Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

65 vite marrëdhënie diplomatike me Finlandën, 27 gusht 1956

Më 27 gusht 2021 mbushen 65 vite nga vendosja e marrëdhënieve Diplomatike me Finlandën, 27 gusht 1956. Pavarësisht se gjatë Luftës së Ftohtë, protokolli i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike për shtetin shqiptar ishte pothuajse i njëjtë me të gjitha shtetet, në rastin e Finlandës procesi pati një ecuri ndryshe për shkak të disa rrethanave për politikën e jashtme finlandeze në periudhën në fjalë.

Propozimi i parë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike erdhi nga përfaqësuesi finlandez në Moskë në fund të vitit 1949. Propozimi u mirëprit nga qeveria shqiptare e kohës. Finlanda përfaqësonte një vend me ekonomi kapitaliste edhe pse në kufi me ish-BRSS, por një vend që për shkak të qëndrimit të ndryshuar të saj gjatë luftës së dytë botërore, nuk ishte bërë akoma pjesë e blloqeve politike të periudhës, madje nuk ishte anëtarësuar akoma në OKB. Propozimi nuk avancoi më tej.

Çështja u rihap në vjeshtë të vitit 1955, kur të dy vendet ishin kandidate për t’u pranuar në OKB. Gjatë qëndrimit të Ministrit të Jashtëm shqiptar në New York, shtator 1955, ai mori takim me Ministrin e Jashtëm finlandez. Ky i fundit shprehu dëshirën e tij për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, por pala shqiptare kërkoi që kjo kërkesë të ishte zyrtare nga qeveria finlandeze nëpërmjet ambasadës shqiptare në Moskë. Pala shqiptare e nxiti procesin. Ajo shfrytëzoi çdo mundësi takimi me përfaqësuesin finlandez për të rikujtuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike nëpërmjet shpalljes së një komunikate të përbashkët, por kjo mënyrë nuk u prit me entuziazëm nga pala finlandeze.

Pas pranimit të dy vendeve në OKB, dhjetor 1955, përpjekjet për finalizimin e procesit u intensifikuan. Me pretekste të ndryshme që lidheshin me zhvillimet e tyre të brendshme politike, gjatë gjysmës së parë të vitit 1956, qeveria finlandeze shprehej dakord në parim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por ngurronte në bërjen publike të këtij fakti nëpërmjet një komunikate. Ata kërkuan që në fillim të caktoheshin njerëzit që do të përfaqësonin dy vendet, të merrej agrementi për to e pastaj ky fakt, pra emërimi i përfaqësuesve të bëhej publik. Helsinki zyrtar do të përfaqësohej në Tiranë, nga ambasadori i tyre në Romë. Kjo procedure nuk shkonte me praktikën protokollare e politike të qeverisë shqiptare, pavarësisht se ajo u deklarua se parimisht se përfaqësuesi i Shqipërisë në Moskë do të mbulonte edhe Finlandën. Këtu procesi dukej se do ngecte në vend.

Në vitin 1956 , pas hyrjes së saj në OKB, Finlanda shpalli një politikë të jashtme neutrale që u kurorëzua me iniciativën për të mbajtur në Helsinki Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian në 1975, ndërkohë që Shqipëria në atë kohë (1956) ishte anëtare e bllokut sovjetik, dhe akoma ishte e freskët shija e përplasjes midis Finlandës dhe ish-BRSS në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Në këto kushte ajo këtë marrëdhënie të dëshiruar e kaloi pa shumë zhurmë publike. Finlanda kishte njohur në këtë kohë edhe Kinën komuniste dhe synonte të shtrinte hartën e vendeve me të cilat kishte marrëdhënie diplomatike.

Nga pala finlandeze agrementi për përfaqësuesin e tyre në Romë, Asko Pjaivie Ivallo, u kërkua më 19 maj 1956 nëpërmjet ambasadës shqiptare në Moskë. Ata propozuan që edhe qeveria shqiptare të kërkonte agrementin në fillim për përfaqësuesin e saj me qëllim që në komunikatën e përbashkët të përmendeshin edhe emrat e përfaqësuesve diplomatike. Pala shqiptare pa vonesë dha agrementin për përfaqësuesin finlandez në Romë më 30 maj 1956.

Jashtë rregullave të protokollit shqiptar, pra pa shpallur akoma vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, e për të mos humbur mundësinë, po atë ditë qeveria shqiptare kërkoi agrementin për përfaqësuesin tonë, ambasadori shqiptar në Moskë Mihail Prifti. Me këtë rast pala shqiptare dorëzoi edhe një projekt-komunikatë të përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Çështja e komunikatës u la pezull nga pala finlandeze, ndërsa më 11 qershor përfaqësuesi shqiptar në Moskë u njoftua nga homologu finlandez se qeveria e tij e kishte dhënë agrementin për të.

Kredencialet e përfaqësuesit finlandez u firmosën më 23 korrik 1956. Duke parë hezitimin e palës finlandeze për mënyrën e shpalljes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nëpërmjet një komunikate të përbashkët, pas pritjes së gjatë dhe njoftimit se ambasadori finlandez mbërrinte në 31 gusht në Tiranë, qeveria shqiptare shpejtoi ta shpallte këtë komunikatë më 27 gusht, dhe u kërkoi edhe finlandezeve të bënin të njëjtën gjë në këtë ditë. Nuk kemi të dhëna nëse qeveria finlandeze publikoi një komunikatë të tillë. Kështu, 27 gusht 1956 u njoh si data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nga pala shqiptare.

Përfaqësuesi finlandez mbërriti në Shqipëri më 31 gusht 1956. Kredencialet u dorëzuan më 1 shtator 1956. Kredencialet e përfaqësuesit shqiptar u nënshkruan më 5 shtator 1956 dhe u dorëzuan në Helsinki më 25 tetor 1956.