“Formimi i Politikës së Jashtme Feministe”, Ministrja Xhaçka në Berlin: Të bashkëpunojmë që ta mbajmë këtë agjendë në krye të prioriteteve të botës - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 13/09/2022

“Formimi i Politikës së Jashtme Feministe”, Ministrja Xhaçka në Berlin: Të bashkëpunojmë që ta mbajmë këtë agjendë në krye të prioriteteve të botës

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me ftesë të Ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, mori pjesë në konferencën “Formimi i Politikës së Jashtme Feministe” që u mbajt në Berlin.

Ministrja Xhaçka përgëzoi homologen gjermane për iniciativën e ndërmarrë, e cila sipas saj synon të zgjerojë dhe forcojë rrjetin e avokatëve të barazisë gjinore.

“Jam shumë e kënaqur të shoh se pavarësisht sfidave me të cilat po përballemi, agjenda e politikës së jashtme feministe nuk është lënë mënjanë. Shqipëria po bën progres në këtë drejtim, teksa 60% e të gjitha posteve të nivelit të mesëm dhe të lartë në administratën publike janë gra. Natyrisht, ka akoma shumë punë për të bërë, por impakti është i dukshëm. Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është në krye të prioriteteve të Shqipërisë në mandatin e saj dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka tanimë një Strategji Kombëtare për Barazinë Gjinore për 10 vitet e ardhshme. Unë jam optimiste se duke punuar së bashku dhe duke luftuar për të mbajtur këtë agjendë në krye të prioriteteve të botës aty ku i takon, ne do të arrijmë ta mbajmë pishtarin që të tjerët ta çojnë më tej në të ardhmen”, u shpreh kryediplomatja shqiptare në fjalën e saj.

Takimi i organizuar nga Ministria e Jashtme gjermane, bëri bashkë partnerë nga e gjithë bota, për të diskutuar mundësitë dhe sfidat për një qasje të politikës së jashtme feministe si një bazë e domosdoshme për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.