Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Dialogu politik: Bashkëpunimi mes dy vendeve vlerësohet i shkëlqyer dhe vëllazëror. Shqipëria ishte nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe më 19 shkurt 2008 vendosi marrëdhëniet diplomatike.

Bashkëpunimi dypalësh udhëhiqet nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe begatisë së saj.

Bashkëpunimi midis dy shteteve tona konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Vizitat dhe kontaktet e nivelit të lartë, tregojnë qartë vullnetin politik për një partneritet më të ngushtë në të gjitha fushat.

Nëntë Mbledhjet Ndërqeveritare (G2G) dëshmojnë qartë vullnetin politik të të dy vendeve dhe gatishmërinë që të çojmë përpara bashkëpunimin midis tyre bazuar edhe në marrëveshjet e firmosura gjatë këtyre mbledhjeve. Mbledhja e nëntë u nënshkruan 14 dokumente (marrëveshje, memorandume dhe deklarata) të cilat shërbejnë në konkretizimin e mëtejshëm të thellimit të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit dypalësh e rajonal, me synim  përmirësimin e jetesës së qytetarëve tanë.

Shqipëria mbështet dhe po punon për fuqizimin e veprimit politiko-diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në forumet e nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe në procesin e avancimit të njohjeve. Avancimi i agjendës integruese në BE do të sjellin përparimin e qëndrueshëm të vendit dhe konsolidimin e proceseve demokratike në Kosovë.

Vlerësohet shtrirja e mëtejshme e përfaqësive të përbashkëta diplomatike, duke synuar vënien në qendër të vëmendjes zhvillimin e diplomacisë ekonomike si një nevojë parësore për të dyja vendet.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Vlerësohen hapat e ndërmarra deri më tani me Kosovën në kuadër të unifikimit të tregjeve, rrëzimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, që janë premisë e mirë për nxitjen e interesave tona në kuadër të Procesit të Berlinit për një treg të përbashkët rajonal.

Turizmi mbetet në rritje të vazhdueshme dhe një kontribuues i rëndësishëm në ekonomitë e dy vendeve. Me kënaqësi vërehet rritje e fluksit të vizitorëve në drejtim të Kosovës.

Në vitet e fundit ka pasur një rritje në shkëmbimin tregtar ndërmjet dy vendeve në eksporte dhe në importe. Marrëveshjet për zbatimin e lehtësirave doganore dhe shmangien e tatimit të dyfishtë, po ndihmojnë në lehtësimin total të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Sidoqoftë, mundësitë janë shumë herë më të mëdha.

Dialogu Kosovë-Serbi: Republika e Shqipërisë, vlerëson se Dialogu Kosovë- Serbi është rruga e vetme drejt paqes dhe se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të kapërcejnë ngërçin aktual në dialogun e tyre dhe të punojnë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA, që të mundësoi njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës.

Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t’u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë.