Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Historia e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Danimarkë

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës i kanë fillesat shumë më herët sesa vendosja zyrtare e lidhjeve diplomatike. Danimarka njohu shtetin shqiptar dhe qeverinë e tij më prill 1922, në kuadrin e njohjeve që pasuan vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Paris më 1921. Megjithatë, kjo njohje nuk u materializua menjëherë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike për shkak të zhvillimeve gjeopolitike të dekadave që pasuan, veçanërisht Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes të regjimeve totalitare në Evropën Lindore. Pas vitit 1945, Shqipëria u izolua gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare si rezultat i orientimit të saj komunist radikal dhe më pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën.

Në një kuadër të tensionuar politik dhe ekonomik, vitet 1960 dhe 1970 shënuan një fazë të re në politikën e jashtme shqiptare. Shqipëria, e zhveshur nga aleancat tradicionale, nisi të eksploronte forma të reja të afirmimit ndërkombëtar, veçanërisht nëpërmjet vendosjes së marrëdhënieve me vendet neutrale dhe ato të Evropës Veriore, përfshirë Danimarkën. Kjo përpjekje ishte pjesë e një politike të kujdesshme “vetëmbrojtjeje” diplomatike, që synonte ruajtjen e sovranitetit dhe mbështetjen në forcat e veta, duke qenë njëkohësisht e hapur për bashkëpunim të kufizuar ekonomik me Perëndimin.

Kontaktet e para dhe sfidat e viteve 60-të
Në vitet 60-të, u shfaqën interesat e para nga kompani daneze për të hyrë në tregun shqiptar në fushën turizmit dhe mediave. Në vitin 1962, në Shqipëri mbërrijnë kërkesat e para nga kompani daneze për të sjellë turistë dhe për të realizuar materiale publicitare dhe gazetari. Këto sinjale, edhe pse pozitive, u pritën me rezervë nga autoritetet shqiptare, të cilat ishin të kujdesshme ndaj ekspozimit të jashtëm të vendit. Në vitin 1963, lejohet vizita e një grupi prej 15 gazetarësh danezë që shoqëronin ekipin kombëtar të futbollit të Danimarkës. Megjithëse vizita ishte me karakter sportiv, komentet e gazetarëve mbi mungesën e pluralizmit politik, praninë e ndikimit kinez dhe qasjen antiamerikane të qeverisë shqiptare ngjallën shqetësim tek autoritetet shqiptare, të cilat i monitoruan dhe përcollën me vëmendje kritikat e gazetarëve. Refuzimi nga ana e Shqipërisë i ekspozitës elektronike daneze në vitin 1964, si dhe mosrealizimi i vizitës së një grupi radioteleviziv, dëshmojnë për rezervat që kishte udhëheqja shqiptare ndaj çdo tentative që mund të sillte ekspozim ose ndikim ideologjik.

Zhvillimet e fundviteve 1960 dhe hapat drejt normalizimit
Deri në fund të viteve 60-të, Danimarka nuk kishte ndërmarrë hapa të drejtpërdrejtë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, megjithatë, duke ndjekur zhvillimet në rajon – si vendosja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Zvicrën, Holandën dhe Belgjikën – dhe duke parë nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar, u rishfaq interesi diplomatik nga ana daneze. Në prill të vitit 1969, ambasadori danez në Vjenë i shprehu homologut shqiptar dëshirën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Pas një procesi paraprak konsultimesh, përgjigja pozitive nga Tirana zyrtare erdhi nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Vjenë, por Shqipëria kërkoi që bisedimet të mos zhvilloheshin në Tiranë – një praktikë që nuk preferohej nga autoritetet komuniste. Si rrjedhojë, u ra dakord që negociatat të zhvilloheshin në Beograd ndërmjet dy ambasadorëve të akredituar atje. Bisedimet ishin të përqendruara dhe teknike, ku u arrit konsensusi që vendosja e marrëdhënieve të shpallej përmes një komunikate të përbashkët, e publikuar njëkohësisht në Tiranë dhe Kopenhagë.
Në vijim të negociatave të suksesshme në Beograd, më 18 mars 1970, ambasadori danez në Vjenë,  Christiansen, i dorëzon ambasadorit shqiptar Dhimitër Tona notën verbale në të cilën shprehej zyrtarisht dëshira e qeverisë daneze për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në nivel ambasadorësh.

“Kam nderin, sipas udhëzimeve, t’ju bëj me dije se Qeveria daneze ka vendosur që Danimarka, ashtu siç është propozuar nga Qeveria Juaj, do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë në nivel ambasadorësh.
Ju lutem të keni mirësinë t’ia përcillni Qeverisë Tuaj dëshirën e Danimarkës dhe të kërkoni miratimin për emërimin si Ambasador Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Ambasadorit të Danimarkës në Beograd, zotit Iyge Dahlgaard.

Pala shqiptare dha pëlqimin për këtë emërim, duke vijuar me procedurat standarde diplomatike. Në përmbyllje të këtij procesi, më 29 maj 1970 u botua komunikata e përbashkët që shpallte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ky moment shënoi një nga sukseset diplomatik të Shqipërisë në periudhën e vetëizolimit, duke reflektuar gjithashtu fleksibilitetin e kufizuar të diplomacisë shqiptare në raport me vendet e Evropës Veriore.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Danimarkës u vendosën në kontekstin e përpjekjeve të kufizuara të politikës së jashtme shqiptare për të dalë nga izolimi ndërkombëtar i periudhës komuniste. Danimarka bënte pjesë në grupin e vendeve nordike me të cilat Shqipëria ndërtoi marrëdhënie miqësore gjatë dekadës së tetë dhe të nëntë të shekullit të kaluar, megjithëse kontaktet dhe bashkëpunimi ishin të kufizuara dhe shpesh të karakterit protokollar.
Gjatë viteve 1978–1984, Danimarka ishte ndër vendet që dërguan përfaqësi tregtare në Shqipëri në kuadër të zgjerimin e tregut dhe rritjen e eksportit, sidomos në sektorin e mineraleve. Pavarësisht kontakteve të tilla, marrëdhëniet tregtare mbetën në nivel të ulët dhe nuk u konkretizuan në marrëveshje të qëndrueshme ekonomike. Marrëveshjet e mundshme për bashkëpunim ekonomik, teknik dhe industrial me Danimarkën u penguan nga ngurtësia ideologjike e regjimit, i cili i shihte ofertat perëndimore si presion apo forma të shfrytëzimit kapitalist.
Në aspektin kulturor, ndryshe nga Suedia dhe Finlanda, me të cilat Shqipëria nënshkroi programe shkëmbimi kulturor, me Danimarkën nuk u firmos asnjë marrëveshje në këtë drejtim. Megjithatë, Danimarka ishte pjesë e vendeve ku funksiononte një Shoqatë Miqësie me Shqipërinë, e cila shpërndante materiale propagandistike dhe artikuj të përkthyer nga shtypi zyrtar shqiptar. Shoqata në Danimarkë kishte shtrirje modeste dhe botonte buletine mujore, me tirazh të kufizuar, që promovonin ideologjinë dhe figurën e Enver Hoxhës.

Konsolidimi i marrëdhënieve
Në klasifikimin zyrtar të vendeve perëndimore nga diplomacia shqiptare, Danimarka zinte një pozitë të veçantë si një nga vendet më të “lëkundura” të Aleancës Atlantike. Ky perceptim ndikoi në qëndrimin relativisht të kujdesshëm, por jo refuzues, të Shqipërisë ndaj bashkëpunimit me Kopenhagën. Megjithëse pjesë e NATO-s, Danimarka nuk përbënte objekt kundërshtie të ashpër në doktrinën politike të regjimit komunist.
Marrëdhëniet me Danimarkën hapën rrugën për zhvillime të mëtejshme me vendet skandinave dhe ndihmuan në balancimin e raporteve ndërkombëtare të Shqipërisë në një kohë kur vendi kishte shumë pak partnerë të qëndrueshëm në arenën globale. Deri në fund të vitit 1984, Danimarka ishte një nga 104 vendet me të cilat Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike, megjithëse vetëm 22 shtete kishin hapur ambasada rezidente në Tiranë. Ambasadori danez i akredituar në Shqipëri paraqiti letrat kredenciale në vitin 1981, ndërsa ambasadori shqiptar në Suedi i dorëzoi kredencialet në Danimarkë në nëntor 1983. Këto akreditime sinjalizuan ngritjen e marrëdhënieve në nivel ambasadorësh, por nuk u pasuan me zhvillime më të theksuara politike apo ekonomike.Në vitin 1990, Shqipëria filloi hapat e saj të parë për t’u përfshirë në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian (KSBE). Në këtë kuadër, Danimarka, si vend organizator i mbledhjes për çështjet humanitare në Kopenhagë, mori një rol kyç. Pas një kërkese zyrtare të qeverisë shqiptare më 4 qershor 1990, Danimarka pranoi pjesëmarrjen e Shqipërisë si vëzhguese në këtë takim, ku ambasadori shqiptar Petrit Bushati mori pjesë në mënyrë aktive. Ky moment përfaqëson një nga kulmet e bashkëpunimit politik ndërmjet dy vendeve gjatë periudhës komuniste. Ambasada shqiptare u hap ne Kopenhagen ne vitin 2002.

Lista e Ambasadorëve rezidentë shqiptarë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Danimarkë

Qemal Minxhozi (2002-2005; Bardhyl Agasi (2005-2006); Afërdita Dalla  (2006-2010 ); Arben Cici (2010-2014); Kastriot Robo( 2014-2018); Elida Petoshati (2018-2024); Sokol Dedja (2024 –vijon)
CV e ambasadorit të parë të Danimarkës në Tiranë

Nota daneze 1970