse nuk do të tejkalohet ngërçi që RMV ka me Bullgarinë dhe nëse hapja e negociatave, Konferenca e I-rë Ndërqeveritare, nuk do të bëhen në qershor, ashtu siç edhe parashikohej. Megjithatë është fakt që Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, qoftë duke përmbushur të gjitha detyrimet e saj, qoftë me reformën në drejtësi, edhe me reformat e tjera, për të drejtat themelore, për administratën publike, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithë sa kemi bërë deri tani është vlerësuar në mënyrë unanime, nga të gjitha vendet e Be, edhe nga ato vende që kanë qenë gjyqtaret më të rrepta të progresit tonë. Unë shpresoj fort, që ashtu siç diskutuam jo më larg se dje në Bruksel, në takimin me ministrat e jashtëm të BE, që kjo mbështetje që të gjithë kanë treguar ndaj nesh, do të jetë mjaftueshëm për të bërë presionin e duhur te Bullgaria, për të tejkaluar atë ngërç apo atë mosmarrëveshje që ka sot me RMV, që për fat të keq na mban peng edhe ne. Në qoftë se, deri në përfundim të presidencës franceze (që nuk do doja ta thoja tani, sepse ne nuk e kemi këtë informacion), nëse nuk do të kishim një vendim pozitiv për avancimin në këtë proces, që në fakt është një proces për tu ulur, për të folur. Negociatat janë një mundësi për të folur, për të marrë me vete më shumë detyra, më shumë angazhime, për të vazhduar procesin e përafrimit të legjislacionit, adaptimit të standardeve më të mira evropiane. Për të jetuar si evropianë, pikë së pari brenda vendeve tona, jo vetëm për tu bërë pjesë e BE. Patjetër që do të diskutojmë që nëse do të duhet të ndahemi nga RMV, për të vazhduar në këtë kurs të vetëm. Po dhe ky do të jetë një diskutim, që do të duhet të kalojë pastaj nga të gjitha vendet e Be, që do të kërkojë dhe kjo në unanimitet një vendimmarrje. Nuk kalon pa vështirësitë e saj. Megjithatë, unë mbetem shpresëplotë, që veçanërisht me çfarë po kalon bota dhe çfarë po kalon Evropa sot, të gjithë do të tregohen më strategjikë, për të kuptuar që ky është momenti për të dhënë mesazhin e duhur, jo vetëm Rusisë apo aktorëve të tretë që le të themi që konkurrojnë për influencë në rajonin tonë por të gjithë atyre të tjerëve, regjimeve, diktatorëve, të cilët shohin këto zona vulnerabël, si mundësi për ti shfrytëzuar, për të ndalur aspiratat e tyre euro-atlantike. Dhe ky është dhe rasti jonë. Besoj që ne do të kemi gjithë mbështetjen që do të na duhet dhe nuk do të jemi të detyruar, që të shohim një kurs tjetër apo një mundësi tjetër për të avancuar, perspektivën tonë evropiane.

Balla: Le të shpresojmë që qershori do të jetë i mbarë. Me presidencën në Këshillin e Sigurimit, ndoshta fillojnë edhe negociatat zyrtare me caktimin e Konferencës së I-rë Ndërqeveritare. Tani një pyetje të fundit: Unë jam konfuz kur bëjë këtë pyetje. Sa herë që flasim bashkë, edhe me pararendësin tuaj, përgjigja ka qenë pak më e ngurtë, më e avashtë. Po shikoja Këshillin e Sigurimit dhe kemi vende si për shembull Gana, Meksika. Vende me të cilat, vende të tjera si RMV, Serbia, Mali i zi, për sa i përket shërbimeve konsullore, janë vende ku shtetasit e tyre lëvizin pa viza. Shqipëria e cila ka të njëjtin status me Serbinë, me Malin e Zi, me RMV, për shtetasit e saj ka ende nevojë për viza. Unë vazhdoj ende të këmbëngul në këtë pikë, që në Shërbimi Konsullor Online, MEPJ duhet të ecë më shpejt në këtë drejtim, që tashmë që jemi vend kandidat për BE, tashmë që në vendet e BE qarkullojmë lirshëm pa viza apo SHBA-të i kanë lehtësuar procedurat konsullore, shtetasit shqiptarë marrin viza 10-vjecare,. Kjo tregon se edhe shtetasit shqiptarë kanë shtuar perfomancën pozitive në lëvizjet e tyre jashtë shtetit. Pse shumë nga këto vende të cilat, mendoj që ne nuk duhet të kishim viza, ne kemi akoma viza? A mund të bëjmë diçka në këtë drejtim?

Xhaçka: Meqenëse më pyesni për shërbimet konsullore, ato janë prioritet i punës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Shërbimi ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është shumë i rëndësishëm. Është bërë shumë në fakt, që këto shërbime të përmirësohen, të jenë më transparente edhe përmes aplikimit online për të gjitha shërbimet tona konsullore. Sot, janë rreth 47 shërbime konsullore, kam përshtypjen, 35 nga të cilat, mund të aplikohet online, përmes E-Albania dhe një pjesë shumë e vogël, aplikohen përmes sporteleve tona fizikisht, në konsullatat, kudo ku ato janë. Pastaj dhe aplikimi online dhe vula elektronike e konsujve tonë, e ka bërë këtë proces shumë të shkurtër. Në një kohë kur 75 % e këtyre proceseve janë mbi pajisjen e qytetarëve shqiptarë më dokumente biometrikë, me pasaportë apo kartë ID. Ne jemi gjatë gjithë kohës në punë, për ta përmirësuar këtë shërbim. Tani ju më pyesni për liberalizimin e vizave. Patjetër është shumë e rëndësishme. Në fakt është temë e diskutimit, që kam edhe me homologët e mi, që shkëmbimet njerëzore janë shumë të rëndësishme dhe për ti sjellë vendet dhe popujt më pranë, edhe për ti njohur me mundësitë….

Balla: Aq më tepër që jemi në një stad tjetër edhe shoqëror, ekonomik por edhe politik…

Xhaçka: Patjetër. Edhe bashkëpunimi politik dhe ekonomik, do të ndikoheshin, pa diskutim, nëse këto shkëmbime do të ishin shumë më të mëdha dhe më të shpeshta. Tani vlen të thuhet (unë e përmenda dhe pak më parë), se për shkak të kufizimeve gjeografike por dhe për shkak të kufizimeve të shërbimit tonë diplomatik, marrëdhëniet me shumë vende… (ju përmendët Ganën dhe Gabonin)

Balla: Që janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit…

Xhaçka: Ulemi sot me ta por ndërveprimit me ta ka qenë shumë i vogël, në mos zero. Kështu që sot, edhe përmes kësaj mundësie që të ulemi përkrah njëri tjetrit në Këshillin e Sigurimit, me një rritje të komunikimit, do të na jepet mundësia që të ndërtojmë një marrëdhënie bilaterale e cila patjetër që gjëja e parë që do të diktohej. Do të ishte një shkëmbim më i madh mes njerëzve, mes popujve. Pastaj, patjetër që do të forconte edhe bashkëpunimin politik, dhe ekonomik. Kështu që ky vend këtu, kjo mundësi që kemi sot, patjetër që do të na ndihmojë edhe këto objektiva dhe interesa të vendit tonë.

Balla: Faleminderit Zonja Ministre që jeni sonte me ne.

Xhaçka: Faleminderit ju që jeni këtu.

Linku i Intervistës: https://youtu.be/an_zraDGz3s