Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Letonia, e njohur zyrtarisht si Republika e Letonisë, është një nga vendet Baltike në Evropën Veriore me sipërfaqe prej 64,589 km2 dhe një popullsi prej 1.9 milionë banorë. Kryeqyteti i Letonisë është Riga. Gjuha zyrtare është gjuha letoneze.

Letonia është një shtet unitar. Parlamenti i Letonisë, Saeima, i përbërë nga 100 vende, zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë popullor çdo katër vjet.

Marrëdhëniet diplomatike me Letoninë janë vendosur në vitin 1928 dhe u ri-vendosën më 29 prill 1992.

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Letonia ka qëndrim të vendosur sa i takon mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave.

Letonia është një vend miqësor me të cilin ndajmë qëndrime të përbashkëta për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në “enhanced Forward Presence” (eFP) në Adazi, Letoni.

Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale. Ka vendosmëri për intensifikim të marrëdhënieve si dhe për vijimin e shkëmbimit të vizitave, jo vetëm në nivel ministrash, por edhe në nivel kryeministri, kryetar kuvendi dhe presidenti.

Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Si dëshmi për cilësinë e marrëdhënieve tona dypalëshe është edhe fakti se Letonia ishte vendi i parë që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë. Letonia ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE. Letonia është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe e ka mbështetur gjithmonë.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo-rezidentë, përkatësisht marrëdhëniet me Letoninë mbulohen nga Ambasada Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Letonisë në Romë, Itali.