Mbahet takimi i 9-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 26/10/2018

Mbahet takimi i 9-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri

Komiteti i Stabilizim- Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbajti takimin e tij të nëntë më 25 tetor 2018 në Tiranë. Takimi u bashkë-kryesua nga Michela Matuella, Drejtuese e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, në Komisionin Evropian dhe nga Gent Çakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit paraqiti një mundësi për të vlerësuar progresin e Shqipërisë në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, veçanërisht në sundimin e ligjit, administratën publike, tregtinë, zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe peshkimin, industrinë, tregun e brendshëm, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, transportin, energjinë dhe mjedisin.

Komisioni Evropian mirëpriti arritjet në të gjitha fushat, duke përfshirë reformën gjyqësore dhe theksoi rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të saj. Gjithashtu,  nënvizoi nevojën për rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke vlerësuar rezultatet e fundit, veçanërisht veprimet e Policisë së Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit e drogës. Duke siguruar, që operacionet e fundit të rezultojnë në dënime përfundimtare.

Komisioni Evropian përsëriti se dialogu konstruktiv politik dhe bashkëpunimi në Parlament midis qeverisë dhe opozitës është thelbësor për përparimin dhe qëndrueshmërinë e reformave që lidhen me integrimin në BE.

Komisioni Evropian dhe Shqipëria ranë dakord mbi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për të adresuar fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil në shtetet anëtare të BE. Komisioni Evropian pranoi angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, dhe inkurajoi autoritetet që ta ruanin atë si element thelbësor të integrimit evropian.