Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, 7 shtator 1991

Në fundin e viteve 80-të të shekullit XX, në kuadrin e një fryme të re komunikimi Lindje –Perëndim në një plan të gjerë, në Shqipërinë e rënduar nga pikëpamja ekonomike kishin filluar masa liberalizuese në politikat e brendshme dhe hapja në politikën e jashtme. Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri në gusht 1989 e dhjetor 1990 ,vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Havier Perez De Kuelar në Shqipëri maj 1990, ngjarjet në ambasadat e huaja në Tiranë korrik 1990, kërkesa e qeverisë shqiptare për anëtarësim në KSBE me të drejta të plota 1990-1991, përpjekjet për të vendosur marrëdhënie diplomatike me TPE, kishin orientuar qeverinë shqiptare që të konsideronte seriozisht vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, si një moment që do të kishte një efekt shumë pozitiv në komunitetin ndërkombëtar e tek qeveritë e shumë vendeve ku Selia e Shenjtë kishte ndikim të madh. Këtë e paraprinë ndryshimet në Kodin Penal për heqjen e dënimit për ushtrimin e besimit fetar dhe lejimin e hapjes së institucioneve fetare në Shqipëri në 1990. Më 4 nëntor 1990, u dha një meshë e parë në kapelën e vogël të varrezave të Shkodrës, e cila shërbeu si altar. Po atë ditë, u dha një dǘa në Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga besimtarët myslimanë. Filloi sërish ngritja e kishave, xhamive dhe teqeve.

Selia e Shenjte i ndoqi me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Profesorët e Historisë në Universitetin e Romës Andrea Ricardi, themelues i Komunitetit të Sant’Egidio që në 1968, dhe Prof. Damaco anëtar i këtij Komuniteti. miq të ambasadës shqiptare në Romë, njoftonin herë pas here diplomatët shqiptarë atje për një opinion që po ndryshonte pozitivisht në Selinë e Shenjtë për Shqipërinë dhe demokratizimin e jetës në vend. Selia e Shenjtë po inkurajonte çdo përpjekje të Perëndimit për hapjen e Shqipërisë me botën e qytetëruar.

Ndër kërkesat e pare të shtetit të Vatikanit ndaj qeverisë shqiptare e përcjellë në rrugë diplomatike nëpërmjet ambasadës shqiptare në Romë ishte ajo e qershorit 1990. Selia e Shenjtë kërkonte që të lejohej ti dërgonte peshkopit shqiptar në Lezhë, Nikolla Troshanit një letër përshëndetëse, por kjo të bëhej jo fshehtas por në rrugë diplomatike. Ky ishte një test për qeverinë shqiptare të kohës. Ajo e mundësoi një gjë të tillë në dhjetor 1990. Letrën e MPJ të Vatikanit Mon. Angel Sodanos për peshkop Troshanin e solli në ambasadën shqiptare në Romë Prof. Ricardi. Letra u përcoll në destinacion, po kështu edhe përgjigja e tij për Selinë e Shenjtë.

Gjatë janarit 1991 përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë të akredituar në shtetet ku kishin rezidencat edhe ambasadat shqiptare kërkonin takime njohjeje me ambasadorët shqiptarë. Përfaqësuesit shqiptarë u udhëzuan ti pranonin këto takime dhe t’u flisnin bashkëbiseduesve për proceset liberalizuese që kishin filluar në Shqipëri. Në 18 janar 1991 MPJ i Vatikanit Zhan Lui Taran duke vlerësuar zhvillimet në Shqipëri i kërkoi ambasadorit shqiptar në Romë lejimin e një vizite të Zv/MPJ për tu takuar me peshkopin shqiptar. Takimi i kërkuar ishte testi i dytë për qeverinë shqiptare në proceset ku kishte hyrë në marrëdhëniet me jashtë ndaj u përgjigj pozitivisht kërkesës. Ky qëndrim mori mbështetjen edhe të Kryetarit të Sesionit të 45-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB dhe MPJ i Maltes Guido de Marco, gjatë një vizite të tij në Shqipëri në fillim të marsit 1991. Zv.MPJ i shtetit të Vatikanit, Klaudio Celi vizitoi Shqipërinë në një vizitë private në 20-23 mars 1991. Me 21 mars Zv/MPJ takoi klerikun Nikolla Troshanin në Lezhë e në ditët në vijim takoi edhe Zv/MPJ dhe MPJ të Shqipërisë. Gjatë vizitës ai shoqërohej nga Mon. Alen Lebaupin, i ngarkuar për problemet e KSBE-së në Selinë e Shenjtë. Ata përshëndetën zhvillimet në Shqipëri, pranimin e trashëgimisë së vlerave të përbashkëta evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, angazhimin e saj për zbatimin e normave dhe parimeve të KSBE ku ajo synonte të antarësohej dhe parashtruan edhe problemet që preokuponin komunitetin e katolik në Shqipëri si: mungesa e kuadrove, mosha e avancuar e tyre , mungesa e pajisjeve dhe objekteve fetare në institucionet fetare, mungesa e mundësive për kualifikimin e klerikëve të rinj etj. Ata i kërkuan qeverisë shqiptare që të lejonte Selinë e Shenjtë të ndihmonte në këtë drejtim.

Më 12 prill 1991 mbërrin në Shqipëri Monsinjor Vincenzo Paglia, bashkë-themelues i Komunitetit Sant’Egidio, prelat katolik, i cili kishte vizituar Shqipërinë edhe gjatë viteve 1990 dhe ishte takuar me autoritetet shqiptare duke ndikuar tek ata për lirinë e besimit në Shqipëri, Mons. Paglia shoqëronte ndihma, ushqime e medikamente nga popullsia e Piemontit për popullin shqiptar. Ai përcolli mesazhe pozitive nga Selia e Shenjtë për ndryshimet demokratizuese në Shqipëri. Ai madje premtoi një mbështetje të madhe ekonomike nga perëndimi që Shqipëria të kapërcente vështirësitë ku ndodhej. Në maj 1991 vizituan Shqipërinë të dërguar të tjerë të Papës, 15 maj-15 qershor, që do të punonin konkretisht me kishën katolike shqiptare për problemet teknike me të cilat ajo përballej.

Gjatë vitit 1991 u zhvilluan dy vizita të kryeministrave shqiptarë në Selinë e Shenjtë, në maj dhe korrik të cilët patën audiencë tek Papa Xhovani.

Më 2 gusht 1991 MPJ M. Kapllani në vazhdim të bisedimeve të zhvilluara midis dy palëve i përcolli një notë zyrtare Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Kardinal Rev.MA Angelo Sodano ku shprehte dëshirën e qeverisë shqiptare për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë duke respektuar në këto marrëdhënie të drejtat dhe detyrimet që rridhnin nga zbatimi i Kartës së OKB-së dhe Konventa e Vjenës “ Për marrëdhëniet diplomatike “ të vitit 1961. Sekretari i Shtetit iu përgjigj kësaj note më 16 gusht ku shprehej gatishmëria për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel Ambasadori të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të akredituar në Selinë e Shenjtë dhe Nunci Apostolik të akredituar pranë qeverisë shqiptare. Selia e Shenjtë kërkonte që ambasadori i akredituar pranë qeverisë italiane nuk mund të ishte ambasador pranë Selisë së Shenjtë. Nga ana tjetër “Selia e Shenjtë beson që marrëdhëniet zyrtare të vendosura me Shqipërinë do jenë një avantazh për të dy palët, do ti shërbejnë forcimit të lidhjeve dhe miqësisë midis tyre, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Selia e Shenjtë është e sigurt që Kisha katolike do të gëzojë në Shqipëri lirinë e plotë në ushtrimin e misionit të saj shpirtëror në vend si dhe do të ketë mundësinë të zhvillojë bashkëpunimin e saj me autoritetet shqiptare në fushën sociale dhe arsimore.” ( D.1684, V.1991). Ai propozonte që deklarata e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të bëhej më 7 shtator 1991 në orën 12.00. MPJ e Shqipërisë përgjigjet me 22 gusht duke pranuar të gjitha kërkesat e Selisë së Shenjtë për përfaqësimin dhe shprehte të njëjtat bindje me Selinë e Shenjtë për benefitet nga ky bashkëpunim. Marrëdhëniet diplomatike u vendosën më 7 shtator 1991.

Më 18 shtator mbërrin në Tiranë i Ngarkuari me Punë i Selisë së Shenjtë Monsinjor Diego Causero.

Ambasadori i parë Monsinjor Ivan Dias u emërua zyrtarisht me 22 tetor si Nunci Apostolik në Shqipëri, dhe mbërriti në Tiranë më 14 dhjetor 1991.

Selia e tyre u vendos në selinë e ambasadës së ish-Gjermanisë Lindore.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, 7 shtator 1991