MARRËDHËNIET SHQIPËRI – ALGJERI - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 22/06/2022

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – ALGJERI

Algjeria (Republika e Algjerisë Demokratike dhe Popullore) e fitoi pavarësisë nga Franca, më 5 korrik 1962.

Festa Kombëtarë është më 1 nëntor “Dita e Revolucionit” dhe lidhet me datën e fillimit të luftës për pavarësi nga Franca në vitin 1954.

Kryeqyteti Algjer dhe ndarja administrative përfshin 48 provinca.

Me sipërfaqen prej 2.381.741 km2 dhe popullsinë prej rreth 41,7 milionë banorësh, Algjeria është vendi më i madh në brigjet e Mesdheut dhe më i madhi në Afrikë.

Algjeria është një Republikë Presidenciale. Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt me votim popullor, me shumicë absolute dhe në dy raunde nëse është e nevojshme, për një mandat 5-vjeçar. Kryeministri caktohet nga Presidenti pas konsultimit me partinë që ka shumicën në Parlament.

Sistemi legjislativ dydhomësh përfshin Këshillin e Kombit (ekuivalenti i Senatit) dhe Asamblenë Kombëtare Popullore.

Algjeria ka qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara (UN), Bashkimit Afrikan (AU) dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, që nga pavarësia e saj më 1962. Ajo është bashkuar me Organizatën e Vendeve të Eksportimit të Naftës (OPEC) në vitin 1969. Në shkurt 1989, Algjeria mori pjesë, së bashku me shtetet e tjera të Magrebit, në krijimin e Bashkimit Arab Magrebian (AMU).

  

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Algjeri

 

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqiperisë dhe Algjerisë janë vendosur në 13 prill 1962.

Pas Pavarësisë së Algjerisë, më 1962, Shqipëria ishte ndër vendet e para që e njohu atë si shtet. Prej 30 vitesh, 1962–1992, kemi patur përfaqësinë tonë në Algjeri, ku Ambasadori ka qenë i akredituar në vendet e Magrebit dhe në disa vende afrikane. Mjaft studentë shqiptarë kanë ndjekur studimet në universitetet algjeriane.

Aktualisht, mbulimi ynë është nga Ambasada Athinë, dhe po nga Athina realizohet dhe mbulimi i tyre, ndërkohë që kanë dhe një Zyrë Diplomatike në Tiranë.

 

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Shqipëria dhe Algjeria gëzojnë marrëdhënie të mira. Në dekadat e fundit ka pasur interes për realizimin e vizitave të niveleve të ndryshme dhe zhvillimin e dialogut politik, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, ndërkohë që shkëmbimet tretare mbeten në nivele modeste.

Të dyja vendet janë të interesuara për nxitjen e bashkëpunimit në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë, kulturës, etj., dhe janë në proces një numër iniciativash, që synojnë plotësimin e kuadrit ligjor e institucional dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta në nivele të ndryshme dhe ndërmjet aktorëve të përfshirë.