Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shteti i Izraelit ndodhet në Azinë Perëndimore. Popullata 9,518,780 banorë, 71% janë hebrenj dhe 20.9% arabë. Qendra ekonomike dhe teknologjike e vendit është Tel Aviv ndërkohë që qeveria ndodhet në Jerusalem.

PËRMBLEDHJE

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Shtetin e Izraelit, në 16 prill 1949. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve janë vendosur në 19 gusht 1991. Ambasada e RSH në Izrael është hapur në vitin 1998, ndërsa në vitin 2012, Izraeli hapi Ambasadën e tij nё Tiranё. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona bazohen në qëndrimin e kahershëm të Shqipërisë ndaj hebrenjve sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, me strehimin dhe shpëtimin jo vetëm të atyre që jetonin në Shqipëri, rreth 200 hebrenj, por dhe të dhjetëfishit që erdhën nga vende të tjera, mbi 2000. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrenjve pas Luftës ishte më i madh se para fillimit të saj.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Të dy vendet gëzojnë marrëdhënie shumë të mira në aspektin politiko-diplomatik, çka reflektohet nё intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik nё fushat me interes reciprok.

Vizitat reciproke konfirmojnë përkushtimin e të dyja palëve për të rritur më tej nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit. Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ka vizituar Izraelin në vitin 2020.

Ndërmjet vendeve tona ekziston një kuadër i mjaftueshëm ligjor që mundëson bashkëpunimin tregtar, ekonomik, bashkëpunimin në fushën e turizmit, kulturor, shkencor, etj. Në janar 2022 hyri ka hyre në fuqi Konventa për shmangien e Taksimit të Dyfishtë, e cila pritet të ndikoje në përmirësimin e pranisë së bizneseve shqiptare në Izrael dhe anasjelltas.

Në Shqipëri ekziston një komunitet modest hebrenjsh të cilët kontribuojnë denjësisht në zhvillimin e vendit në politikë, administrim, shëndetësi, arte etj.

Shqipëria mban statusin e vëzhguesit në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA). Në tetor 2020, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, si dhe ka organizuar Forumin e parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit. Gjithashtu, Kryesia Shqiptare e OSBE-së (2020) ka organizuar në Tiranë Konferencën e nivelit të lartë mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së.

Të dy vendet janë anëtare në një sërë organizatash ndërkombëtare, ku kanë një bashkëpunim të mirë ne nivel shumëpalësh. Në cilësinë e vendit anëtar jo-të përhershëm në KS/OKB dhe mandatit të saj 2022-2023, Shqipëria i kushton një vëmendje te veçantë trajtimit te çështjeve të sigurisë dhe konflikteve, përfshirë ate Izrael-Palestine.