Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Kanadaja shtrihet në më shumë se gjysmën e Amerikës së Veriut, me një sipërfaqe prej 9.98 milion km² dhe është vendi i dytë më i madh në botë nga sipërfaqja.  Popullsia e saj (rreth 38 milion banore) eshte e përqendruar, kryesisht, në qytete të mëdha dhe të mesme (82 për qind), shumë afër kufirit jugor.

Kryeqyteti i saj është Ottawa dhe tri qendrat më të mëdha metropolitane janë Toronto, Montreal dhe Vancouver. Klima e Kanadasë është e larmishme duke filluar nga klima arktike në veri, deri tek verërat e nxehta në rajonet jugore, me katër stinë të ndryshme.

Kanadaja është një demokraci parlamentare federale dhe një monarki kushtetuese. Monarkia kanadeze është një institucion ligjor i veçantë nga monarkia e Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse të dy funksionet mbahen nga i njëjti individ. Sovrani është Mbretëresha Elizabeta II, e cila është gjithashtu monarke e 15 vendeve të tjera të Komonuelthit dhe e secilës nga 10 provincat e Kanadasë. Përfaqësuesi i Mbretëreshës, Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë kryen shumicën e detyrave mbretërore federale në Kanada.

Kanadaja ka dy gjuhë zyrtare, anglishten dhe frengjishten. Është një nga vendet më të ndryshme etnikisht dhe kulturalisht si rezultat i emigracionit në shkallë të gjerë nga shumë vende të tjera. Kanadaja renditet e pesëmbëdhjeta nga të ardhurat e larta për frymë, ekonomia është e dhjeta më e madhe në botë, duke u mbështetur kryesisht në burimet e saj natyrore dhe rrjetet e tregtisë ndërkombëtare të zhvilluara mirë.

Kanadaja renditet ndër vendet me treguesit më të lartë për transparencën e qeverisë, lirive civile, cilësinë e jetës, lirinë ekonomike dhe arsimin.

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Kanada

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992, Ambasada e Kanadasë në Beograd mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas, deri në vitin 1999, ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari. Që nga viti 1999 e në vazhdim, Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Marredheniet mes dy vendeve jane shume te mira dhe karakterizohen nga një miqësi e konsoliduar. Vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë ndër vite deshmojne per nivelin dialogun politik dhe potencialin e bashkepunimit ekonomik. Mbajtja e konsultimeve diplomatike është gjithashtu një tregues i vullnetit të përbashkët për të konsoliduar bashkëpunimin politik, në të mirë të avancimit të marrëdhënieve dhe intenifikimit te bashkepunimit ne fushat me interes reciprok. Plotësimi i kuadrit ligjor eshte i rendesishem për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe. Vendet kanë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi në fusha të ndryshme. Në 30 prill 2019, u nenshkrua Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore, nderkohe qe Shqipëria dhe Kanadaja po koordinojnë me vullnet të përbashkët avancimin e marrëveshjeve në proçes, perfshire marrëveshjen për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve të Huaja.

Diaspora shqiptare e mirë integruar në shoqërinë dhe jetën kanadeze përbën një urë të fortë lidhëse dhe faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.

Te dy vendet janë aleate në NATO. Shqiperia vlerëson kontributin e Kanadasë në avancimin e demokracisë dhe forcimin e paqes dhe sigurisë globale dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të në këtë drejtim ne kuader te diplomacise shumepaleshe.