Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Çekosllovakinë, sot Republika Çeke e Sllovakia

Në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Çekosllovakisë, e përfaqësuar sot nga Republika Çeke dhe Sllovakia, sjellim në vëmendjen tuaj, një historik të shkurtër të rrugëtimit të kësaj marrëdhënie.

Pavarësisht pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1920, rruga e njohjes ndërkombëtare të qeverisë së re shqiptare si qeveri de jure e de facto e shtetit shqiptar, u hap vetëm pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, 9 nëntor 1921, i cili rinjohu shtetin shqiptar si të pavarur e sovran në kufijtë politikë të vitit 1913.

Në 28 janar të vitit 1922, Ministri i jashtëm Shqiptar Fan Noli, u drejtoi një kërkesë zyrtare qeverive të disa shteteve për njohjen e qeverisë shqiptare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike .Mes shteteve që shprehen menjëherë vullnetin e mirë, ishte edhe qeveria e Republikës Çekosllovake, e cila me 5 korrik 1922 njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare se kishte vendosur të njihte Shqipërinë si shtet të pavarur e sovran dhe qeverinë e tij legjitime.

Vetëm dy muaj pas njohjes, në shtator 1922 Ministri i Jashtëm çekosllovak Eduard Benesh, shprehu gatishmërinë për të hapur një konsullatë në Shkodër, me detyra tregtare e politike dhe i kërkoi edhe palës shqiptare të dërgonte përfaqësuesin e saj në Pragë. Por në vazhdën e qëndrimeve të shteteve të tjera me përfaqësuesit e tyre në Shqipëri, konsullata e parë e Republikës Çekosllovake u hap në Tiranë ne vitin 1925, Konsull z.Joseph Kadlec. Dy vite më pas, në vitin 1927, duke ndjekur zhvillimet pozitive në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Konsullata në Tiranë u ngrit në nivelin e Agjencisë Diplomatike dhe Konsullatës së Përgjithshme e më pas në nivelin e Legatës me përfaqësues të rangut diplomatik i Ngarkuar me Punë.

Në gjysmën e dytë të viteve 20-të, u hap edhe Konsullata e Nderit e Shqipërisë në Pragë, Konsull Z. Matauseg, i cili dha një kontribut të spikatur për njohjen e Shqipërisë, historisë së saj, pranë qarqeve zyrtare e politike çekosllovake, apo nxitjen e turizmit çek në Shqipëri në kushtet e viteve 30-të. Më pas, Çekosllovakia hapi në Shqipëri Konsullatën e saj të Nderit në Korçë në vitin 1929, z. Gaqo Turtulli tregtar si Konsull Nderi, dhe në Shkodër, me avokat Jozef Haxhia si Konsull Nderi. Këto konsullata nxitën më tej marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve duke kontribuar për të renditur Çekosllovakinë në partnerin e dytë tregtar në Shqipëri, pas Italisë, për nga volumi i produkteve në vitet ’30-të të shekullit XX.

Qeveria çekosllovake, nëpërmjet të ngarkuarit të saj me punë në Tiranë, Lev Vokac, mbështeti përpjekjet e monarkisë shqiptare në gjysmën e parë të viteve 30-të për t’u shkëputur nga presioni i Italisë fashiste duke mbështetur reformat për kombëtarizimin e arsimit në vend dhe forcimin e politikës ballkanike të qeverisë shqiptare. Ishin këto arsyet që qeveria e Tiranës kërkoi nga Praga zyrtare zgjatjen e mandatit të Ngarkuarit me punë, Vokac . Në vitin 1934, gjatë mandatit të Vokac, u nënshkruan dy marrëveshje midis dy vendeve, në fushën e Tregtisë dhe atë të Ekstradimit dhe asistencës juridike në çështjet penale.

Rekordet arkivore dëshmojnë për kontributin e Konsullatës shqiptare në Pragë për lehtësimin e kalimit në Shqipëri të popullsisë hebreje që banonte në Çekosllovaki, kur presioni i nazizmit gjerman po rritej mbi Pragën zyrtare.

Legata e Çekosllovakisë në Tiranë u mbyll në 1 mars 1939, në prag të pushtimit nazist të Çekosllovakisë , duke ia kaluar funksionet e saj legatës çekosllovake në Romë. Një muaj më pas, një fat të tillë do kishte edhe Shqipëria, teksa bota hyri në Luftën e Dytë Botërore.

Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën pas përfundimit të luftës, por tashme në një ambient krejt tjetër politik ndërkombëtar, në kushtet e Luftës së Ftohtë që po konsolidohej mes dy blloqeve politike. Zhvillimet politike që pasuan luftën e dytë botërore i pozicionuan këto dy vende si anëtare të bllokut lindor sovjetik . Pas njohjes së qeverisë komuniste shqiptare në nëntor 1945, në vitin 1949 u hapën legatat në dy kryeqytetet respektive. 5 vite më pas, në vitin 1954 niveli i përfaqësimit diplomatik u ngrit nga Legatë ne Ambasadë, duke dëshmuar për një marrëdhënie të konsoliduar ndërmjet dy vendeve.

Pas përplasjes ideologjike me Moskën zyrtare dhe daljes së Shqipërisë nga blloku lindor sovjetik në vitin 1961, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk u ndërprenë, por niveli i përfaqësimit diplomatik ra në të Ngarkuar me Punë.

Gjithsesi, pushtimi brutal i Çekosllovakisë nga forcat e Traktatit të Varshavës nën drejtimin e ushtrisë sovjetike në vitin 1968 për të shtypur përpjekjet e saj për të dalë nga orbita sovjetike, u dënua fuqishëm nga qeveria shqiptare e kohës dhe Shqipëria doli zyrtarisht nga kjo aleancë politiko-ushtarake.

Me fillimin e ndryshimeve demokratike në Evropën Lindore e Qendrore dhe një fryme të re komunikimi Lindje-Perëndim, marrëdhëniet midis dy vendeve u normalizuan në vitin 1989 dhe niveli i përfaqësimit u ngrit përsëri në nivel ambasadori.

Pas shpërbërjes së Republikës Federale Çekosllovake në dhjetor 1992, ndërpreu punën edhe ambasada e saj në Tiranë. Ndërkohë, dy republikat çeke e sllovake kërkuan njohjen e tyre dhe vendosjes e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën zyrtare.

Më 1 janar 1993, shteti shqiptar njohu Republikën Çeke dhe atë Sllovake dhe më 4 janar deklaroi edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të dy shtetet.