Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar përfaqësues të shtypit, korrespondentë të OKB.

Një mirëpritje e ngrohtë në këtë konferencë për Presidencën Shqiptare për muajin Qershor. Faleminderit që erdhët sot. Dua të përshëndes edhe ata përfaqësues të mediave që marrin pjesë virtualisht.

Është privilegj dhe nder për mua t’ju drejtohem në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, dhe sic mund te merret ta kuptoni shumë thjesht i pari për vendin tim, Shqipërinë, dhe të ndaj me ju pikat kryesore të programit të punës së Këshillit që u adoptua jo më pak se një orë më parë.

Ky takimi me ju është një moment i rëndësishëm për çdo presidencë dhe nuk është e çuditshme që pas miratimit formal të Programit të Punës, kjo është ngjarja e parë me rëndësi. Më lejoni t’ju them se, përveç kolegëve që shikoj pothuajse cdo ditë e nanjherë dhe ne funndjavë, ju jeni në fakt ndër ata që takojmë dhe përshëndesim çdo javë në këndin tuaj të privilegjuar mediatik. Shumë i lumtur t’ju shikoj përsëri këtu!

Dëshiroj t’ju bëj një nderim të gjithëve, individualisht dhe kolektivisht, për punën dhe përpjekjet tuaja, për profesionin tuaj, për këtë detyrë fisnike të informimit të opinionit publik për punën e Këshillit të Sigurimit. Ne Shqipëria jemi dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj një Këshilli të Sigurimit efikas dhe transparent gjatë këtij muaji, dhe unë pres me shumë dëshirë për një marrëdhënie të shëndetshme dhe me përfitim reciprok. Dhe faleminderit që nuk shkruani që ndonjëherë ne, shtetet anëtare përfundojmë duke e përsëritur veten, pasi është në mënyrë të pashmangshme pjesë e jetës komplekse të multilateralizmit, dhe veçanërisht, e jetës dinamike të Këshillit të Sigurimit që unë e quaj “vendi ku dritat kurrë nuk fiken”.

Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës që kemi adoptuar, të cilin shpresoj e keni nganjë kopje, për muajin qershor është i ngjeshur.

Prioritetet e Shqipërisë për muajin i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura ngushtë me 5 fusha: respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe subrajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.

– Më lejoni të hyj në detaje për disa prej tyre.

Së pari, çështja e llogaridhënies

Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania e tij në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe duke parë listën e folësve der më tani është njësoj e rëndëishme dhe për të gjithë shtetet anëtare të tjera.

Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:

o për gratë e dhunuara të Kosovës,

o për nënat e pikëlluara të Bosnjës,

o për fëmijët e Ukrainës,

o për viktimat pa emër në Tigray,

o për Azara në Afganistan,

o për Yazidët në Irak,

o për Rohyngias,

o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan,

o për të arrestuarit në Siri

o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës;

o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi.

Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u përkushtuar ndaj normave dhe vlerave tona thelbësore dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të zbatuar pajtueshmërinë dhe për të ndaluar shkeljet. Sepse nëse nuk respektohet dhe zbatohet, e drejta ndërkombëtare është vetëm letra mbi të cilën shtypet.

Të gjitha vendet, shtetet anëtare të OKB-së kanë një rol për të luajtur. Shqipëria po bën pjesën e saj. Dhe kjo do jetë thelbi i ngjarjes tonë të parë shënuese që do të mbahet nesër nën drejtimin e Kryeministrit Rama.

Folësit për këtë aktivitet, që siç thashë do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama, do të jenë kryetarja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë znj. Joan Donoghue, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet dhe profesoresha e Oksfordit Dapo Akande, si përfaqësues i Shoqërisë Civile.

Së dyti prioritet me rëndësi është paqja dhe siguria e grave

Në përputhje me prioritetet tona dhe si nënshkruese e Deklaratës së Angazhimeve të Përbashkëta me Anëtarët e tjerë të Këshillit, Shqipëria do të mbrojë gratë, paqen dhe sigurinë dhe do ta bëjë atë një prioritet kyç gjatë Presidencës sonë të KS.

Prandaj, ngjarja jonë e dytë shënjuese do të mbahet më 15 qershor. Do të jetë një Debat i Hapur i nivelit të lartë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me titull: “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”. Debati i hapur do të kryesohet nga Ministrja jonë për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Ne do të fokusohemi në rolin e organizatave rajonale dhe nën-rajonale në mbrojtjen dhe avancimin e zbatimit të agjendës së WPS gjatë këtyre kohërave me trazira duke theksuar rolin e këtyre organizatave, angazhimin e tyre me shoqërinë civile të udhëhequr nga gratë si dhe nevojën për qasje specifike dhe të përshtatura.

Ne kemi ftuar informatorë nga organizata të ndryshme rajonale ku shpresojmë të akomodojmë sa më shumë prej tyre. Ne presim që Sekretari i Përgjithshëm, Guterres, të marrë pjesë në këtë takim.

Ne synojmë të komunikojmë në bazë të angazhimeve të përbashkëta për çështje specifike të vendit që lidhen me WPS për të vazhduar rritjen e ndërgjegjësimit për situatën e grave në botë.

Cështja e tretë me rëndësi është grupi i punës mbi Metodat e Punës. Kam nderin që ta drejtoj unë Debatin Vjetor të Hapur mbi Metodat e Punës i cili do të organizohet me 28 qershor.

Këshilli i Sigurimit ka kaluar disa vite të vështira, duke përfshirë edhe kohët e jashtëzakonshme të pandemisë. Prandaj, ne besojmë se një debat i hapur dhe i thelluar për metodat e punës së këshillit është në kohë dhe shumë i nevojshëm.

Ne presim një shkëmbim të mirë mbi mësimet e nxjerra dhe kapacitetin e Këshillit të Sigurimit për t’iu përshtatur ndryshimeve në përmbushjen e mandatit të tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Cështja e katër me rëndësi në agjendë është “Bashkëpunimi i OKB-së me organizatat rajonale dhe nën-rajonale”, Presidenca do të mbajë një konferencë në nivel të ngritur mbi bashkëpunimin ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Situata shumë e trazuar në botë, e shkaktuar dhe nga konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, dhe nevojat e mëdha dhe në rritje për ndihma humanitare në mbarë botën i japin më shumë stimuj nevojës për një bashkëpunim më të fortë OKB-BE, veçanërisht në fushën politike, humanitare dhe njerëzore dhe në aspektin e të drejtave të njeriut. BE-ja është gjithashtu e përfshirë në zbatimin e mandateve të ndryshme të OKB-së.

Dhe dukë përfituar nga prania e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Xhaçka në qytet, ajo do të drejtojë këtë takim dhe në takim do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

Tani do vazhdoj shkurtimisht në pjesët e tjera të programit. Siç e përmenda do jenë tre debate të hapura dhe dy debate specifike mbi IRMCT – Mekanizmat e mbetur të ICTR dhe ICTY 14 qershor dhe në Afganistan 23 qershor. Do kemi informim por gjithashtu dhe konsultime. Do kemi 17 informime dhe do të ketë 5 rinovime mandatesh. Fillojmë të premten e kësaj jave me shpresën që këshilli do rinovojë mandatin për Libinë (IRINI), UNITAMS, MINUSTMA, UNDOF dhe Sanksionet DRC.

UKRAINA

Gjatë këtij muaji do të mblidhet edhe Këshilli i Sigurimit për të diskutuar Ukrainën. Takimi i parë për Ukrainën do të zhvillohet më 6 qershor. Ai do të fokusohet në një çështje: dhunën seksuale në konflikt dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Ne synojmë ta mbajmë çështjen e Ukrainës lart në axhendë dhe ndoshta të takohemi aq shpesh sa do të kërkojnë ngjarjet në terren.

SIRI

Do të organizojmë dy takime për Sirinë, në aspektin humanitar dhe atë politik. Situata humanitare më 20 qershor dhe situata politike më 29.

Nuk ka asnjë largim nga agjenda e zakonshme e KS për Sirinë, por kësaj radhe takimi për Armët Kimike do të organizohet nën presidencën e ardhshme në korrik, duke qenë se ai i mëparshmi u zhvillua në fund të majit. Këshilli është pajtuar që këtë herë, kjo mënyrë ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për të vazhduar të kapet ky aspekt i Dosjes Siriane.

Këshilli do të mblidhet gjithashtu për të diskutuar mbi:

Jemeni: Ne shpresojmë që deri nesër të dëgjojmë lajme të mira për zgjatjen e Trusit dhe të angazhimit të palëve për zbatimin e plotë të tij. Gjithashtu, urojmë që përtëritja e tij nëse do të ndodhë, të shërbejë mbi të gjitha si ngitje e masave të besimit për rifillimin e procesit politik.

Libia: do kemi një takim mbi Libinë duke shpresuar që korniza kushtetuese të dakordësohet dhe që takimi në Kajro, do të ketë zhvillime pozitive referuar marrëveshjes kushtetuese, që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të lira, të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

Këshilli do të takohet gjithashtu për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Haiti dhe UNDOF. Në ditën e fundit, do të zhvillohet një takim për mospërhapjen në lidhje me JCPOA dhe ne formulojmë shpresën se do të arrihet progres ndërkohë në diskutimet e vazhdueshme.

Në përputhje me zotimet tona, jemi përpjekur të vendosim një ekuilibër mes takimeve të hapura, që për ne dhe për ju sjellin transparencë por edhe konsultimeve të mbyllura, që për ne dhe ndonjëherë për ju, sjellin efikasitet në punën e Këshillit të Sigurimit.

Për të promovuar vendimmarrje efektive dhe gjithëpërfshirëse, Presidenca shqiptare është angazhuar gjithashtu, për të sjellë zërat e shoqërisë civile në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë të sigurtë dhe sa më kuptimplote. Ne mendojmë se, duke i dhënë mundësinë të dëgjohen, atyre që punojnë në terren, ndonjëherë të përballur me dhunë dhe konflikt, është tejet e rëndësishme dhe një vlerë e shtuar, mbi atë që ndonjëherë na nevojitet në diskutimet tona. Kjo është një metodë për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset politike dhe pikëpamjet e tyre duhet të dëgjohen nga të gjithë.

Në këtë kuadër, ne do të mbështetemi në udhëzimet që derivojnë nga praktikat e mira të OHCHR-së, për shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të zbutur ‘frikërat’ dhe ‘hakmarrjet’. Në përputhje me këto udhëzime, ne po marrim masa për të parandaluar ‘frikësimin’ dhe ‘hakmarrjen’ ndaj informatorëve apo raportuesve të shoqërisë civile.

Duke i qëndruar besnikë angazhimeve tona, ne kemi qenë të kujdesshëm në identifikimin dhe përzgjedhjen e këtyre raportuesve nga OSHC-të, ku shumica e tyre do të jenë gra, jo vetëm sepse janë gra, por sepse janë përfaqësuese shumë të mira dhe me arritje të dalluara në fushat e tyre përkatëse.

Së fundmi, dhe unë do të ndalem këtu, ju premtoj. Në kryesimin e Këshillit të Sigurimit, Shqipëria do të respektojë të gjitha rregullat dhe procedurat. Ne do të veprojmë në frymën e drejtësisë dhe transparencës, do të nxisim kërkimin dhe arritjen e zgjidhjeve, që kontribuojnë në mënyrën më të mirë në përmbushjen e angazhimeve fisnike për ruajtjen e paqes botërore dhe sigurinë. Jam i bindur, që do ta dëshmojmë këtë në realitet dhe me veprime konkrete.