Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Këshilli i të Drejtave të Njeriut (KDNJ) i OKB-së zëvendësoi në vitin 2006 Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (1946), rakorduar në Këshillin Ekonomik dhe Social, i cili ishte organi kryesor ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për të drejtat e njeriut.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut, me qendër në Gjenevë, është organ ndër-qeveritar brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara, i përbërë nga 47 shtete, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut në të gjithë globin. KDNJ ka mundësinë të diskutojë të gjitha çështjet tematike të lidhura me të drejtat e njeriut dhe situatat që kërkojnë vëmendjen e Këshillit, gjatë gjithë vitit.

Dita ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut festohet çdo vit më 10 dhjetor, datë që përkon me 10 dhjetorin e vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shqipëria dhe KDNJ

Shqipëria, pas tre vjetësh të sukseshme si anëtare e KDNJ-së, 2015-2017, aktualisht është zgjedhur sërish anëtare e KDNJ-së për periudhën 2024-2026. Shqipëria ruan një nivel të lartë përfaqësimi falë një koordinimi pozitiv dhe një dinamike të re të organizimit dhe mbikëqyrjes së veprimtarive të KDNJ. Gjatë sesionit KDNJ55 (shkurt 2024), në Segmentin e Nivelit të Lartë, vendi ynë u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjatë mandatit të saj 3-vjeçar (2024 – 2027) në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, Shqipëria do të angazhohet ndaj parimeve universale të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, në një botë ku çdo person të mund të realizojë potencialin e tij të plotë dhe të jetojë me dinjitet dhe respekt.

Gjithashtu, nga prioritetet e Shqipërisë si anëtare e KDNJ, është vënia para përgjegjësisë e autorëve të krimeve të rënda, luftimi i pandëshkueshmërisë dhe parandalimi i shkeljeve të të drejtave themelore.

Në këtë kuadër, Shqipëria mbështet plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor, dhe si anëtar i KDNJ-së do të angazhohet, së bashku me partnerët drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët për krimet kundër njerëzimit në Ukrainë.

Shqipëria do të angazhohet për të mbështetur pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave dhe të rinjve, në punën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe në terren.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme realizon veprimtarinë e saj për të garantuar rolin aktiv të vendit në kuadër të KDNJ, në zbatim të prioriteteve kyçe të RSH-së, në lidhje me respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, përmes pjesëmarrjes aktive në sesionet e KDNJ-së dhe mbajtjes së deklaratave në kapacitet kombëtar, pajtimit me deklaratat e BE-së, bashkëpunimit dhe zhvillimit të negociatave joformale në procesin e rritjes së efikasitetit dhe kredibilitetit të KDNJ-së, etj.

OHCHR

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) përpiqet të ofrojë ekspertizën dhe mbështetjen më të mirë për mekanizmat e ndryshëm të monitorimit të të drejtave të njeriut në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut është përgjegjësi kryesor i të drejtave të njeriut pranë Kombeve të Bashkuara. Komisioneri i Lartë kryeson OHCHR dhe është organizatori kryesor i përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut është themeluar në vitin 1993.

Aktualisht, Komisioner i Lartë i KB për të Drejtat e Njeriut është Z. Volker Türk, i cili e mori këtë funksion, më 17 tetor 2022. Ai është Komisioneri i tetë në këtë mandat.

OHCHR ndihmon me ekspertizë teknike dhe në zhvillimin e kapaciteteve me qëllim zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në terren. Zyra ndihmon qeveritë, të cilat mbajnë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të përmbushin detyrimet e tyre dhe mbështet individët që kërkojnë të drejtat e tyre. Për më tepër, ajo denoncon në mënyrë objektive shkeljet e të drejtave të njeriut.

OHCHR është pjesë e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, me një staf prej rreth 1300 personash me seli në Gjenevë, si dhe një zyrë në New York. Ajo është gjithashtu e pranishme në terren me zyra të pavarura rajonale dhe kombëtare.

Shqipëria ka një marrëdhënie mjaft të mirë me Zyrën e Komisionerit të Lartë.

ORGANET KONVENCIONALE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Organet konvencionale të të drejtave të njeriut janë komitete të ekspertëve të pavarur, që monitorojnë zbatimin e traktateve kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Secili prej këtyre instrumenteve ka krijuar një komitet ekspertësh për të monitoruar zbatimin e dispozitave të traktatit nga shtetet palë të tij. Disa nga traktatet plotësohen me protokolle opsionale që kanë të bëjnë me shqetësime specifike, ndërsa Protokolli Fakultativ i Konventës kundër Torturës ka krijuar një komitet ekspertësh. Secili Shtet Palë i një traktati ka detyrim të ndërmarrë hapa për të siguruar që të gjithë të mund të gëzojnë të drejtat e përcaktuara në traktat.

Ekzistojnë nëntë traktate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe një protokoll opsional, nga të cilët janë krijuar 10 organe për mbikqyrjen e traktateve. Organet e traktatit përbëhen nga ekspertë të pavarur me kompetenca të njohura në të drejtat e njeriut, të cilët emërohen dhe zgjidhen, për mandate katër-vjeçare të rinovueshme, nga shtetet palë.

Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë me Organet konvencionale të të drejtave të njeriut dhe ka raportuar, se fundi, gjatë vitit 2020 dhe 2021 për CCPR, CSCR, Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Vuajtjeve të Tjera ose Trajtimit Mizor, Jonjerëzor a Degradues, CERD dhe CEDAW.

Komiteti për eleminimin e diskriminimit racor (CERD) monitoron zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjithë Formave të Diskriminimit Racor (4 Janar 1969);

Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (CESCR) monitoron zbatimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (3 janar 1976);

Komiteti për të Drejtat e Njeriut (CCPR) monitoron zbatimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe protokollet e tij opsionale (23 Mars 1976);

Komiteti për eleminimin e diskriminimit ndaj grave (CEDAW) monitoron zbatimin e Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (1979) dhe protokollin e saj opsional (3 shtator 1981);

Komiteti Kundër Torturës (CAT) monitoron zbatimin e Konventës kundër Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese (26 Qershor 1987);

Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve (CRC) monitoron zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (2 Shtator 1990) dhe protokollet e saj opsionale (12 shkurt 2002);

Komiteti për Punëtorët Migrantë (CMW) monitoron zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të gjithë Punonjësve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre (1 korrik 2003);

Nënkomiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese (SPT) i krijuar në bazë të Protokollit Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT) (22 qershor 2006) viziton vendet e paraburgimit për të parandaluar torturat dhe të tjera trajtime ose dënime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese;

Komiteti për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) monitoron zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (3 maj 2008);

Komiteti për Zhdukjet e Detyruara (CED) monitoron zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja e Detyruar (23 Dhjetor 2010).

PROCEDURAT SPECIALE TË OKB

Procedurat Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB përbëhen nga ekspertë të pavarur për të drejtat e njeriut, me mandat për të raportuar dhe këshilluar mbi të drejtat e njeriut nga një këndvështrim tematik ose specifik për një vend të caktuar. Sistemi i Procedurave Speciale është një element thelbësor i mekanizmave të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe mbulon të gjitha të drejtat e njeriut: civile, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale.

Që nga 1 gushti 2017, ka 44 mandate tematike dhe 12 mandate për vende të caktuara.

Me mbështetjen e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Procedurat Speciale ndërmarrin vizita në vend; veprojnë mbi raste individuale dhe shqetësime të një natyre më të gjerë, strukturore, duke dërguar komunikime tek shtetet përkatëse por edhe shtete të tjera, ku sjellin vëmendje ndaj shkeljeve ose abuzimeve të pretenduara; kryejnë studime tematike dhe thërrasin konsulta ekspertësh, kontribuojnë në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, angazhohen në sistemin e mbrojtjes avokatisë, për ndërgjegjësimin e publikut dhe sigurojnë këshilla për bashkëpunim teknik. Procedurat Speciale raportojnë çdo vit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut; shumica e mandateve gjithashtu raporton në Asamblenë e Përgjithshme të KB. Detyrat e tyre përcaktohen në rezolutat që krijojnë ose zgjasin mandatet e tyre.

Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë me Procedurat Speciale të OKB. Ne vijojmë të ndjekim, në bashkëpunim me Sekretariatin e OHCHR, çështjet individuale të ankesave kundër Shqipërisë dhe pyetësorët e raportuesve specialë, sipas temave të kërkuara nga raportuesit.