Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Marredhëniet diplomatike me Australinë, 15 shtator 1984.

Në vazhdën e plotësimit të hartës mbi historinë e marrëdhënieve tona dypalëshe, Australia paraqet një tjetër interes për ne dhe publikun nëpërmjet faqes tonë zyrtare.

Që nga viti 1948 ndeshen gjurmët e para të kontakteve me Australinë e largët nëpërmjet legatës shqiptare në Paris. Në fillim urat e komunikimit ishin vetëm mbi administrimin e pasurive të lëna nga shqiptarët e emigruar atje para luftës, që linin trashëgimi për familjarët e tyre me banim në Shqipëri dhe kërkohej ndihma e qeverise shqiptare të kohës për identifikimin e tyre. Kanal komunikimi tjetër ishin edhe kontaktet me Partinë Komuniste të Australisë, parti opozitare, kontakte të cilat u intensifikuan në vitet ’60-të, pas prishjes së marrëdhënieve të shtetit shqiptar me BRSS dhe konsolidimi i tyre me Kinën komuniste.

Në nëntor 1967 ambasadori i Australisë në Beograd, u autorizua nga qeveria e tij të bënte një vizitë zyrtare në Tiranë ku të takonte përfaqësues të MPJ për të folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe për çështje ndërkombëtare siç ishte lufta në Vietnam etj. E ardhur në një kohë kur ndërmjet dy vendeve nuk kishte marrëdhënie diplomatike, kërkesa mbështetej tek fakti që të dy vendet ishin anëtare të OKB. Për diplomatin australian kjo do të thoshte që edhe pse nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike ndërmjet dy vendeve, qeveria australiane e njihte qeverinë shqiptare e vizita mund të kryhej. Kërkesa u refuzua. Që nga viti 1951 Australia ishte aleate ushtarake e SHBA. Ajo mori pjesë me 9 mijë ushtarë në luftën në Vietnam përkrah SHBA.

Në prill 1968, ambasada australiane në Vjenë kërkoi përsëri vizë për përfaqësuesin e saj tregtar për të parë në Shqipëri mundësinë e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve. Pasi kreu takim me atasheun tonë tregtar në Vjenë dhe u gjetën disa mundësi bashkëpunimi, atij ju miratua kërkesa për vizë në Shqipëri.

Në gusht 1970, këshilltari i ambasadës australiane në Beograd bëri një vizitë në përfaqësinë shqiptare atje dhe shprehu për herë të parë verbalisht dëshirën e qeverisë së tij për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Qeveria shqiptare nuk e mbështeti këtë shprehje interesi. Propozimi u përsërit përsëri në mars 1973 në Beograd, por në një formë tjetër, si interes për nxitje të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve, me qëllim që të rritej interesi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Tirana pranoi vizitën e këshilltarit për tregtinë në ambasadën australiane në Beograd, me kusht që në Tiranë të kishte takime vetëm në planin tregtar.

Në vitin 1974 në Australi u krijua shoqata e miqësisë Australi-Shqipëri nën kujdesin e përfaqësuesve të PK të Australisë e cila një ndër detyrat që kishte marrë përsipër ishte organizimi i shqiptarëve në Australi për të bërë presion mbi qeverinë australiane për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Kjo koincidonte me deklaratat publike të kryeministrit laburist australian se vendi i tij ishte i interesuar të vendoste marrëdhënie diplomatike me të gjithë, por kjo mesa dukej nuk vlente për Shqipërinë. Në gusht 1974, qeveria australiane iu përgjigj kërkesës së shoqatës së miqësisë Australi-Shqipëri se Australia nuk kishte ndërmend të vendoste marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë në të ardhmen e afërt, pasi mbas vizitës së përfaqësuesit të saj tregtar në Tirane rezultonte se interesat tregtare australiane në Shqipëri ishin pothuajse joekzistente. Interesat e përbashkëta të dy vendeve nuk ishin në një shkallë të tillë sa të justifikonin këtë veprim. Ata shpreheshin se do ta shqyrtonin me seriozitet çdo propozim që do bënte qeveria shqiptare për këtë çështje.

Fillimi i tensioneve të Tiranës me Kinën komuniste në 1977-1978 nxori në pah mbështetjen e qeverise australiane ndaj Pekinit zyrtar në këto marrëdhënie të tensionuara. Ata u shprehën kundër teorive staliniste konservatore të Hoxhës që nuk pranonte krijimin e aleancave të reja përballë rrezikut të madh sovjetik. Kjo ngurtësoi interesin për marrëdhënie diplomatike, por jo për ato tregtare. E ndodhur në kushtet e ndërprerjes së ndihmave kineze dhe shkëmbimeve tregtare, Tirana zyrtare mbështeti interesin e qeverise australiane për gjetjen e tregjeve të reja, mes tyre edhe në Ballkan e Shqipëri, në kohen kur Tregu i Përbashkët Evropian ju kishte kufizuar tregtinë me vendet e tij anëtare. Tashmë Shqipëria nisi të votonte pro kandidaturës së Australisë në disa poste në OKB.

Në vitin 1981, nën nxitjen e shoqatës së miqësisë Australi-Shqipëri filluan të vinin grupet e para turistike në Shqipëri, të përbërë në fillim nga shqiptarë me banim atje që kërkonin të takonin të afërmit e tyre në Shqipëri. Këto grupe u intensifikuan edhe me të tjerë në vitet në vijim. Rifilluan edhe kontaktet për shkëmbimet në fushën e tregtisë , sikurse edhe interesimi politik për Shqipërinë e politiken e saj të jashtme e të brendshme pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Për Australinë, Jugosllavia përbënte partnerin kryesor të tregtisë në rajon, por për shkak të paqëndrueshmërisë së situatës politike atje pas vdekjes së Titos, ata shihnin me interes edhe Shqipërinë. Vijuan vizitat në Tiranë të përfaqësuesve australianë të institucioneve tregtare për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit. Ky interes në rritje nxiti edhe interesin për intensifikimin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve.

Me një notë të datës 22 qershor 1984, ambasada e Australisë në Beograd përcolli dëshirën e qeverisë australiane për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadori midis dy vendeve, për të intensifikuar marrëdhëniet që ekzistonin në disa fusha. Propozimi mori përgjigje pozitive nga pala shqiptare, në shtator 1984, me argumentin se nuk kishte probleme të trashëguara ndërmjet dy vendeve. Në Australi jetonin një numër i madh shqiptarësh, emigrantë ekonomikë të paraluftës, por edhe kosovarë të emigruar rishtazi, që mund të kontribuonin për imazhin e Shqipërisë dhe mbështetjen e saj ekonomike, si dhe nevoja për të siguruar tregje të reja për eksportin shqiptar.

Mes palëve u ra dakord që marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve te vendoseshin zyrtarisht më 15 shtator 1984.

Australia do e mbulonte diplomatikisht Shqipërinë nga përfaqësia e saj në Beograd, ndërsa Tirana zyrtare do të përfaqësohej në Kanberra nga titullari i përfaqësisë së saj diplomatike në Pekin.

Marredheniet-diplomatike-me-Australine-15-shtator-1984