Japonia është shtet ishullor, përbëhet nga katër ishuj të mëdhenj dhe rreth 1000 të vegjël. Tërmetet janë shumë të shpeshtë, rreth deri në tre tërmete në ditë. Japonia është tokë e vullkaneve. Njihen mbi 200 vullkane.
Japonia është monarki kushtetuese me Perandorin si simbol të shtetit dhe unitetit të kombit dhe parlamentin si formë të qeverisjes. Kushtetuta japoneze e aprovuar në vitin 1947 bazohet në tre parime: sovraniteti i popullit, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe pacifizmi. Qeverisja bazohet në parimin e ndarjes së pushteteve, atij legjislativ, ekzekutiv dhe juridik. Asambleja Kombëtare Legjislative, DIET, është organi më i lartë i pushtetit dhe i vetmi organ ligjbërës.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Japoninë janë vendosur për herë të parë në prill 1922, me njohjen e Shtetit Shqiptar nga Japonia. Viti 2022 shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Shqiperia hapi në nëntor 2005, Ambasadën e saj në Tokio, ndërsa në janar 2017, Japonia hapi ambasadën e saj në Tiranë.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe gjatë viteve të fundit, kanë ardhur duke u rritur në përputhje me vullnetin e ndërsjellë për të forcuar miqësinë dhe për të ndërtuar sa më shumë ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Këto marrëdhënie karakterizohen nga shkëmbimet diplomatike, ekonomike e politike, në fushën e kulturore.
Të dy vendet gëzojnë bashkëpunim të mirë brenda organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, ku Shqipëria shërben si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.