Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, 17 dhjetor 1920,  delegacioni i parë që mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme në Gjenevë u kryesua nga Fan Noli, ndërsa aktivitetet e tjera ndiqeshin nga përfaqësues të legatave tona në Paris apo në Londër. Për arsye financiare deri në fillim të viteve 30-të nuk pati një përfaqësi të përhershme shqiptare prane Lidhjes së Kombeve. Në fillim të viteve 30-të, kur po rritej kërcënimi i ekstremit nacionalist në Evropë, dhe shtetet e mëdha evropiane po merreshin me situatën e tyre të brendëshme, Lidhja e Kombeve mbeti e vetmja dritare ku shtetet e vogla mund të dëgjoheshin e të merrnin pjesë në zhvillimet ndërkombëtare. Në fillim të viteve 30-të, Zogu bëri përpjekje të shkëputej nga varësia italiane duke forcuar komponentin ballkanik në politikën e tij të jashtme. Qeveria shqiptare filloi të interesohej për një pjesëmarje më aktive në Lidhjen e Kombeve. Në këtë kohë në strukturën e MEPJ u shtua edhe Drejtoria për Punët me Lidhjen e Kombeve si dhe u caktua një Përfaqësi e Përhershme pranë Lidhjes së Kombeve në prill 1930, e kryesuar nga Lec Kurti në fillim si Ministër Rezident e pastaj si Ministër Fuqiplotë. Kurti do të kryente edhe punën e Ministrit Fuqiplotë në Londër, ndërsa Thomas Luarasi, sekretari i përhershëm i përfaqësisë, do të ishte njëherazi edhe Nënkonsull në Konsullatën shqiptare në Gjenevë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, mbylljes së aktivitetit të Lidhjes së Kombeve, dhe themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në 1945, Shqipërisë iu deshën 10 vite për tu antarësuar në këtë organizatë, deri më 14 dhjetor 1955.

Me VKM nr.16, datë 28.01.1956 u miratua organika e “Delegacionit të Përhershëm Shqiptar” pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Ai përbëhej nga:

1-Përfaqësuesi i Përhershëm pranë OKB në rang Ambasadori

2-1 Këshilltar

3-1 Sekretar i I-rë , me funksion këshilltar juridik

4-1 Sekretar i II-të

5-1 shofer

6-1 kafaz

Delegacioni i kryesuar nga Reis Malile, ish-Kryetar i Degës për Vendet e Lindjes në MPJ,  u nis për në New York më 4 korrik 1956 nëpërmjet Jugosllavisë dhe Italisë. Pas disa ditësh qëndrimi në Romë për arsye të vonesës së lëshimit të dokumentave të rregullta nga autoritetet amerikane në Romë, delegacioni mbërriti në New York më 17 korrik. Atje delegacioni u vendos në një apartament me qera, pasi vilat, sipas informacione të sjella, vetëm shiteshin e nuk jepeshin me qera. Me kalimin e ditëve, nisur nga qeratë tepër të larta në New York u gjykua që me qeranë e 5-6 viteve mund të blihej një godinë për vendosjen e misionit, siç kishin bërë edhe delegacionet e përhershme të “vendeve mike”. Qeveria shqiptare ra dakort më këtë gjykim dhe filloi praktika për gjetjen e blerjen e një godine të veçantë për Misionin.

Më 19 korrik 1956, Misioni i Përhershëm i SHBA pranë OKB, i dërgoi Misionit të Përhershëm shqiptar një notë lidhur me kufizimin e qarkullimit të lëvizjeve të stafit të Misionit dhe personave të tjerë që do të vinin për punë në OKB nga Shqipëria deri në 25 milje nga qendra e New York-ut.  Misioni shqiptar u informua se të njëjtën masë kufizimi kishin edhe delegacionet e BRSS dhe  Bullgarisë. Rumunët dhe hungarezët kishin të drejtë të lëviznin deri në 35 milje, ndërsa çekët e polakët nuk kishin kufizime në lëvizje. Me përjashtim të Shqipërisë dhe të Bullgarisë që nuk kishin vendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA, me të tjerët kjo ishte një masë reciprociteti. Çdo kërkesë për të lëvizur jashtë këtij perimetri të caktuar, duhej të njoftohej në përfaqësinë e SHBA në OKB nëpërmjet një formulari që quhej “Kërkesë për autorizim udhëtimi”. Miratimi i saj lejonte realizimin e lëvizjes për arësye pune ose arësye të tjera bindëse. Kjo masë e zuri në befasi delegacionin shqiptar.

Në mungesë të SP të OKB për arsye pune, takimin e parë zyrtar Malile e zhvilloi me Zv.Sekretarin e Përgjithshëm në OKB, sovjetikun Çernishev më 28 korrik. Meqenëse në marrëdhëniet ndërkombëtare po kristalizoheshin përherë e më tepër grupimet e shteteve në dy blloqe të ndryshme politiko-ushtarake, Çernishev e orientoi Malilen se cilat delegacione mund të vizitonte pas dorëzimit të kredencialeve. Kontaktet e para të punës u vendosën me delegacionin sovjetik pranë OKB.

Më 3 gusht 1956, kryetari i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB i dorëzoi kredencialet Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkuara, suedezit Dag Hammarskjold që kishte marrë postin në prill 1953. Takimi nuk u shoqërua nga ndonjë ceremoni protokollare e veçantë. Përveç Sekretarit të Përgjithshëm ndodhej edhe shefi i Protokollit të Sekretariatit, francezi De Noue.  Gjatë këtij takimi Malile përsëriti ftesën e palës shqiptare për Sekretarin e Përgjithshëm për të kryer një vizitë në Shqipëri, ftesë e bërë zyrtarisht në 26 mars 1956. Sekretari i Përgjithshëm premtoi se do të përpiqej të gjente kohë e mundësi, gjë që nuk ndodhi. Në këtë takim Hammarakjold transmetoi mesazhin që pozita e tij në ndërmarrjen e hapave veprues ishte e vështirë pasi OKB u krijua si produkt i një aleance mes shteteve të mëdha antifashiste dhe po ushtronte aktivitetin e saj në një situatë përherë e më pak miqësore midis Lindjes e Perëndimit.  Malile kërkoi mendim nga SP mbi notën amerikane të kufizimit të qarkullimit, por Hammarakjold u shpreh se kjo çështje nuk ishte në kompetencën e tij, as pjesë e marrëveshjes së OKB me qeverinë amerikane. Ai sugjeroi që këtë çëshje ta bisedonin me përfaqësuesin e SHBA në OKB.

Më 20 shtator Malile i bëri një vizitë protokollare përfaqësuesit amerikan në OKB ambasadorit Kabot Lloxh. Qëllimi i vizitës, sipas Maliles, ishte të bisedohej për çështjen e notës së kufizimit të qarkullimit dhe të testohej se sa të predispozuar ishin amerikanët të kishin marrëdhënie me Shqipërinë. Gjatë takimit Malile shprehu mundësinë e bashkëpunimit midis dy delegaciove në OKB si dhe dëshirën e qeverisë shqiptare për të pasur marrëdhënie të mira normale me SHBA. Me një nënqeshje të hollë ambassadori Lloxh u përgjigj se “..Më vjen mirë për fjalët që dëgjoj dhe mbaj shënim për to, por do të bashkëpunojmë në OKB.” Malile foli më pas për notën e kufizimit të qarkullimit për delegacionin shqiptar. Duke qeshur Loxh u përgjigj “…Kjo është një masë reciprociteti”. Habisë se Maliles për këtë përgjigje përsa kohë nuk kishte marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve, Loxh iu përgjigj “Komunistët duan të zaptojnë botën dhe ne duhet ti ndalojme ata ta bëjnë këtë”. Ky opinion linte të kuptohej se kjo ishte një tjetër masë shtërnguese për qeverinë komuniste shqiptare. Ai vazhdoi “..Ka njerëz që fshihen prapa OKB-së, vijnë për të punuar gjoja atje dhe bëjnë lloj-lloj spiunllëqesh”. Në këtë mënyrë nuk u konsiderua kërkesa e Maliles për ta riparë notën e kufizimit të lëvizjeve për diplomatët shqiptarë.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Sesionin e XI të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në nëntor 1956 dhe në 7 komisione që do të zhvillonin aktivitet gjatë Sesionit. Delegacioni i parë në cilësinë e vendit anëtar të OKB përbëhej nga: Behar Shtylla Ministër i Jashtëm, kryetar delegacioni, Nesti Nase Zv/Ministër i Jashtëm, nënkryetar, HalimBudo, drejtor në MPJ, anëtar, Reis Malile, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB,  anëtar, Jonuz Mersini, këshilltar në Mision, zv/anëtar, Nebi Agolli, sekretar i parë në Mision, zv/anëtar, dhe  Kleanth Andoni, sekretar i dytë në Mision, zv/anëtar.