Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kanadanë, 10 shtator 1987

Në vazhdim të përmbushjes së hartës historike me fillesat e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe të shtetit shqiptar, qëndrimeve politike dhe personaliteteve që lanë gjurmë në historinë e diplomacisë shqiptare, si pjesë e historisë tonë të shtet formimit, Kanadaja përbën shtetin e radhës me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike në shtator 1987.

Që pas pranimit të Shqipërisë në OKB, 1955, qarqe të ndryshme kanadeze shkencore, kulturore e artistike, gazetare e kompani tregtare, filluan të interesohen për Shqipërinë e mundësitë që ajo ofronte.

Në prill 1964, pas daljes së Shqipërisë nga blloku lindor, qeveria shqiptare me dëshirën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kanadanë kreu sondazhin e parë tek përfaqësia diplomatike kanadeze në Havanë nëpërmjet ambasadës shqiptare atje, duke kërkuar “vendosjen e marrëdhënieve normale midis dy vendeve”. Përfaqësuesi kanadez u angazhua ta transmetonte këtë propozim në qendër, por kjo nuk u pasua nga asnjë përgjigje.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 1971, duke vlerësuar pavarësinë e Shqipërisë jashtë blloqeve ushtarake pas daljes së saj nga traktati i Varshavës në 1968, i Ngarkuari me Punë i Kanadasë në Beograd, kërkoi të zhvillonte një vizitë private në Tiranë e të takonte privatisht edhe drejtues të MPJ. Edhe pse Tirana zyrtare e dha miratimin, kjo vizitë nuk u realizua pa dhënë arsye. Mosrealizimi i vizitës u konsiderua si “fyerje” nga Tirana zyrtare.

Kërkesa për vendosje të marrëdhënieve diplomatike u artikulua më qartë në prill 1972 nga ambasadori i Kanadasë në Athinë i cili e shprehu verbalisht atë si kërkesë e qeverisë kanadeze. MPJ u shpreh dakord ndaj kësaj kërkese në parim, pasi nuk kishte probleme të trashëguara me Kanadanë, por qeveria vendosi që kërkesa të lihej në heshtje që të mos krijoheshin imazhe të gabuara për ndryshim qëndrimi ndaj SHBA-së. Kanadaja ishte e përfshirë në angazhime të përbashkëta me forcat amerikane në rajone të ndryshme të botës, në situata konfliktuale, si dhe kishin paraqitur afërsi me Beogradin zyrtar. Ky qëndrim u pasua me refuzimin e çdo ftese që vinte nga Kanadaja për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme shkencore, sportive e kulturore. Qeveria kanadeze caktoi Atasheun e saj tregtar në Vjenë për të trajtuar marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë. Përveç interesave të tjera tregtare, ky i fundit në 1974 i kërkoi qeverisë shqiptare edhe mundësinë e kërkimit të naftës në bregdetin shqiptar nga kompanitë kanadeze, gjë që u refuzua që në fillim nga pala shqiptare.

Ndërkohë partia-shtet kishte marrëdhënie të mira e jo pak intensive me PK të Kanadasë, e cila në vitin 1977 shprehu dëshirën të krijonte edhe shoqatën e miqësisë kanadezo-shqiptare, gjë që u realizua një vit më vone. Burimet arkivore dëshmojnë edhe për një intensifikim të marrëdhënieve tregtare në këtë kohë. Shqipëria eksportonte kryesisht mineral kromi, duhan, cigare, etj., dhe importonte minerale të përpunuara. Nëpërmjet shoqatës së miqësisë filluan të lëviznin edhe grupet e para turistike nga Kanadaja në Shqipëri.

Me intensifikimin e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve, në 30 qershor 1982, ambasadori kanadez në Beograd i propozoi Të Ngarkuarit tonë me Punë atje, verbalisht dhe me notë zyrtare, kërkesën e qeverisë së tij për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, që nuk trashëgonin asnjë problem nga e kaluara. Pavarësisht se MPJ u shpreh dhe argumentoi përsëri përgjigje pozitive, politika vendosi që propozimi të lihej në heshtje, ndërkohë intensifikoheshin ftesat nga pala kanadeze për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kulturore e shkencore, trajnime në fushën e përpunimit të naftës, etj., të cilat tani filluan të pranoheshin nga pala shqiptare.

Kërkesa zyrtare u përsërit përsëri nga pala kanadeze në ambasadën shqiptare në Beograd, në prill 1986, pas vdekjes së Hoxhës e në kuadër të pritshmërive të perëndimit për një orientim të ri të politikës së jashtme shqiptare. Po këtë vit, mbulimi i marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë u kalua nga Vjena në Beograd. Përfaqësuesit kanadezë në takime me diplomatë shqiptarë në Athinë, Bukuresht, Romë apo Pekin theksonin interesin në rritje të Kanadasë për mineralet shqiptare në kohën kur Evropa po ndërmerrte sanksione kundër Afrikës së Jugut, që kishte qenë furnizuese kryesore e kromit dhe mineraleve të tjera. Përsëri MPJ gjeti argumente të mjaftueshëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, ndërsa qeveria shqiptare refuzonte të jepte përgjigje pozitive për shkak të marrëdhënieve të afërta të Kanadasë me SHBA.

Në maj 1987 ambasadori i Kanadasë në Beograd ri përsëriti me këmbëngulje tek përfaqësuesi shqiptar atje nevojën për të patur një përgjigje për kërkesën zyrtare të qeverisë kanadeze të bërë që në vitin 1982. Përsëri diplomacia shqiptare orientoi politikën e kohës për një përgjigje pozitive, me argumentet se nuk ekzistonin probleme të vjetra mes dy vendeve, Kanadaja nuk kishte demonstruar asnjëherë qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë dhe as ndërhyrje në punët e saj të brendshme, ky akt do të ishte një vlerë e shtuar për imazhin e Shqipërie në sytë e perëndimit, si dhe faktin që Kanadaja ishte një vend i madh dhe i zhvilluar që jepte mundësi për intensifikim të marrëdhënieve tregtare. MPJ argumentonte gjithashtu se vendosja e marrëdhënieve diplomatike, do të ndikonte pozitivisht edhe tek emigracioni ekonomik shqiptar në Kanada.

Këtë radhë politika shqiptare u bind për një përgjigje pozitive, e kushtëzuar edhe nga rrethanat ekonomike që vështirësoheshin çdo vit dhe klimës së re ndërkombëtare. Përgjigja u kthye po nëpërmjet përfaqësisë tonë në Beograd më 10 qershor 1987. Po këtë ditë sipas protokollit tonë të kohës u propozua edhe teksti i komunikatës së përbashkët për shpalljen publike të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Pas negociatave për tekstin e komunikatës, kanadezët ranë dakord për datën 10 shtator 1987, si datë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kanadaja do e mbulonte Shqipërinë nga ambasada e saj në Beograd, titullari i të cilës ishte Terence Charles Bacon, ndërsa Shqipëria do e mbulonte marrëdhëniet dypalëshe me Kanadanë nga misioni i saj pranë Kombeve të Bashkuara në New York, me ambasador në atë kohë, Bashkim Pitarka.