Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Afganistani është një vend pa dalje në det që ndodhet në udhëkryq të Azisë Qëndrore dhe Jugore. Ai ka një sipërfaqe prej 652.867 km2 dhe një popullsi prej 40.218234 banorësh.

Për rreth 20 vjet, që nga viti 2001, trupat amerikane dhe ato të NATO-s kanë qënë të vendosura në Afganistan, pas luftës që zhvilluan atje për crrënjosjen e Al-Kaedës. Gjatë këtyre 20 viteve vendet perëndimore u përpoqën për ndërtimin e konsolidimin e institucioneve demokratike në Afganistan, në luftë me talebanët e grupe të tjera terroriste, që donin të kthenin mbrapsht kohën, kur ata sundonin vendin. Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe atyre të NATO-s, ushtria afgane nuk qe në gjendje t’i rezistojë ofensivës së vrullshme të talebanëve, cka bëri që talebanët, në datën 15 gusht 2021 të hynin në Kabul dhe të vendosnin kontrollin e tyre në vend. SHBA dhe vendet e tjera perëndimore u angazhuan në një operacion gjigand evakuimi per të nxjerrë nga afganistani shtetasit e tyre dhe gjithë ata, që kishin bashkëpunuar me ta gjatë angazhimit të tyre ushtarak e civil atje, në 20 vitet e fundit.

Vendet perëndimore janë të shqetësuara për rrezikun, që ekziston lidhur me çbërjen e gjithë atyre arritjeve pozitive të realizuara gjatë 20 viteve të fundit, sidomos lidhur me të drejtat e njeriut, veçanërisht të grave dhe vajzave. Ata po i ofrojnë ndihma humanitare Afganistanit, që është, aktualisht, në një gjendje shumë të vështirë, por janë duke u treguar shumë të kujdesshëm në marrëshëniet me qeverinë talebane, duke u përpjekur që ta kushtëzojnë nevojën e saj për ndihma, me ruajtjen, sa të jetë e mundur, të disa prej arritjeve të mëparshme. Asnjë vend nuk e ka njohur, deri tani, qeverinë talebane.

PËRMBLEDHJE

Shqipëria i ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Afganistanin në datën 16 gusht 2006. Bashkëpunimi ynë me këtë vend, për shkak të situatës në të, është zhvilluar në kuadër të misioneve të NATO-s, për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

MARRËDHËNIET DYPALESHE

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë filluar angazhimin e tyre në Afganistan që nga gushti i vitit 2002, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, që vazhdoi deri në fund të vitit 2014. Në kuadër të këtij misioni, Shqipëria kontribuoi (krahas 45 vendeve të tjera anëtare dhe jo-anëtare të NATO-s) me dy kompani të dislokuara në Herat, në Komandën Rajonale të Perëndimit dhe një togë në Kabul. Gjithashtu Shqipëria kontribuoi edhe me një personel prej 5 ushtarakësh në Komandën e ISAF në Kabul dhe 2 OMLT (Operational Mentor and Liaison Team) në Mazar-i-Sharif, Komanda Rajonale e Veriut.  Shqipëria ka dërguar, gjithashtu, ekip mjeksor dhe një mision policie në Afganistan.

Angazhimi ynë në kuadër të ISAF nga kontigjenti i parë i FA, dërguar në gusht 2002 në Kabul, erdhi duke u rritur gradualisht si në numër ashtu edhe në shumëllojshmërinë e angazhimit në detyra të ndryshme, pothuajse në të gjitha komandat rajonale në Afganistan, si në Herat, Mazar-i-Sharif, Shtabin Qendror ISAF (Kabul), Misionin Trajnues të NATO-s (Kabul dhe Herat), ekipe OMLT (Kabul), forca speciale në Kandahar dhe trajnues të forcave speciale në Ëardak. Shqipëria ka kontribuar me 2944 ushtarakë në total, gjatë këtij misioni. Në shkurt 2012 ra në krye të detyrës, në Kandahar të Afganistanit, pjestari Batalionit të Forcave Speciale Shqiptare (Eagle 4), kapiteni Feti Vogli, dëshmor i atdheut.

Misioni ISAF, që përfundoi në fund të vitit 2014, u zëvendësua nga misioni Resolute Support Mission (RSM). Shqipëria e vazhdoi angazhimin e saj në kuadër të këtij misioni të ri, i cili nuk ishte një mision luftimi, por një mision trajnimi, këshillimi dhe ndihme për Forcat Afgane të Sigurisë Kombëtare (ANSF), deri sa u muar vendimi, në kordinim me aleatët tanë në NATO, për largimin nga Afganistani.

Gjatë periudhës së angazhimit tonë në Afganistan janë zhvilluar disa vizita të zyrtarëve tanë të lartë në këtë vend (ministra mbrojtjeje, kryeministër), për të inspektuar trupat tona të dislokuara atje. Gjatë këtyre vizitave janë realizuar takime me homologët e tyre dhe zyrtarë të tjerë të lartë afganë.

Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani dhe ardhjen ne fuqi te talebaneve, Shqipëria u tregua e gatshme të strehojë përkohësisht rreth 4000 refugjatë afganë jeta e te cileve ishte ne rrezik ne vend, deri sa të sistemohen përfundimisht në SHBA.