Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria, më 26 prill 1993, me anë të një Deklarate, ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe më 24.12.1993, ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me këtë vend. Pas këtij akti është vijuar me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë.

Angazhimi i përbashkët i qeverive të të dy vendeve tona ndaj vlerave evropiane dhe euroatlantike, ndaj respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë, përfshirë komunitetet pakicë, si dhe ndaj zbatimit të kritereve dhe standardeve ndërkombëtare në zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve të lira dhe sovrane i ka dhënë bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bazën e nevojshme për qëndrueshmëri dhe perspektive afatgjatë.

Në këtë kontekst, Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se ato janë në nivel shumë mirë. Në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me Maqedoninë dhe me bindjen se stabiliteti i këtij vendi fqinj është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe konsekuent në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë një karakteristikë të veçantë krahasuar me marrëdhëniet mes vendit tonë dhe shumë vendeve të tjera. Kjo, para së gjithash, shpjegohet me faktin se në Maqedoni jeton një popullsi shqiptare, e cila për nga numri dhe pjesëmarrja që ka në raport me popullsinë e përgjithshme të Maqedonisë, është element shtet-përbërës. Krahas këtij fakti shumë të rëndësishëm, duhet pasur parasysh se Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë një vijë të gjatë kufitare (tokësore dhe ujore).

Mesazhet tona për faktorin shqiptar në Maqedoni inkurajojnë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional. Shqipëria është e bindur se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Në këtë drejtim, ajo ka dhënë mesazhin që të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut, shqiptare e maqedone, të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin në kohë e në tërësi të kësaj marrëveshjeje.

Me Maqedoninë e Veriut kemi interesa të forta bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh, jo vetëm si vende fqinje, por edhe si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar:

Forcimi i bashkëpunimi ekonomik, zhvillimi i shkëmbimeve tregtare, shtimi i projekteve ndërkufitare dhe rajonale, lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve, zhvillimi i projekteve në kuadër të Korridorit VIII, janë vetëm një pjesë e ndërveprimit midis dy qeverive. Ky bashkëpunim realizohet ndërmjet mekanizmave si: G2G, takimeve tri dhe katër-laterale, vizitave dypalëshe, forumeve të biznesit dhe B2B, konferencave zhvillimore, projekteve ndërkufitare, apo projekte në kuadër të BE-së, etj.

Lidhjet tregtare janë zgjeruar dhe vëllimi i tregtisë është rritur, pavarësisht faktit se jemi akoma shumë larg përdorimit të potencialit tonë të plotë. Nevojitet intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve tregtare, turistike, arsimore e kulturore etj.