Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Holokausti fsheh në vetvete miliona histori personale të viktimave. Brenda tragjedive fshihen histori të mrekullueshme guximi dhe sakrifice.

Në vitin 1920, hebrenjtë ishin pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Në fillim të Luftës II Botërore, sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria kishte 200 hebrenj. Për herë të parë dhe të fundit në vitet 1929–1931 u bë regjistrimi i lirë i hebrenjve në Shqipëri, gjë që nuk ishte bërë kurrë më parë as në Europë. Pavarësisht këtij numri të ulët, gazetari britanik Leo Elton i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 1935, i raportoi presidentit të Universitetit Hebraik në Jerusalem se Shqipëria ishte një strehë ideale për hebrenjtë dhe mund të bëhej përfundimisht një shtëpi kombëtare hebreje. Në fund të luftës, numëroheshin rreth 2000.

Në Shqipëri u shpëtuan deri në fund të Luftës II Botërore të paktën 2741 hebrenj. Në këtë numër përfshihen vetëm hebrenjtë që lanë gjurmë te njerëzit dhe nëpër dokumente. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë.

Deri në janar 2019, Yad Vashem ka njohur 75 shqiptarë si “Righteous Gentiles’’ – johebrenj të drejtë – ata që ndihmuan në strehimin ose shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjatë Holokaustit.

Ajo që pak dihet është roli i diplomacisë shqiptare në këtë mision shpëtimi. Pjesë e pandarë e kontributit tashmë të njohur të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve nga politikat naziste antisemite para e gjatë Luftës së Dytë Botërore është edhe vizioni dhe puna e diplomatëve shqiptarë që punonin dhe drejtonin legatat shqiptare në vendet ku kishte popullsi hebreje në Europën Qendrore dhe Lindore. Politikat antisemite me ardhjen në pushtet të Hitlerit dhe shpalljen e doktrinës “Final Solution,” e cila përbënte bazën e dhunës antisemite, shtruan para hebrenjve gjermanë, por edhe atyre polakë, austriakë, çekë, hungarezë, largimin e tyre përfundimtar nga Gjermania dhe zonat përreth të rrezikuara, e vendosjen e tyre në një atdhe të ri, ose në Lindjen e Mesme ose në SHBA. Por çështja e dytë që dilte para hebrenjve ishte mënyra e shpërnguljes dhe transferimit të tyre. Shqipëria mendohej si një vend i rëndësishëm e i sigurt tranziti, si dhe një vendqëndrim i përkohshëm për hebrenjtë që do të shpërnguleshin më pas.

 

Ardhja dhe mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri u përgatit gjatë një dekade e gjysmë përmes shumë faktorësh, ndër të cilët dhe ato që i përkasin veprimit diplomatik:

1. Në vitin 1926, Lidhja e Kombeve i kishte njohur shtetit shqiptar një autoritet të ligjshëm si vend i qëndrimit të përkohshëm të hebrenjve, madje edhe të drejtë të lëshimit të dokumenteve të lëvizjes së tyre.

2. Një prej nismave themelore që inkurajoi ardhjen e hebrenjve në Shqipëri janë përpjekjet e Këshilltarit Z. Mehmet Bej Konica dhe Ambasadorit Amerikan Z. Herman Bernstein për sigurimin e hebrenjve në vitet 1931–1933. Marrëveshja Bernstein–Konica e vitit 1934 përmbante premtimin e qeverisë së Shqipërisë për pranimin e 500 familjeve hebreje. Ambasadori i SHBA Bernstein botoi në New York Times një artikull, ku shqiptarët i quante popullin më pak antisemit në botë.

3. Në vitin 1930, midis Shqipërisë dhe Austrisë u nënshkrua një marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave. Kjo gjë lehtësoi hebrenjtë nga Austria të vinin në Shqipëri. Jo rastësisht, një shumicë hebrenjsh e gjeti rrugën për në Tiranë pikërisht përmes shërbimit konsullor në Vjenë.

4. Në vitet 1934–1935, me qeverinë e Shqipërisë u zhvilluan negociata për pranimin e hebrenjve nga disa institucione dhe organizata ndërkombëtare: Komisariati i Lartë i Refugjatëve i Lidhjes së Kombeve dhe Kongresi Botëror Hebraik. Lidhja e Kombeve caktoi si Komisar të Lartë për stabilizimin e hebrenjve në Shqipëri misionarin James MacDonald. Gjatë bisedimeve me ministrin e Jashtëm shqiptar, Xhaferr Bej Vila, dhe ambasadorin shqiptar në Gjenevë, u arrit një marrëveshje që Shqipëria të kishte statusin e vendit të tranzitimit të hebrenjve drejt Amerikës.

5. Më 17 mars 1935, Sir William Rey, deputet në Parlamentin Britanik, i shkroi Mbretit Zog duke propozuar mundësinë e investimit në Shqipëri të kapitaleve të një grupi hebraik që ai kryesonte, si vazhdim i negociatave në Paris.

6. Projekti më i rëndësishëm ndërkombëtar për pranimin e hebrenjve në Shqipëri iu paraqit ministrit të Ekonomisë të Shqipërisë nga përfaqësuesi i lëvizjes sioniste, Leo Elton. Ai dhe qeveria shqiptare ranë dakord për pranimin e grupeve të hebrenjve në rrezik.

7. Pranimi i hebrenjve shqetësoi Italinë fashiste, e cila kishte frikë nga humbja e privilegjeve të saj, të njohura qysh në Konferencën e Ambasadorëve më 1921. Ndërkohë, Tirana po negocionte me qeverinë britanike për të lehtësuar pranimin e hebrenjve, një nismë që do të shoqërohej me investime dhe një status ndërkombëtar të mbrojtur. Në shkurt të vitit 1939, diplomati shqiptar Çatin Saraçi zhvilloi bisedime në Londër me kryeministrin e ardhshëm britanik Winston Churchill për të arritur një marrëveshje për transferimin e hebrenjve nga Palestina. Për arsye politike, Mbreti Zog u rikthye më pas idesë për pranimin e 25 mijë familjeve hebreje në Shqipëri pas rivendosjes së paqes.

8. Kërkesat e hebrenjve me shtetësi gjermane, polake, çeke ose hungareze për të marrë lejekalime në Shqipëri dhe më pas lejeqëndrim u shtuan gjatë viteve 1938–1939. Shpesh këto kërkesa shoqëroheshin me projekte financimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, gjë që rriti interesin e qeverive shqiptare për t’i shqyrtuar dhe miratuar.

9. Në këtë kontekst, spikati roli i diplomatëve shqiptarë, të cilët përcillnin këto kërkesa në qeveri me argumente të mirëstrukturuara dhe ndiqnin procesin deri në finalizim. Puna e tyre diplomatike zhvillohej nën presionin dhe ndërhyrjet e qeverisë fashiste italiane, e cila kishte një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri gjatë viteve ’30-të. Dy nga diplomatët e shquar shqiptarë që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, janë: Rauf Fico, Ministër i Legatës Mbretërore të Shqipërisë në Berlin, dhe Dhimitër Berati, Ministër i Legatës Mbretërore të Shqipërisë në Romë. Një shembull i kësaj pune pasqyrohet në një dokument arkivor të janarit 1939 nga Legata Mbretërore e Shqipërisë në Berlin. Dokumenti përmban një kërkesë për ndihmë nga një ish-zyrtar gjerman i Republikës së Vajmarit, me origjinë hebreje, i cili kërkonte të vendosej në Shqipëri. Rauf Fico e përfundon raportin me fjalët: “Pozita e çifutëve, tue qenë se asht e pastabilizuar dhe për çdo çast mund të pësojnë shtrëngime e ndalime të papritura, J’u lutem të kini mirësinë e të më urdhëroni telegrafisht sa më parë mënyrën e veprimit ndaj Zotnisë së Tij.”

10. Gjatë periudhës fashiste u hartuan lista të plota të hebrenjve të ardhur në Shqipëri dhe u ngritën disa kampe të tranzitimit të tyre. Në këtë periudhë pati tri valë të mëdha ardhjesh: 192 hebrenj nga Mali i Zi, 350 nga Dalmacia dhe rreth 600 nga Kosova. Në shtator të vitit 1943, kur Hermann Neubacher vizitoi Tiranën për krijimin e Regjencës, ai kërkoi dorëzimin e floririt, dy kodikëve të Beratit dhe listave të hebrenjve. Këto kërkesa u refuzuan, dhe hebrenjtë u mbrojtën nga familjet shqiptare.

11. Në tetor të vitit 1943, në Berlin, gjatë një takimi midis përfaqësuesve të Gestapo-s dhe Ministrisë së Jashtme Gjermane, u vendos që të mos ndërhyhej ndaj hebrenjve në Shqipëri pa një konsultim të dytë me qeverinë shqiptare, pasi kjo e fundit ishte shumë e ndjeshme ndaj çështjes. Edhe në prill dhe maj të vitit 1944, Tirana kundërshtoi kërkesat e nazistëve për dorëzimin e listave të hebrenjve, duke ndaluar kështu përpjekjet për dëbimin dhe shfarosjen e tyre.

12. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati një marrëveshje të heshtur midis organizatave rivale si Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar për të mos përfshirë hebrenjtë në konfliktet e brendshme dhe për t’i mbrojtur ata nga rreziku i shfarosjes masive.

Në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 2000 hebrenjve për shkak të guximit të qytetarëve shqiptarë për të rrezikuar jetën e tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë e arratisur nga vendet fqinje. Shqipëria ishte i vetmi territor i pushtuar nga nazistët që përjetoi një rritje të popullsisë hebreje gjatë Holokaustit.

EKSPOZITA për Hebrenjtë

Materialet e skanuara per Hebrenjtë