Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Marrëdhëniet Shqipëri-BE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian u vendosën në qershor 1991. Në maj 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, e cila u shoqërua edhe nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët Politike Shqipëri – Komuniteti Evropian. Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një marrëveshje të tillë.

Samiti i Zagrebit i Nëntorit 2000, lançoi Procesin e Stabilizim-Asociimit për 5 vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Negociatat me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit u hapën zyrtarisht në vitin 2003.

Në samitin e Selanikut të qershorit 2003, BE konfirmoi zyrtarisht perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjithë vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim –Asociimit.

Një element kryesor i këtij procesi është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila u nënshkrua në 12 qershor 2006.

Hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje më 1 prill 2009, shënoi një fazë të re më të avancuar të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, të konceptuar si një marrëdhënie kontraktuale me detyrime dhe të drejta reciproke ndërmjet palëve. Kjo Marrëveshje zëvendësoi Marrëveshjen e përkohshme që ishte në fuqi për palët që nga dhjetori 2006 dhe synonte një qasje graduale integrimi politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë me BE-në.

Më 28 prill 2009, Shqipëria paraqiti në Këshillin e BE-së kërkesën për anëtarësim. 

Më 27 qershor 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Këshilli përcaktoi pesë prioritetet kryesore (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh progresin e arritur në reforma dhe përmbushjen e kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli i Qershorit 2018.

Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. 

Konferenca e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE u mbajt më 19 korrik 2022.

Shqipëria ka përfunduar me sukses procesin e shqyrtimit analitik të acquis të BE me Komisionin Evropian nga shtatori 2022 deri në nëntor 2023.

Dialogu Politik Shqipëri – BE 

Shqipëria është një vend negociues me BE dhe ka nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në BE në 19 korrik 2022.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, bazuar në objektivin tonë kombëtar të anëtarësimit në BE, janë strategjike dhe prioritet i politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë.

Dialogu politik BE-Shqipëri shoqëron dhe konsolidon marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë dhe kontribuon në vendosjen e lidhjeve të ngushta të solidaritetit dhe formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet palëve.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dialogu politik Shqipëri-BE zhvillohet në formatin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA). Këshilli i Stabilizim-Asociimit mblidhet një herë në vit për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe shqyrton çdo çështje të rëndësishme që del në kuadër të zbatimit të saj.

Gjithashtu, në nivel parlamentar, dialogu politik ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së zhvillohet brenda kuadrit të MSA-së, e cila parashikon ngritjen e Komitetit Ndër-parlamentar të Stabilizim-Asociimit me anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Në kuadër të negociatave të anëtarësimit, dialogu politik Shqipëri-BE bëhet në formatin e konferencave ndërqeveritare.

Dialogu Politik Ballkani Perëndimor – BE

Shqipëria është pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dialogu Politik BE-Ballkani Perëndimor zhvillohet në kuadër të Samiteve të krerëve të shteteve/qeverive BE-Ballkani Perëndimor.

Për herë të parë, Samiti BE-Ballkani Perëndimor, u mbajt në Sofje, në maj 2018. Agjenda prioritare e Sofjes përshkroi masat e reja për bashkëpunimin e zgjeruar midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në fushat e forcimit të mbështetjes për sundimin e ligjit dhe qeverisjes së mirë, forcimin e angazhimit për sigurinë dhe migracionin, mbështetjen e zhvillimit socio-ekonomik me fokus të veçantë tek të rinjtë, rritjen e ndërlidhjes, fillimin e një agjende digjiitale për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor.

Që atëherë, Samiti i krerëve të shteteve dhe/ose qeverive të BE-së për Ballkanin Perëndimor është mbajtur në Zagreb në 2020, Brdo në 2021, Tiranë në 2022 dhe Bruksel në 2023.

Organizimi i suksesshëm në Tiranë, për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në dhjetor 2022, tregoi një vëmendje të shtuar gjeostrategjike të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e sfidave të shumta të sigurisë në Evropë dhe solli një mesazh të qartë për të ardhmen e tyre në BE dhe nevojën për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i liberalizimit të vizave

Në mars 2008, u lançua dialogu për Liberalizimin e Vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Udhërrëfyesi për Shqipërinë u dorëzua zyrtarisht në qershor 2008, për të vijuar me procesin e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në këtë dokument nga vendi ynë.

Në bazë të plotësimit të kritereve të Udhërrëfyesit, në datë 15 dhjetor 2010, hyri në fuqi regjimi pa viza i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës “Schengen”.