Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

E nderuar Zonja Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Kam kënaqësinë të paraqes para jush pjesën e projekt-buxhetit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025, si dhe objektivat kryesore që shërbimi ynë diplomatik ka përpara. Viti që po përmbyllim ka shënuar një proces të rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë.

Hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një ngjarje historike, që ka kontribuar në avancimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe ka patur padyshim, një ndikim të rëndësishëm në forcimin e shërbimit tonë të jashtëm. Gjatë këtij viti, kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë,  kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare apo nismat rajonale, si dhe kemi ngritur në një stad më të lartë mbrojtjen e interesave e shqiptarëve kudo në botë. Këto përpjekje kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti dhe si një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.

Për të mbështetur këto nisma dhe për të vijuar me përpjekjet tona diplomatike, në vitin aktual kemi rritur praninë diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë. Këto hapa janë të rëndësishëm për të mbështetur qytetarët tanë dhe për të avancuar interesat tona në nivele rajonale dhe globale.

Viti 2025 pritet të paraqesë sfida të reja për Shërbimin e Jashtëm. Në përputhje me politikat tona ambicioze dhe objektivat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përfituar një projekt-buxhet prej 3.8 miliardë lekësh, buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për Shërbimin e Jashtëm.

Ky projekt-buxhet është një hap i rëndësishëm për të mbështetur angazhimet tona ndërkombëtare dhe për të siguruar që Shqipëria të jetë një aktor i fuqishëm në botë, me ndikim në procese kyçe si integrimi ynë në Bashkimin Evropian, promovimi i paqes dhe zhvillimi ekonomik, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë kudo në botë.

Disa nga objektivat kryesore për vitin 2025 përfshijnë:

– Avancimin e procesit të integrimit evropian – duke intensifikuara në negociatat për anëtarësimin, me qëllim përgatitjen për anëtarësim deri në vitin 2030, përmes reformave në institucione dhe procese.

– Pjesëmarrjen aktive në nisma rajonale si Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes, për të siguruar integrimin gradual tonin dhe të rajonit të Bashkimit Evropian.

– Ruajtjen e profilit të Shqipërisë në fushën e multilateralizmit.

– Thellimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë si SHBA-të, BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, si Greqinë, Italinë dhe Turqinë,  si dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët tanë në NATO për të forcuar bashkëpunimin ekonomik edhe në fushat e sigurisë.

– Forcimin e diplomacisë ekonomike

– Rritjen e rolit të diasporës shqiptare

– Përmirësimin e shërbimeve për qytetarët nëpërmjet platformave dixhitale, si modernizimi i shërbimit konsullor dhe sistemit E-Visa

– Padyshim mbështetje për Kosovën dhe përmirësimi i Infrastrukturës Diplomatike

Për t’iu përgjigjur nevojës për rritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtare e njerëzore, do të zgjerohet shtrirja e rrjetit diplomatik e konsullor në shtete dhe rajone të ndryshme të botës, përmes hapjes së ambasadave dhe konsullatave në destinacione strategjike.

Gjithashtu, do të fillojë aktivizimi i atasheve ekonomikë pranë ambasadave shqiptare  në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Këto hapa do të kontribuojnë në forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe do të ndihmojnë në realizimin e objektivave tona ambicioze për të ardhmen.

Të nderuar deputetë,

Mendoj se ky projekt-buxhet është një hap i rëndësishëm për të mbështetur angazhimet tona ndërkombëtare dhe për të siguruar që Shqipëria të jetë një aktor i fuqishëm në rajon dhe botë, me ndikim në procese kyçe si integrimi në Bashkimin Evropian,

Në terma financiarë, projekt-buxheti për Shërbimin e Jashtëm parashikon një rritje të konsiderueshme prej 635 milion lekësh, që përbën një shtesë plotë prej  20% krahasuar me vitin aktual. Kjo është dëshmi e angazhimit të palëkundur të Qeverisë shqiptare për të konsoliduar rolin e diplomacisë në shërbim të interesave të vendit dhe në përmbushjen e qëllimeve të politikës së jashtme.

Buxheti i vitit 2025 do të përqendrohet në gjashtë drejtime kryesore:

  1. Realizimi dhe koordinimi i aktiviteteve që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit
  2. Angazhimi në organizatat ndërkombëtare
  3. Forcimi i lidhjeve me Bashkimin Europian
  4. Mbështetja për diasporën shqiptare
  5. Mbështetje për misionet diplomatike dhe konsullore
  6. Mbështetje për strukturat e Shërbimit të Jashtëm

Investimet do të përfshijnë projekte të rëndësishme që lidhen me aktivitetin konsullor, si:

– Sistemi i Shërbimit Konsullor Online, duke e bërë më të lehtë aksesin në shërbime për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

– Modernizimi i sistemit E-Visa, do të rrisë sigurinë dhe eficiencën në procesin e aplikimeve për viza shqiptare.

Të nderuar deputetë,

Përpjekjet tona për integrimin në Bashkimin Evropian përfaqësojnë një aspiratë të madhe kombëtare. Anëtarësimi në BE është më shumë se një mundësi për zhvillim ekonomik; është një proces transformues që do të forcojë institucionet tona dhe do të përmirësojë jetën e çdo qytetari shqiptar.

Ky angazhim ka përfshirë breza të tërë dhe është një reflektim i dëshirës së thellë të çdo shqiptari për një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt.

Qeveria  është e përkushtuar të ndjekë këtë rrugë me vendosmëri, duke theksuar se “Europa e Bashkuar është busulla jonë dhe familja natyrale, të cilës i përkasim, por ku ende mungojmë”.

Më 15 tetor të këtij viti, Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm përpara, duke mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Luksemburg. Me këtë ngjarje, ne  filluam negociatat për grupkapitullin e parë, “Themelorët”, i cili përfshin reforma në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit. Ky moment shënoi një arritje të rëndësishme për ne, duke dërguar një mesazh të qartë se jemi të gatshëm të përmbushim standardet e Bashkimit Evropian dhe të kontribuojmë në stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor.

Më 30 tetor 2024, Komisioni Evropian vlerësoi angazhimin e Shqipërisë, duke theksuar përparimet tona dhe linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së. Ky vlerësim është një tregues i rëndësishëm se jemi një partner i besueshëm dhe i angazhuar në arenën ndërkombëtare. Është e nevojshme të theksojmë mbështetjen e fortë nga institucionet kryesore të BE-së, për avancimin në procesin e integrimit, hapjen e grupkapitujve të rinj dhe sigurinë e përparimit në përmbushjen e angazhimeve tona.

Shqipëria ka një plan të qartë dhe të strukturuar për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Ky patjetër  është një objektiv ambicioz, por shumë i realizueshëm, që ka mbështetje të plotë nga Komisioni Evropian dhe që synon mbylljen e negociatave me realitetet këtu në  Ballkanit Perëndimor. Ky proces i rëndësishëm është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, që jo vetëm do të konsolidojë pozitat tona ndërkombëtare, por gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe progresin social dhe ekonomik të vendit.

Një nga qëllimet tona kryesore për vitin 2025 është hapja e të gjashtë grupeve të kapitujve të negociatave, një arritje që do të shënojë një prooces shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit. Ky angazhim kërkon përkushtim të fortë, bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, si dhe një investim të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e standardeve në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reformat ekonomike, dhe padyshim mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Viti 2025, pra, do të jetë një vit i vendimmarrjes për Shqipërinë, dhe ne jemi të angazhuar që të shfrytëzojmë këtë mundësi për të arritur progres të konsiderueshëm në rrugën e integrimit evropian.

Ky proces është padyshim,  ngushtësisht i lidhur me përpjekjet për zhvillimin e një ekonomie dinamike dhe një demokracie funksionale, duke ofruar kushte të barabarta për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Në këtë proces, bisedimet me partnerët tanë dhe pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, si Procesi i Berlinit apo Samiti i Komunitetit Politik Evropian, do të forcojnë lidhjet e Shqipërisë me familjen europiane dhe do të kontribuojnë në stabilitetin rajonal, të paktën në Ballkanin Perëndimor.

Një nga objektivat më të rëndësishëm të politikave ekonomike të qeverisë shqiptare është intensifikimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, dhe vende të tjera partnere dhe të njëmendta, duke ndihmuar në përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në. Ky është një tjetër proces  i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe për përmbushjen e angazhimeve tona  në raport me integrimin.

Në këtë kuadër, Plani i Rritjes Ekonomike synon krijimin e kushteve për një rritje të qëndrueshme dhe për zhvillimin e një klime më të favorshme për bizneset.

Në këtë proces, ne do të zhvillojmë një koordinim më të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian dhe ato të vendit tonë, për të mbështetur realizimin e këtij pocesi.

Ne jemi të angazhuar të zhvillojmë një punë të mirë dhe të pandërprerë, për ndërtimin e një imazhi të fortë dhe të besueshëm për Shqipërinë. Kjo do të përfshijë identifikimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillimin e një klime të favorshme për bizneset, që të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe patjetër në  krijimin e vendeve të reja të punës.

Përfundimisht, dëshiroj të ritheksoj se Shqipëria ka një plan të qartë dhe të qëndrueshëm për të realizuar aspiratat tona evropiane. Ky është një rrugëtim i gjatë dhe i ngarkuar me sfida, por me angazhim të fortë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, jemi të bindur se do ta arrijmë këtë objektiv madhor deri në vitin 2030.

Ky proces kërkon përpjekje dhe bashkëpunim nga të gjithë ne — si institucione, si individë, por  dhe si komb.

Kam besim se projekt-buxheti që po shqyrtojmë sot do të kontribuojë në mënyrën më të efektshme për realizimin e objektivave të parashtruara dhe do të rrisë ndjeshëm performancën e strukturave të Shërbimit të Jashtëm në shërbim të interesave kombëtare.