Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Suedinë

Suedia më 1 janar 2023 mori kryesimin e Presidencën së radhës të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, është me interes të kthehemi pas në kohë për të parë fillesën e marrëdhënieve diplomatike te Shqipërisë me Suedine.

Para Luftës së Dytë Botërore, Suedia ka njohur qeverinë shqiptare si de jure e de facto në v.1922, por pa avancuar me tutje përveç interesit turistik. Gjate Luftës së Dytë Botërore, Suedia qëndroi neutrale dhe përfitoi nga ky status, jo vetëm duke shmangur shkatërrimin, por edhe duke i shitur mallra industriale dy palëve në konflikt. Ajo u pranua në OKB ne vitin 1946. Pas luftës, në modelin e saj ekonomik ajo u njoh për traditën e saj të “rrugës së mesme” që ishte një kombinim i ndërmarrjes kapitaliste private me një përfshirje të gjerë të qeverisë në ekonomi dhe një sistem të zhvilluar të mirëqenies sociale. Për shumicën e viteve të pasluftës, politikat suedeze u dominuan nga Partia Social Demokrate. Vendet skandinave për shkak të vendndodhjes se tyre dhe burimet që ofronin kishin një rëndësi strategjike për dy anët e konfliktit gjatë Luftës së Ftohtë. Suedia zgjodhi përsëri neutralitetin në politikën e saj të jashtme. Ky pozicion qetësonte shqetësimin e BRSS, megjithëse Suedia mbante lidhje të afërta kulturore e tregtare me Perëndimin. Vetëm në fillim të viteve ’90-të, kur rreziku sovjetik u zvogëlua, suedezet aplikuan për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër historik duhet parë edhe ecuria e procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore.

Përgjatë gjysmës së dytë të viteve 40-të dhe gjatë viteve 50-të, nëpërmjet legatave suedeze në Beograd apo në Moskë, shohim shprehje interesi nga kompani suedeze tregtare për biznes të lëndëve të para minerare me Shqipërinë, si dhe nga institucione suedeze të kulturës, sportit, apo mjekësisë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në aktivitete, pa marrë shpesh përgjigje pozitive nga pala jonë. Vinin gjithashtu kërkesa nga gazetarë suedezë me autorizim të MPJ suedeze për të bërë reportazhe për Shqipërinë, për ta bërë atë të njohur në opinionin publik për sa kohë nuk kishte marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve.

Në janar 1958, në një pritje në Moskë, ambasadori suedez atje takoi ambasadorin shqiptar dhe i ngriti çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, si proces që ta ndiqnin dy ambasadorët në Moskë. Ambasadori shqiptar kërkoi menjëherë mendimin e qendrës. Tirana zyrtare orientoi përfaqësuesin e saj në Moskë se ishin dakord me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Suedinë. Mesa duket ky ishte një test i parë për Tiranën, pasi pala suedeze u tërhoq nga propozimi gjoja për arsye financiare që të mos shtonin shpenzimet me zgjerimin e përfaqësive në vende të tjera, por u shprehën se kjo nuk pengonte vazhdimin e mbajtjes së marrëdhënieve të mira midis dy vendeve. Pavarësisht propozimit të Tiranës, që Shqipëria të mbulohej nga ambasada suedeze në Beograd, kjo nuk ndryshoi gjë në qëndrimin suedez. Ndërkohë Shqipëria akoma ishte pjese aktive e bllokut lindor. Ky fakt bashkë me informacionet që i erdhën qeverise suedeze nga përfaqësitë e saj në Beograd, Francë e Romë për një nivel shumë të ulët të ekonomisë shqiptare, e për pasojë mundësi shumë të pakta për shitjen e mallrave në tregun shqiptar, mjaftuan për të shtyrë vendimin për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

Pala shqiptare nëpërmjet përfaqësuesve të saj jashtë, tregoi vazhdimisht një interes të qëndrueshëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve përgjatë gjithë viteve ’60-të. Në Suedi ishin të vendosur edhe emigrantë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova. Në vitin 1963 një delegacion tregtar bëri një vizitë një mujore në Suedi, për të parë mundësitë e rritjes së bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Pas daljes nga blloku lindor, kontakti midis përfaqësuesve të dy vendeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u zhvendos në Paris. Aty u rikonfimua në 1963 dëshira e mirë e dy vendeve për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të mira dhe avancimin e tyre, ku pala suedeze propozoi shtimin e numrit të turistëve suedeze në Shqipëri qoftë edhe nëpërmjet agjencive turistike franceze. Edhe pas daljes nga blloku lindor, apo siç njihej ndryshe “Perandoria sovjetike” në 1961, Shqipëria ishte akoma pjesë e Traktatit të Varshavës. Pas daljes së Shqipërisë nga kjo aleancë politiko-ushtarake e Lindjes, në vitin 1968, rruga ishte e hapur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet neutrale.

Më 28 maj 1969 ambasadori i Suedisë në Paris i propozoi ambasadorit shqiptar atje, në emër të qeverisë suedeze, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve me argumentin se qeveria suedeze ishte e mendimit se kishte ardhur koha për forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Ai kerkoi edhe agrementin për ambasadorin e tyre në Beograd Finmark Tor Lennart, me qëllim që ai të ishte njëkohësisht i akredituar si ambasador i Suedisë në Shqipëri.

Qeveria shqiptare i ktheu përgjigje pozitive propozimit suedez po nëpërmjet ambasadorit të saj në Paris, dhe shtoi se ajo propozonte daljen me një deklaratë të përbashkët të dy qeverive në shtypin lokal në të njëjtën ditë ku të njoftohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Dy ambasadorët ranë dakord që kjo deklaratë të publikohej me 20 qershor 1969 dhe të shtohej në tekstin e saj edhe dhënia e agrementit për Finmark Tor Lennart si ambasador i Suedisë në Shqipëri me qëndrim të përhershëm në Beograd.

Në gusht 1970 Ministria e Jashtme shqiptare i propozoi qeverisë së kohës hapjen e një ambasade shqiptare në Stokholm, dhe ambasadori shqiptar me qëndrim të përhershëm në Suedi të akreditohej edhe në Finlandë, Danimarkë dhe Norvegji duke e argumentuar këtë me shtimin e marrëdhënieve tregtare e turistike me këto vende, me të cilat synohej të arrihej në marrëveshje konkrete në këto fusha.

Ambasada shqiptare në Stokholm arriti të hapej pas dy vitesh, në shtator 1972, dhe ambasadori i parë atje ishte Sami Baholli.